Rritja edhe më tej e temperaturave ka kthyer alarmin e zjarreve, ku disa qarqe kanë qenë më të rrezikuara. Janë thuajse të njëjtat zona ku javët e fundit janë regjistruar disa vatra zjarri duke dëmtuar mijëra hektarë pyje, por jo dëme në pronën e qytetarëve.
Një sipërfaqe pyjore prej 15 hektarësh në Borizan të Fushë-Krujës është përfshirë nga flakët. Zjarri është favorizuar edhe nga era, ndërsa ndërhyrja me mjetet e zjarrfikësve ka qenë e pamundur për shkak të terrenit të vështirë.
Rreth 15 hektarë të tjera pyje janë përfshirë nga flakët mesditën e kësaj të diele në malin e Torovicës në Lezhë. Situata në këtë zonë është edhe më e rënduar, pasi tre banesa në zonë rrezikohen. Ekspertët zjarrëfikës thonë se zjarri në Bashkinë e Lezhës ka depërtuar nga zona e Velipojës, ku prej tre ditësh flakët kanë djegur sipërfaqe të tëra.
Edhe në Qesarat të Memaliajt, zjarri i madh po shkakton dëme te konsiderueshme në drurët frutorë. Deri tani janë djegur disa pemë ullinj dhe bajame ndërkohe që flakët janë shtrirë dhe në pjesë të tjera.
Përvec forcave zjarrfikëse, në këto vatra zjarri kanë ndërhyrë edhe punonjësit e shërbimit pyjor dhe ushtria. Ata po punojnë me mjete rrethanore për vënien nën kontroll të flakëve me qëllim që të shmanget rreziku për banesat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.