Irena Beqiraj

Teatri i Akuzës


Pionierët e fushatave negative politike, janë cilësuar John Adams dhe Thomas Jefferson, në garën për President, në vitin 1797. Më parë, njëri President dhe tjetri Zëvendëspresident, bashkëpunuan vrullshëm për shpalljen e Pavarësisë së Amerikës dhe si të tillë, kishin shfaqur veç vlerësim dhe respekt për njëri-tjetrin. Por në vitin 1800, politika i distancoi. Kerwin Stint në artikullin “Etërit themelues të fushatave negative” përshkruan: “Kampi i Jeffersonit akuzoi Presidentin Adams se kishte një karakter hermafroditik të shëmtuar, i cili nuk ka as forcën dhe qëndrueshmërinë e një burri, as butësinë dhe ndjeshmërinë e një gruaje. Në kthim, njërzit e Admas e quajtën Zëvendëspresidentin Xheferson “gjarprin e një indiani gjysmë-race, i lindur nga një baba mulat nga Virgjinia. Ndërsa akuzat përparonin, Adams u etiketua si budalla, hipokrit, kriminel dhe tiran, ndërsa Xheferson u shpall i dobët, ateist, libertinë dhe frikacak”.
Edhe pse jemi rreth 220 vite më vonë, fushatat negative politike, vazhdojnë ethshëm si shfaqje spektakolare në kufijtë e absurdit. Të përbuzura, por të ndjekura, të kritikuara, por të justifikuara, çuditërisht më shumë të dënuara me një keqardhje të rreme, nga aktorët e tyre.

Akuzat politike janë pjesë e “argëtimit popullor”, sikur ishin ndeshjet me gladiatorë në Romën e lashtë. Forca e gladiatorëve politikë të sotëm, nuk mund të jetë fizike. Ajo është më së shumti, fuqi oratorie për të lartësuar veten, duke sharë e akuzuar palën tjetër. Ky teatër edhe pse me zë të lartë, etiketohet si i shëmtuar, argëton, shet, merr më shumë klikime krahasuar me çdo ngjarje tjertër. Pse ta fshehim, është loja që politkanët e sprovuar dinë ta luajnë mjeshtërisht. Të prekur nga sindroma Hubris, kjo shfaqje u vjen natyrëshëm. Hubris është një koktej i rrezikshëm i vetëbesimit, arrogancës dhe krenarisë që ushqehet nga fuqia dhe suksesi i gjatë në politikë. Polikanët e shfaqin hapur fuqinë për vetë-lavdërim; kanë një fokus pothuajse obsesiv në imazhin personal; karakterizohen nga një vetëbesim i tepruar, i shoqëruar nga përbuzja për këshilla ose kritika; kanë humbur kontaktin me realitetin; shpesh e më shpesh flasin si Mesia i ardhur në tokë, mbizotërimi suprem i ka çuar në mospërfillje ndaj detajeve.
Të prekur nga një sindromë e tillë edhe pse politikanë të një vendi të vogël dhe të varfër, ata nuk mund të jenë modestë, të përulur, të urtë e të mençur dhe si të tillë, fatkeqësisht, shumë rrallë i gjen të përfshirë në debat idesh. Debati i ideve kërkon si parakusht të kesh njohuri dhe, së dyti, të pranosh relativitetin e tyre.
Ndërkohë, koha e gjatë në politikë, ka përsorur aftësitë e aktorëve tanë, për të kuptuar çfarë i tërheq spektatorët e arenës së tyre të luftës. Akuzat, sharjet janë simbolet më supreme të trasmetimit të të keqjes dhe si të tilla përhapen lehtësisht, sepse ne humanët karakterizohemi nga instikiti i negativitetit. Tërhiqemi më shumë prej lajmit të keq. “Lajmi i mirë nuk është lajm”, thonë gazetarët. Dhe jo më kot, të gjitha edicionet e lajmeve, kryesisht fillojmë me kronikën e zezë. Aktorët politikë dinë që truri i votuesit funksionon duke ndjerë dhe jo domosdoshmërisht duke menduar. Akuza, sharja,vetë-mburrja, janë katalizatorët më të mirë të ndjesive. Idetë, janë katalizatorët e mendimit kritik, i cili fatkeqësisht nuk argëton.

Spektatorët preferojnë të ndjejnë, jo të mendojnë. Për këtë arsye, teatri i akuzës është më i ndjekur, më i klikuar, më i preferuar se debati i ideve. Teatri i akuzës është e vetmja shfaqje që shoqërohet nga një kolonë zanore e gjetur, e cila në çdo rast parapërgatit spektatorin për fatalitetin e skenës që pason. Kolona zanore, luhet nga “virtuozët” e medias së varur. E varur tërësisht nga politika. Ndërhyrjet aktive të kësaj të fundit, vetëm kanë nxitur dhe nxisin negatitivitetin, si e vetmja mënyrë për ca klikime më shumë.
Teatri i akuzës është e vetmja shfaqje që preferohet dhe luhet me mjeshtëri, në arenën tonë politike, na argëton sepse na nxit ndjesitë dhe jo mendimin, shoqërohet nga një kolonë zanore mbresëlënëse, për nga mënyra sesi i përshtatet lojës së aktorëve politikë. Teatri i akuzës do të vazhdojë, si ofruesi më i mirë i argëtimit të sotëm dhe kërcënuesi më i madh i së nesërmes.
Debati i ideve si e vetmi katalizator zhvillimi ka qënë dhe do të mbetet një shfaqje e padëshiruar ndërkaq, një shfaqje pa aktorë dhe spektatorë po aq.


Copyright © Gazeta “Si”