Irena Beqiraj

Teatri dhe pendimi im


Nga Irena Beqiraj -Kur kam vizituar për herë të parë Venecian, duke ecur në rrugicat e ngushta, ku ndihej era e mykut edhe e lagështirës, instinktivisht numëroja gjuhët e ndryshme që dëgjoja rreth meje atë ditë. Ishin plot 38 gjuhë të ndryshme që gumëzhinin midis atyre godinave, të cilave e kisha të vështirë t’ua dalloja bukurinë.

Tek shikoja njerëz të ngazëlluar tek Rialto, më krijonte ankth mungesa ime e ngazëllimit. Sipas mendimit tim të papjekur e të palatuar të asaj moshe, bota kishte vende më të bukura, më rrëzëllitëse e më të shkëlqyera se Venecia. Edhe pse e kam të vështirë të pranoj aty për aty që jam gabim, dyshimi se diçka më mungonte mua nuk më la të qetë.

Shoqëria ku u rrita përveç genocidit, kishte përjetuar një historicid të çoroditur. Diktatori si të gjithë diktatorët, dëshironte të formëzonte një shoqëri tjetër me ideologji të re, besnike të formave të reja të sjelljes. Për të arritur këtë më parë duhet të shkatërronte identitetin ekzistues të të rriturve duke parandaluar transmetimin e këtij identiteti historik e njerëzor te fëmijët. Mungesa e kësaj trashëgimie, e këtij identiteti, nuk më lejonte të vlerësoja ekzistencën e tij në një komb tjetër. E rritur në një vend të varfër, të vjetrën e barazoja me varfërinë, me mungesën e zhvillimit, e reja ishte gjithmonë më e mirë.

E edukuar nën moton “një jetë e re do të lulëzojë gërmadhash” dhe më pas nën moton kapitaliste të shkatërrimit krijues “një funksionalitet i ri krijohet mbi shkatërrimin”, isha e dashuruar me modernen edhe të bukurën, të dyja fatkeqësisht koncepte relative. Si koncepte relative, e bukura dhe modernia kanë nevojë për një sistem referimi. Kur ai mungonte tërësisht, edhe koncepti im mbi modernen dhe të bukurën ishte kaotik.

Një vajzë si unë e konfuzionuar në konfliktin antagonist të realizmit socialist me historinë, nuk mund të perceptonte që e vjetra mund të bashkëjetojë me të renë. Nuk arrinte të shikonte që në ato godina që jashtë dukeshin të rrënuara e plot harta lagështire, brenda tyre gëlonte jeta moderne e fillimshekullit të 21-të.

Me kohën mësova se sa do i nevojshëm të jetë përmirësimi i standardeve, shoqëria ka nevojë për stabilitet dhe vazhdimësi. Në themelet e të dyjave qëndron trashëgimia edhe historia.

10 vjet më pas isha kundër prishjes së piramidës e katandisur keq së jashtmi, për të ndërtuar një ndërtesë dinjitoze për parlamentarët tanë aspak dinjitozë. Nuk jam në gjendje të vlerësoj vlerat arkitekturore të saj, por e shikoja atë si pjesë të identitetit tim. Do të preferoja të shikoja aty jo një qendër teknologjie (siç është plani), por pikërisht Muzeun e Enver Hoxhës. As për lavde e as për respekt të tij, por si rrëfim i historisë sonë, si simbol i vuajtjes së kësaj shoqërie, si kujtesë e gabimeve të bëra nga politikat e asaj kohe. Një shoqëri që varros dhe harron gabimet, ka shumë gjasa t’i përsërisë ato.

Ne e varrosëm edhe një nga pak ato ndërtesat të mbetura historike, e cila nuk “ishte dinjitoze” për Tiranën e shekullit të 21-të. Por bashkë me “një godinë të ndërtuar keq”, varrosëm një pjesë të historisë së qytetërimit tonë.

Vajza e re që dikur vizitoi Venecian padyshim do të emocionohej me godinën e re . Por ajo sot gruaja 45 vjeç njëkohësisht nënë, e cila ndonëse vonë, e mësoi që teatri, muzeu, biblioteka, shtëpitë e vjetra, janë të paçmueshme jo për shkak të bukurive estetike, por sepse vetëm me anë të tyre mund të transmetojë tek e bija vlerat, idetë, rrëfimet që na bëjnë këto që jemi sot.

Dritat dhe shkëlqimi i teatrit të ri nuk do të ma fashisin dot pengun e paaftësisë për të trashëguar te fëmijët tanë mendësinë që qytetërim dhe zhvillim nuk do të thotë vetëm të krijosh të ardhmen, por më së shumti do të thotë të ruash, të mbrosh, të vlerësosh të kaluarën, çfarëdo që të ketë përfaqësuar ajo.

Funksionaliteti i teatrit të ri (e jam e sigurt që do jetë i tillë) nuk ma heq dot frikën që bija ime, biri yt, në vijimësi të kësaj sjelljeje, në mungesë të modelit sesi e vjetra mund të bashkëjetojë me të renë, si ne atërit e tyre, në emër të më të bukurës dhe më modernes, pas 50 vitesh, po kaq lehtësisht do të prishin këtë që ne po ndërtojmë sot.

Dje Venecia ushqeu kureshtjen, sot kujtimi i atij udhëtimi ka mbjellë tek unë trishtimin. Përfytyroj bijën time, birin tënd të ndiejnë po të njëjtin ankth,  zemërim kur ta vizitojnë atë qytet. Ankthin që vjen nga mosnjohja dhe mungesa e trashëgimisë së identitetit të tyre. I përfytyroj duke numëruar si unë gjuhët e huaja që dëgjojnë rreth tyre, në kërkim të arsyes çfarë ka Venecia e shekullit 17-të kaq të rëndësishme për njerëzimin. I dëgjoj duke u ankuar për pamundësinë e etërve të tyre për të krijuar trashëgimi. Uroj diku ajo të gjejë këtë shkrim edhe të lexojë ndër rreshta pendimin tim.


Copyright © Gazeta “Si”