Humor

Preh e lajmit të rremë për Muajin e Ramazanit

Në epokën e rrjeteve sociale dhe masivizimit të informacionit përmes internetit bëhet gjithmonë e më e vështirë përzgjedhja se cili informacion është i vërtetë e korrekt, e cili është i rremë.

Pré e këtij të fundit ka rënë një program i ndjekur politik në një televizion kombëtar në Hungari. Në emisionin Hirado në televizionin publik MTVA ndjekësit u habitën dhe u alarmuan kur panë informacionin se një qytet në Gjermani kishte ndryshuar emrin në “Agjerimi” pas një peticioni të nënshkruar nga 5 mijë vetë online.

Bëhet fjalë për qytetin Essen, që sipas televizionit hungarez kishte ndryshuar emrin përkohësisht në “Fasten” (Agjerimi) për të nderuar muajin e Ramazanit.

Lajmi satirik i shpërndarë nga Noktara.de

Korrektesa e televizionit publik hungarez shkon deri atje sa përmend edhe burimin e informacionit, një faqe interneti informative online gjermane, e quajtur Noktara.de. Problemi i vetëm është që hungarezët nuk arritën (ose nuk deshën) që të kuptonin se Noktara.de është një faqe ironike, që përmes satirës godet fenomenet negative të shoqërisë gjermane dhe ngjarjeve globale.

Pra, lajmet e Noktara.de mund të merren të mirëqëna dhe të vërteta përsa kohë shkaktojnë humor dhe buzëqeshje të lexuesit e saj, por asnjëherë seriozisht, e për më tepër nga një televizion publik kombëtar.

Faqja satirike gjermane njoftoi të shtunën se kryebashkiaku i Essen kishte vendosur të ndryshojë emrin në Fasten përgjatë gjithë kohës së Muajit të Ramazanit. Lajmi “i bujshëm” shoqërohej edhe me foto ilustruese nga sinjalistikat rrugore, që tregonin qytetin Fasten, me ndryshimin e vetëm që Fasten nuk ekzistonte, pasi ishte produkt i imagjinatës dhe Photoshop-it.

Por, në Hungari janë të bindur se nuk bëhet fjalë vetëm për një gafë të rëndomtë.

“Në 2-3 vitet e fundit jemi mësuar me të tilla lajme për emigrantët, për myslimanët dhe pjesa më e madhe e hungarezëve as që duan t’ja dinë më. Janë të vetëdijshëm sesa qesharake bëhen ndonjëherë mediat tradicionale, sidomos ato proqeveritare dhe pro Kryeministrit Victor Orban”, tha për Euronews, Attila Varga, gazetar hungarez.

Lajmi i MTVA është shndërruar në viral në rrjetet sociale dhe mijëra hungarezë e kanë shpërndarë atë nëpër profilet e tyre duke thumbuar e tallur gafën e rëndë.

Muaji i Ramazanit filloi javën e kaluar dhe gjatë kësaj periudhe besimtarët privojnë veten nga ushqimi dhe pijet përgjatë ditës, si shenjë devotshmërie e sakrifice ndaj Zotit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë