Irena Beqiraj

Të zhveshur drejt tregut europian


Nga Irena Beqiraj - Duke folur për integrimin europian në një grup ekonomistësh, dëgjova një koleg të thoshte “me nivelin e zhvillimit teknologjik që ka ekonomia shqiptare, nuk do t’i mbijetojë dot “ngricës” së tregut europian.

Sipas të dhënave zyrtare të tregtisë ndërkombëtare gjatë vitit 2018, në nivel global eksporti i mallrave kapi vlerën 17.3 trilion dollarë, ndërkohë që eksporti i  shërbimeve ishte në vlerën 5.1 trilion dollarë. Në nivel global eksporti i shërbimeve zë gati 23% të tregtisë ndërkombëtare. Eksporti i shërbimeve në pamje të parë ka këtë peshë specifike 23%, që prej 1990-s. Por ka një detaj tërësisht të padukshëm në debatin mbi tregtinë, për të cilën duhet të jemi të vëmendshëm.

P.sh. një ilaç i ri që shitet në tregjet ndërkombëtare, edhe pse si transaksion formalisht regjistrohet si tregti mallrash, vlera e vërtetë e tij, nuk qëndron në procesin e prodhimit, por në vitet e kërkim-zhvillimit që çuan në zbulimin dhe zhvillimin e ilaçit.

Sipas një studimi të bërë nga Instituti Global McKinsey, shërbimet e kërkim-zhvillimit, modelimi, marketingu i personalizuar dhe shpërndarja përbëjnë rreth një të tretën e vlerës së mallrave të prodhuara dhe të tregtuara. Vetëm duke rillogaritur vlerën e shërbimeve të kërkim-zhvillimit, modelimit dhe të drejtave intelektuale si zë të eksportit global të shërbimeve, pesha specifike e këtij të fundit rritet nga 23% në 45%. Flukset e eksporteve të shërbimeve janë tashmë shumë të mëdha për t'u injoruar dhe ato pritet që rriten me shpejtësi.

Vala e inovacionit teknologjik pritet të zgjerojë më tej gamën e shërbimeve që do të eksportohen në të ardhmen nga gjithë ekonomitë botërore. Rrjetet ultra të shpejtë 5G, realiteti virtual dhe robotika e përparuar do të bëjnë të mundur që më shumë shërbime të të ofrohen në distancë, duke  filluar nga mirëmbajtja e pajisjeve industriale deri te kryerja në distancë e një operacioni mjekësor.

Ekonomia e së ardhmes do të drejtohet  kryesisht nga eksporti i shërbimeve, i cili do të jetë baza e zhvillimit. Shërbimet do të jenë burimi më i rëndësishëm i punësimit dhe tregtisë dhe automatizimi do të vazhdojë të zëvendësojë kapitalin njerëzor.

Zhvillimi teknologjik  do të bëjë edhe më “të akullta” tregjet botërore për produktet e shërbimet shqiptare, të cilat janë me vlerë të ulët, edhe për shkak të mungesës së përdorimit të teknologjisë në prodhimin apo ofrimin e tyre.

Të humbur prej kohësh në labirintin e prioriteteve, të angazhuar e të ngazëllyer nga arritje si: marrja e drejtimit të OSBE, arritja e marrëveshjes rajonale të Minishengenit, apo prezantimi i platformave online për të denoncuar, raportuar dhe  qëndisur fletërrufe, kemi harruar, neglizhuar të merremi seriozisht me prioritetin bazë, ekonominë digjitale.

Të merresh seriozisht me ekonominë e së ardhmes nuk ka të bëjë vetëm me sfidën e hartimit të një strategjie. Përkundrazi, ajo që kërkohet është planifikimi edhe bashkërendimi i ekonomisë digjitale në katër fusha: infrastrukturë, kapital njerëzor, financa, industri.

E nëse Minishengeni është vërtet qëllim e jo thjesht një fabul për konsumin politik të radhës, politikëbërësit në nivelin rajonal - le ta të fillojnë me ndërtimin e urave të bashkëpunimit në këtë fushë, duke krijuar  “një antenë të përbashkët ” për të identifikuar sfidat e reja teknologjike dhe zhvillimore. Serbia është një hap para edhe këtu. Serbia ka filluar tanimë procesin e hartimit të strategjisë së saj kombëtare të digjitalizimit.

Bëjmë mirë, një akt nobel do thosha, që si kryesues të OSBE, vetë kryeministri shqiptar  kujdeset për konfliktin në Ukrainë. Por ka disa detyra brenda vendit që nuk presin, duke ia hequr luksin kujtdo kryeministri shqiptar të merret me misione me qëllime të mira ndërkombëtare. Vala e zhvillimit teknologjik është e fortë, e shpejtë. Për fatin tonë të keq nuk na lë shumë kohë. Ajo kërkon një orë e më parë që qeveria së bashku me aktorët e tjerë ekonomikë të hartojnë politikat e duhura, të cilat do të mundësojnë adoptimin e ekonomisë tonë në kushtet e reja. Në të kundërt, kolegu kishte të drejtë, ekonomia jonë do të kishte po aq mundësi të mbijetonte në tregun  europian, apo botëror sa mundësi ka të mbijetojë në Polin e Veriut një njeri i veshur vetëm me rroba banje.


Copyright © Gazeta “Si”