Shendet

"Telefoni gjeti kancerin tim të lëkurës". Por a mund të shpëtojnë jetën aplikacionet?

Një djalë i ri nga Livepuli, mendon se një aplikacion shëndetësor i shpëtoi jetën, pasi e paralajmëroi atë për një kancer lëkure. Jason Sheridan tregon se fillimisht nuk i kishte kushtuar rëndësi nishanin 1 cm që kishte në krahun e tij të majtë, por kur vuri re se ngjyra e nishanit ndryshoi dhe u bë rozë, u shqetësua dhe vendosi ta kontrollonte me anë të një aplikacioni që shkarkoi në telefonin e tij, të quajtur “SkinVision”.

Aplikacioni i cili është programuar për të parë dëmtimet në lëkurë, i tregoi 31-vjeçarit se mund të ishte mbartës i kancerit të lëkurës. Sheridan tregon se më pas ai shkoi në spital për t’u vizituar dhe mjekët e diagnostikuan me melanomë, kancer të lëkurës që mund të ketë rezultate fatale nëse kurohet vonë. I riu kreu një operacion për të hequr nishanin dhe tashmë është pa kancer, ndërkohë ka kryer një sërë vizitash për të parë nëse qelizat kancerogjene ishin përhapur edhe më tej në trupin e tij.

“Për shkak se kam lëkurë të bardhë dhe të ndjeshme, sa herë shkoja në det përdorja krem me përqindje të lartë mbrojtjeje për lëkurën. Domethënë unë kujdesesha për lëkurën gjithmonë, kështu që nuk e kisha menduar kurrë se mund të kisha kancer lëkure,” shprehet Sheridan.

Ai e cilëson aplikacionin një mrekulli sepse i ka shpëtuar jetën. SkinVizion është një aplikacion me anë të cilit mund të dallosh problemet e lëkurës, duke fotografuar një nishan ose ndonjë anomali tjetër në lëkurë dhe më pas vetë aplikacioni analizon të dhënat.

Aplikacioni kontrollon dimensionet dhe format e shenjave në lëkurë për të zbuluar sëmundje të ndryshme. Në rastin e nishaneve, ata të zakonshmit janë në një formë të rregullt dhe me ngjyrë të qëndrueshme, ndërsa melanoma është në formë të çrregullt dhe ngjyra ndryshon vazhdimisht.

Por a mundet që telefoni yt smartphone të të shpëtojë jetën dhe të të njoftojë në kohë sëmundje të ndryshme? Kohët e fundit me avancimin e teknologjisë, kanë dalë një sërë aplikacionesh shëndetësore, të cilat japin këshilla të ndryshme mbi programet e konsumimit të ushqimit dhe programeve të stërvitjes. Studime të ndryshme kanë treguar se ka shumë njerëz kudo në botë që i preferojnë mijëra aplikacione të shëndetit dhe vazhdimisht i përdorin ato.

Disa aplikacione të tjera që mund të na ndihmojnë të kemi një shëndet të qëndrueshëm dhe mbi të gjiha të jemi të informuar se çfarë ndodh me trupin tonë, janë:

Runkeeper - Një aplikacion i cili nxit njerëzit që të bëjnë ushtrime fizike, për të pasur një shëndet fizik më të mirë.

Twilight - Një aplikacion që ndihmon përdoruesit të flenë gjumë më shpejtë dhe më të qetë. Gradualisht, aplikacioni ul ditën e ekranit, gjë për të cilën ndikon një filtër e kuqe. Gjithashtu programin e përdoin për tw lexuar në telefon natën në mënyrë që të mos dëmtojnë sytë.

Babylon Health-  ofron një kujdes parësor mjekësor nëpërmjet celularëve. Inteligjenca artificiale ka arritur majat dhe nëpërmjet këtij aplikacioni mund të monitorohet menjëherë gjendja parësore e pacientit, si rrahjet e zemrës, gjendja e tensionit dhe problemet me aparatin e frymëmarrjes.

IMama- Një aplikacioni e fundit i krijuar për të monitoruar shtatzëninë. Duke filluar nga rrahjet e para të zemrës e deri tek lindja aplikacioni i jep çdo informacion nënës për gjendjen e fëmijës, si dhe probleme të mundshme gjatë fazave të ndryshme të rritjes.

Streams- Një aplikacion që monitoron gjendej e veshkave tek një person duke e kontrolluar për sëmundje të ndryshme.

Medical App - Një aplikacion unik që ndërthur mjekësinë me inteligjencën artificiale të gjeneruar në kompjuter, të dizajnuar nga mjekë profesionistë nga disa spitale universitarë amerikanë. Nëpërmjet aplikacionit  pacientet flasin me mjekwt duke iu treguar simptomat e tyre.

Ada - Një aplikacion që mund të përdoret për të gjetur një sërë sëmundjesh, vetëm duke shkruar se çfarë ju shqetëson në shëndetin tuaj. Nëpërmjet shpjegimit tuaj  aplikacioni gjen sëmundje të ndryshme  të lëkurës, sëmundjen e diabetit, depresionin, klamidian, gonorrenë dhe të tjera.

Sheridan tregon se nuk e kishte menduar kurrë që nishani i tij do ta çonte tek mjekët. Ai shprehet se shkonte në spitale apo për vizita vetëm për shkak të virozëve të stinës. Djaloshi që i shpëtoi kancerit nga një aplikacion shprehet se, e ka treguar historinë e tij për të ndërgjegjësuar sa më shumë njerëz të cilët i lenë pas dore problemet e tyre shëndetësore.

“Disa njerëz mendojnë se kanceri i lëkurës prek vetëm të moshuarit, por gabohen sepse është një sëmundje e cila po përhapet me shpejtësi tek të gjitha moshat, prandaj duhet të kemi shumë kujdes,” shton Sheridan. /Daily Mail/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë