Shendet

Temperatura e trupit na tregon shumë për shëndetin

Temperatura normale e trupit është 37 gradë celsius? Kjo është ajo që kemi mësuar të gjithë dhe është përgjigja e duhur për çdo provë. Ndoshta duket e çuditshme, por temperatura mund të thotë gjithçka për trupin tuaj. Edhe për çështjen më të përfolur për momentin, COVID-19, temperatura e trupit është një ndër simptomat kryesore dalluese. Ekspertët e shëndetësisë tregojnë se temperatura e trupit ndryshon nga momenti në moment.
“Temperatura jonë nuk është e njëjtë gjatë gjithë ditës. Nëse e masni temperaturën në orën 8 të mëngjesit mund të jetë normale, por nëse e masni pasdite do të ketë një shifër tjetër. Për të qenë më të saktë duhet ta masni pasdite. Kjo është diçka e zakonshme që e shkakton virusi dhe patologji të tjera në trup,” tha John Williams, shefi i sektorit të sëmundjeve infektive në universitetin e Pittsburg.
Eksperti shprehet se “gjuha” e temperaturës është e larmishme dhe ndryshon nga një individ tek tjetri. Gratë kanë tendencë të kenë temperaturë më të lartë të trupit sesa burrat dhe të rinjtë kanë temperaturë më të lartë se sa të moshuarit.

Si u përcaktua fillimisht temperatura normale e trupit?
Në mesin e viteve 1800 një mjek gjerman, Carl Wunderlich, mati temperaturat nga sqetulla te rreth 25,000 njerëz dhe zbuloi se temperatura mesatare ishte 37 gradë celsius dhe kështu e kemi besuar që nga ajo kohë.
Por studime në kohën moderne e kanë vënë në diskutim këtë gjë. Artikujt shëndetësorë të gazetës “Harvard Health Publishing”, tregojnë se studime të ndryshme kohët e fundit po tregojnë se temperatura mesatare e e trupit tek njerëzit po bie me kalimin e kohës.
Në studimin e fundit u analizuan tre studime të tjera të kryera ndër vite.
-1860-1940: Matën temperaturën nga sqetullat të 24.000 veteranëve të Luftës Civile dhe temperatura mesatare u vendos, 37 gradë.
-1971-1975: Studimi ku u analizuan 15.000 njerëz duke matur temperaturën.
2007–2017: Iu mat temperatura 150,000 njerëzve në një projekt tjetër të madh kërkimi.
-Duke krahasuar këto tre studime shkencëtarët arritën në përfundimin se temperatura mesatare e trupit ka rënë dhe temperatura e përcaktuar ishte 36 gradë. Studimi u përqendrua gjithashtu edhe në faktorë të tjerë siç janë mosha, gjinia dhe gjatësia.

Por pse ka rënë temperatura mesatare e trupit?
Ekspertët kanë deklaruar se ka dy arsye kryesore:
-Shkalla e ulët e metabolizmit. Një nga përcaktuesit më të mëdhenj të temperaturës së trupit është ecuria juaj metabolike. Ashtu si motori i makinës që është i papunë, trupi juaj shpenzon energji vetëm duke i bërë organet të funksionojnë dhe kjo është diçka që gjeneron nxehtësi. Disa studiues theksojnë se temperatura e ulët mund të ketë ardhur edhe si pasojë trajtimeve më të mira mjekësore dhe masave parandaluese.
-Shkalla e ulët e infeksionit dhe inflamacionit: Në kohën e Wunderlich, kishte shumë sëmundje që qarkullonin dhe nuk trajtoheshin siç duhej, si tuberkulozi, sifilizi, sëmundja kronike e mishrave të dhëmbëve dhe gjendjet e tjera inflamatore që mund të rritin temperaturën e trupit.

Pse kanë rëndësi temperatura e trupit dhe ndryshimet e saj me kalimin e kohës ?
Temperatura e trupit është thelbësore për shëndetin, kjo është arsyeja pse është ndër "shenjat jetike", së bashku me presionin e gjakut, rrahjet e zemrës dhe ritmin e frymëmarrjes. Këto faktorë mund të tregojnë detaje për sëmundje të mëdha, madje edhe të rrezikshme që njerëzit mund të kenë. Studiuesit tregojnë se mijëra reagime kimike që ndodhin në të njëjtën kohë dhe shkaktojnë një ndryshim të temperaturës, por ekspertët thonë se edhe ndryshimet e mëdha të temperaturës mund të shkaktojnë probleme të mëdha.
Hipotermia e rëndë (temperatura e ulët e trupit) ose hipertermia (temperatura e lartë e trupit) mund të shkaktojë dëmtim ose vdekje të përhershme të organeve. Kjo është arsyeja pse trupi ka një sistem kaq të hollësishëm që mban temperaturën e trupit ideale në shumicën e kohës.
Ndërsa studimet e ndryshme që tregojnë se temperatura mesatare në trupin e njerëzve po bie, është intriguese përsëri nuk konsiderohet si një fakt shqetësues. Duhen ende studime të tjera për të përcaktuar edhe më me hollësi se çfarë na tregon temperatura e trupit. Ndërkohë është mirë që të dimë se termometri do të na tregojë një temperaturë më të saktë pasditeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë