Art dhe Kulture

Teatri si komedi politike dhe tragjedi mes aktorëve

Teatri dhe tentativa e ditëve të fundit për ta prishur me qëllim ndërtimin e një objekti të ri, rriti edhe një herë temperaturat politike, të cilat duket se kishin rënë në përgjumje pas votimeve lokale të 30 qershorit. Tashmë kauza e re opozitës është bashkimi me aktorët protestues për të mos lejuar zbatimin e projektit të qeverisë që nis me shembjen dhe ndërtimit e një objekti të ri nga firmë private, si pjesë e një marrëveshjeje që fillimisht parashikonte ndërtim kullash banimi, ku vetëm 40% e sipërfaqes do të ishte vetëm për Teatrin e ri.

Pas dy ditësh ngujimi brenda ambienteve të Teatrit, të çliruar nga aktorët në mbështetje të simpatizantëve dhe mbështetësve të opozitës, ky institucion tashmë është marrë në mbrojtje të artistëve.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha firmosi një kontratë të re me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, ku zotimet e liderit të opozitës sipas kontratës së firmosur do të realizohen pasi e djathta të vijë në pushtet.

Faksimile e paktit të nënshkruar nga Basha e Aleanca


“Në momentin kur Partia Demokratike e Shqipërisë dhe opozita e bashkuar do të jetë shumicë politike qeverisëse, do të ndërmarrë të gjitha masat e duhura ligjor për të garantuar vënien përpara përgjegjësisë penale dhe administrative të të gjithë vendimmarrësve publikë dhe subjekteve private, për përfshirjen në aferën e grabitjes kriminale të truallit të Teatrit Kombëtar, duke u ngarkuar atyre edhe detyrimin për kompensimin e çdo dëmi të shkaktuar”, thuhet në pikën 6 të kësaj kontrate.
Në këtë pakt të ri, PD zotohet se brenda një muaji pas marrjes së pushtetit do të prishë shfuqizojë ligjin “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe i godinës së re të Teatrit Kombëtar”.
Përveç ruajtjes së dy teatrove, ai Kombëtar dhe ai Eksperimental do ta shikojë me përparësi dhënien e statusit “Ansambël Monument Kulture”, duke qenë pjesë e Qendrës Historike të Qytetit të Tiranës.

Pas firmosjes së kësaj kontrate nga Aleanca, regjisori Edmond Budina që nuk e firmosi dokumentin ashtu si kolegët e tij, i vetëdijshëm se këto premtime mund të realizohen vetëm nëse PD-ja vjen në pushtet, iu drejtua Bashës me fjalët: “Mos na tradhto!”.


Qëllimi i ligjit të miratuar dy herë nga Parlamenti është realizimi i projektit për zhvillimin e një zone urbane në qytetin e Tiranës dhe ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar me palë private. Sipas projektit, teatri i ri do të ndërtohet në një sipërfaqe më të vogël trualli nga teatri ekzistues. Sipërfaqja reduktohet në favor të kompanisë Fusha shpk. Kjo kompani private zotëron 298 metra katrorë truall në krah të truallit të Teatrit ekzistues, ose rreth 3 për qind të sipërfaqes së përgjithshme ku do të ndërtohet.

Ligji për Teatrin


Por opozita dhe aktorët dolën kundër, të parët kundër tjetërsimit të pronës publike dhe të dytët për ruajtjen e vlerës historike të godinës.
Ligji për Teatrin ka pasur përplasje të fortë në Parlament. Lufta e gjatë nisi që një vit më parë kur në Parlament u dërgua ligji për të miratuar kontratën e re me firmë Fusha shpk për ndërtimin e Teatrit të ri, e në këmbim ajo do të kishte të drejtën e ndërtimit të disa objekteve banimi, kulla.


Në propozimin e pakërkuar të firmës Fusha Sh.p.k, zona e propozuar për zhvillim përbëhet nga 8465 metra katrorë tokë e mbetur publike dhe 1303 metra katrorë tokë private. Sipas propozimit të kompanisë “Fusha”, 40 për qind e tokës do të jetë “vetëm për teatrin e ri kombëtar”, ndërsa 60 për qind për “ndërtimet me karakter komercial”. Projekti parashikon ndërtimin e dy kateve nëntokësore në të gjithë sipërfaqen e tokës për realizimin e 20,400 metrave katrorë parking. Përveç parkingut, kompania planifikon ndërtimin e 68 mijë metrave katrorë mbi tokë.

Nga protestat e para për Teatrin


Qeveria e paraqiti ligjin në mars të vitit 2018, menjëherë pati reagime të ashpra nga komuniteti i aktorëve dhe artisëve dhe kjo bëri që qeveria të tregohej disi e kujdesshme sa i përket kalimit në Parlament. Menjëherë pati edhe deklarata pro dhe kundër nga ana e artistëve për një teatër të ri. Ndërsa në qershor pati një debat në komisionin parlamentar ku i pranishëm do të ishte edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj. Opozita asaj kohe ishte pjesë e Parlamentit dhe nuk mund i kurseu debatet, madje shkoi deri te tentativat e përplasjes fizike mes deputetit Flamur Noka dhe kryebashkiakut Erjon Veliaj, i cili sipas demokratëve nuk ishte ftuar në këtë mbledhje.

Veliaj dhe Noka në përplasja

Ndërsa menjëherë artistët u ndanë në pro dhe kundër ndërtimit të Teatrit të ri. Në këtë kohë u krijua Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. “Ne, Aleanca Për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar e çmojmë Teatrin Kombëtar si një trashëgimi kulturore të paçmuar që ka qenë dëshmitare e historisë së lindjes së Shqipërisë si komb si dhe e krijimtarisë, aftësisë mbijetuese dhe shpirtit të popullit shqiptar. Vendi ynë është vërtet i ri, por populli dhe civilizimi ynë janë të lashtë. Si vend, ne kemi përjetuar vite vërtet plot dhimbje. Si popull, ne u kemi rezistuar aradhës së shekujve me anë të gjenialitetit tonë kreativ dhe busullës sonë morale që bart dëshminë më të shkëlqyer për vlerat tona, për premtimin tonë dhe për potencialet tona. Ne jemi të angazhuar që ta konservojmë dhe ta restaurojmë Teatrin Kombëtar si një dëshmi e gjallë për vlerën dhe dinjitetin e trashëgimisë sonë artistike dhe historisë sonë kombëtare, dhe si një fanar kulturor që sendërton, përkrah dhe mbledh rreth vetes komunitetin vendas”, thuhet në qëllimin e kësaj Aleanca.

Protesta per Teatrin e aktorëve


Pavarësisht protestave të opozitës dhe komunitetit të artistëve, Kryeministri Edi Rama nuk u tërhoq dhe tha se teatri ekzistues do të shembet dhe godina e re do të ngrihet. Plani vazhdoi dhe në Parlament u votua mes trazirave dhe protestës së opozitës projektligji special për Teatrin Kombëtar me 75 vota pro. Ndërsa vetëm ministri Pandeli Majko nuk do të pranonte që të votonte ligjin duke dale kundër vendimin të qeverisë.

Votimi i ligjit të Teatrit ne Parlament nën protestën e opozitës


Ligji do të rikthehej mbrapsht nga Presidenti Meta, e cilësoi si një nismë që favorizonte një firmë të vetme, ishte një procedurë jo e hapur dhe si e tillë binte ndesh me ligjet dhe Kushtetuën. Parlamenti do të tërhiqej fillimisht nga miratimi i ligjit dhe do të pranonte vetëm një nga dhjetë kushtet e presidentit për të rishikuar nismën. Ligji i miratuar më 20 shtator të vitit 2018 për Teatrin do të miratohej me kushte të tjera, porse presidenti Meta e riktheu sërish për mbrapsht duke u shprehur se nuk u morën në konsideratë propozimet e tij, duke shtuar se procedure e tenderuese krijon sërish një përzgjedhjeve selektive duke favorizuar firmën “Fusha”.

Kjo solli që Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit të realizonte për një vit, çdo ditë deri më sot, protesta në sheshin përpara godinës historike, pasi nuk i lejohej futja brenda. Kjo Aleancë do të bëhej pjesë edhe protestave kombëtare të opozitës, e cila do të dilte në shesh me thirrjen “Mbro Teatrin”.
Aleanca kërkon ruajtjen e objekteve të Teatrit, por arkitekti që ka projektuar godinën e re të Teatrit Kombëtar, Bjarke Ingels, thotë se godina aktuale e Teatrit Kombëtar nuk ka mundësi që të rikonstruktohet. Ai është i mendimit se dy godinat aktuale të Teatrit janë jashtëzakonisht të ngushta, duke mos krijuar hapësirën e nevojshme fizike.

Projekti për Teatrin e ri


Ndërsa zërat se ai u tërhoq nga projekti, Ingels i rrëzoi poshtë duke deklaruar në janar të këtij viti se “ende jemi tejet të gëzuar për angazhimin tonë për të vijuar në projektimin e Teatrit Kombëtar Shqiptar. Me kënaqësi do të përfshijmë aktivisht kontributin e përdoruesve dhe do ta zhvillojmë projektin për t'u bërë ai institucion kombëtar publik që meriton vendi dhe arti skenik”.


Pas një viti betejash, aktorët janë ende të ndarë për faktin nëse duhet ndërtuar një godinë e tillë, ndërsa qëndrimet e tyre po keqpërdoren nga politika shqiptare. I tillë ishte së fundmi edhe qëndrimi i aktores së njohur të skenës Raimonda Bulku, e cila mbajti dy qëndrime për Teatrin, të parit i bëri jehonë kryeministri Edi Rama, ndërsa reagimit të dytë që ishte pro teatrit dhe kundër prishjes së atij ekzistues i bëri jehonë Partia Demokratike, e cila dikur e kishte si deputete të sajën në Parlament.
Konfliktit të ashpër për Teatrit tashmë me përmasa politike i është futur në mes edhe presidenti Meta, i cili me aktin e tij të ditëve të fundit të ankimimit të ligjit në Gjykatën Kushtetuese, ka tentuar deri diku të shërbejë edhe si një “zjarrfikës” i tensioneve të ngritura në këto ditë të nxehta vere.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë