Vala e të nxehtit në vend do të vijojë deri të mërkurën, ku pritet të shoqërohet edhe me rrebeshe shiu, kryesisht në zonat malore
Sinoptikanja Lajda Porja tha të hënën se problemi kryesor gjatë kësaj jave do të jetë era, e cila do të përforcohet duke filluar nga pasditja e të hënës.
“Shqipëria është krejtësisht në periferi të valës së të nxehtit, megjithatë është e ndjeshme. Ka pasur që ditën e djeshme një rritje temperaturash, deri në 38 gradë. Parashikohet që sot, nesër e deri të mërkurën, moti të jetë i nxehtë, duke bërë që të kemi temperatura të larta në gjithë zonat e ulëta. Temperatura të larta priten në Elbasan, Berat e zona të caktuara, si Ura Vajgurore, Gjirokastër, ku do të kemi sërish deri në 40 gradë ose edhe më lart.
Pritet që temperaturat e larta të na shoqërojnë në 15 ditëshin e parë të gushtit, ku vlerat do të jenë nga 36 deri në 39 gradë, ndërsa mbi 40 do të jenë vetëm në zona të caktuara. Dita e mërkurë pritet të sjellë rrebeshe shiu, që do të freskojë pak motin. Ditën e enjte do të kemi shi edhe në zonat jugore. Problematike këtë javë do të jetë edhe era. Që nga dita e sotme, në pjesën e dytë të ditës, e deri të premten, do të kemi forcim të erës”, tha sinoptikania Porja për News 24.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




