Ngjarje

Teatri “shëtitës” nis me sezonin e ri, por pa godinë

Teatri Kombëtar e ka nisur sezonin me festivalin mbarëkombëtar të teatrove, ku marrin pjesë 14 trupa nga trevat shqiptare. Por ndërkohë që mikpritëse për komunitetin e aktorëve dhe regjisorëve është bërë skena e re “ArTurbina”, institucioni është pa një godinë të vetën, deri në ndërtimin e së resë, aq shumë të debatuar...

Suadela Balliu - Pasi muajt e verës mbarojnë, me shfaqjet shëtitëse në teatro apo amfiteatro në rrethe, shtatori duket sikur i mbledh të gjithë në godinën e madhe, atë të qëndrueshmen, me të cilën identifikohet një institucion për t’i dhënë jetë kështu një sezoni të ri artistik. Por nuk ka ndodhur kështu me Teatrin Kombëtar, që e ka nisur kalendarin për sezonin 2018-2019 në një skenë bujtëse, atë të “ArTurbinës”.Nuk kanë dashur ta nisin vetëm me një shfaqje, siç ishte folur se do të qe komedia shqipe “TAG”,  shkruar nga Bashkim Hoxha e me regji të Andia Xhungës, por gati si në surprizë –të paktën gjatë muajve të verës, ku drejtori i TK-së Hervin Çuli ka parapëlqyer të rrijë në heshtje  si për çështjen e shembjes së godinës së vjetër ashtu edhe për të zbuluar ndonjë hollësi paraprake rreth të rejave të sezonit që sapo ka hyrë – mbërriti një Festival Mbarëkombëtar i Teatrit, i cili nisi mbrëmjen e 23 shtatorit e do të vijojë të japë nga dy shfaqje në ditë për dashamirësit e teatrit nga 14 trupa teatrore, ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë.

Në mënyrë simbolike, festivali ka marrë udhë me ceremoninë çelëse, përshëndetur nga tre drejtorë teatrosh; ai i Shkupit, Adem Karaka, i Prishtinës, Agron Myftari dhe ai i Shqipërisë, Hervin Çuli.


Tre drejtorët:  Adem Karaka nga Teatri i Shkupit,  Agron Myftari i Prishtinës dhe ai i Shqipërisë, Hervin Çuli.

Megjithëse “ArTurbina” i ka hapur dyert më parë me disa shfaqje muzikore dhe baleti, vetë drejtori Çuli ka thënë se ky festival dhe komedia “TAG” , është e para  shfaqje teatri që ngjitet në skenën e re multifunksionale -  e cila sipas Çulit do të hyjë në historinë e “ArTurbinës” - përuruar në muajin korrik, si një  strehë e përkohshme për aktorët dhe regjisorët e Teatrit Kombëtar, në pritje të ndërtohet një godinë e re, ku shembja e së vjetrës – me gjithë protestat disamujore kundër – është çështje ditësh pasi ligji i rishikuar u votua sërish në Kuvend.

‘Shembje’ apo ‘prishje’ janë fjalë, të cilat drejtori i TK-së, Hervin Çuli ka parapëlqyer të mos i përdorë, duke zgjedhur në vend të tyre fjalën ‘ndërtim’, siç do të jetë ai i një teatri të ri kombëtar, me standarde moderne e bashkëkohore. Kështu është përgjigjur në emisionin “Zonë e Lirë”, të premten mbrëma, dy net para nisjes së këtij festivali, që është i vendosur përgjatë një jave në dy skena: atë të Universitetit të Arteve dhe në “ArTurbina”, një skenë tek e cila vetë Çuli ka thënë se beson fort, edhe pse siç ka rrëfyer, ende nuk e ka provuar si regjisor.

Ky sezon i ri artistik dhe zhvendosja në “ArTurbina” e bën kështu institucionin e Teatrit Kombëtar të gjendet pa godinë. Në të njëjtat kushte aktualisht është edhe Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, por trupa artistike dhe njerëzit që punojnë në administratën e këtij të fundit do të rikthehen në godinën e rikonstruktuar, pas punimeve që po kryhen.

Duke e theksuar se është tifoz i ndërtimit të një teatri të ri dhe me frikën se kjo mundësi  ( e artë ndoshta?!) mund t’u ikë nga duart komunitetit të aktorëve dhe regjisorëve që punojnë në Teatrin Kombëtar,Çuli, mes nostalgjisë që i ka dhënë për 25 vite karrierë dhe një godine me kushte për ata që ngjiten dhe interpretojnë në skenë, zgjedh të dytën.

Komedia "TAG", me regji të Andia Xhungës, çeli Festivalin Mbarëkombëtar të teatrove. 

Edhe pse kjo e kthen në një drejtor institucioni kombëtar pa një godinë aktuale me cilësimin “Teatër Kombëtar” , në emisionin “Zonë e Lirë” ka deklaruar se nuk e merr malli “për një skenë që më ka futur raumatizmën në trup”. Më e rëndësishmja për të është se nuk do të hyjnë më “në një teatër me lagështirë” dhe se në pesë vite si drejtor, thotë i bindur se është jashtë çdo standardi dhe nuk beson në një rikonstruksion,  që do e kthente në identitet.

Sa i përket hapësirës së re “ArTurbina” – një alternativë jo vetëm për artin skenik, performues, por edhe një vend për ekspozita –drejtori i TK-së, Hervin Çuli ka thënë se ende vijon të menaxhohet nga firma që u mor me shndërrimin e asaj godine, dikur Instituti i Hidrometeorologjisë, ndërsa stafi po trajnohet, ka thënë ai.

Ky festival Mbarëkombëtar i Teatrit , i cili është kthyer pas gjashtë vitesh mungesë, asokohe i dedikuar vetëm dramës shqipe, ndërsa tani ka përfshirë edhe  vepra të huaja në të, është konceptuar në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, ka thënë ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e pranishme në ceremoninë e çeljes.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj përshëndetën festivalin. 

Komedia “TAG” e cila ironizon varësinë e shoqërisë nga rrjetet sociale e që bëri bashkë në skenë aktorë si Olta Daku, Naun Shundi, Mehdi Malkaj, Artan Imami, Rajmonda Bulku e të tjerë,  përfaqësoi Teatrin Kombëtar të Shqipërisë  në këtë festival, ndërsa çdo ditë, për një javë do të vijnë nga dy shfaqje.

Mbrëmja e 24 shtatorit çelet me dramën “Kaligula” të cilën e sjell në skenë  Teatri Kombëtar i Kosovës, në sallën e madhe të Universitetit të Arteve e vijon më pas me  shfaqjen “Pengu” nga teatri  “Aleksandër Moisiu”,  i Durrësit. Regjisori Saimir Gongo prezanton gjithashtu edhe librin e tij, një përmbledhje me drama, titulluar “Aty ku dielli nuk perëndon” , më 25 shtator.

https://www.facebook.com/officialTeatriKombetar/videos/1916405748654564/

Shfaqje të tjera në programin e festivalit do të jenë   “Senatori Fox”,  nga Teatri “Petro Marko”, “Dy duzina me trëndafila”, nga teatri “Bylis”, Shfaqja “Pirro” e autorit  Hetem Haxhiademi, vjen nga teatri  “Zihni Sako”.Në këtë festival merr pjesë edhe Teatri i Metropolit, i cili vetë po organizon festivalin e dramës shqipe “Metrofest”, që do të nisë në fillim të tetorit, merr pjesë në festival me shfaqjen “Qiell i Heshtur”.  Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, i destinuar për të lëvizur nga godina e vjetër e për t’u strehuar po ashtu në hapësirat e “ArTurbina”, vjen me shfaqjen “Medea” të regjisorit grek Dimitris Mylonas, ndjekur nga “Nana”, një shfaqje e teatrit “Teuta”.  Teatri i Prizrenit  “Bekim Fehmiu” vjen me shfaqjen “Ata që ikin”, ndërsa trupa e teatrit të Korçës “Andon Zako Çajupi” sjell në skenë “Vetëvrasësi”, në sallën 400 vendëshe në ArTurbina.

Teatri Shqiptar i Shkupit do të paraqitet në ditën e fundit të  festivalit me dramën “Vdekja e Dantonit.” Ky festival do të shpërndajë edhe çmime nga një juri profesionistësh, e cila kryesohet nga aktori Ndriçim Xhepa, i cili pasi ka vlerësuar festivalin ka hedhur idenë që të mund të bëhej një traditë njëherë në dy vjet.

Drejtori i jurisë së festivalit Ndriçim Xhepa. 

Të gjendur tashmë në shtëpinë e re, të përkohshme, trupa e Teatrit Kombëtar do ta mirëpresë publikun jo më në qendrën e kryeqytetit, por në rrugën që të çon drejt Liqenit Artificial, përballë me shkollën e mesme “Petro Nini”. A do të shkojnë të ndjekin shfaqjet e kolegëve apo a do të ngjiten vetë të interpretojnë apo vënë në skenë shfaqje të tyre në hapësirën e re të gjithë ata aktorë e regjisorë që protestuan për muaj të tërë për mosshembjen e godinës -  për ta me vlerë historike, kulturore dhe shpirtërore?

“Edhe ata që mbrojnë idenë e mosprishjes së teatrit, nuk kanë arsye për të qenë armiq me një skenë të re”, e ka mbyllur drejtori Çuli intervistën e tij,  në emisionin “Zonë e Lirë”.  Aktori Neritan Liçaj, i cili ka qenë një nga figurat kryesore të qëndresës për mos shembjen e Teatrit Kombëtar interpreton në komedinë “Vetëvrasësi” të regjisorit Sulejman Rushiti, që në këtë festival do të prezantojë trupën e Teatrit “Andon Zako Çajupi” dhe "Pengu" të regjisorit Saimir Gongo, me trupën e teatrit të Durrësit. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë