Dosje

Të vrarë e të gjymtuar, por ku janë autorët! Si dështoi policia në zbardhjen e ngjarjeve me eksploziv në Vlorë

“E mira e vërteta, virtyti dhe dituria nuk vdesin, është e sigurt dhe e përjetshme, është e vetmja gjë e pavdekshme që prek të vdekshmit“, – shkruan në një nga përvjetorët e vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi, bashkëshortja e tij, e cila së bashku me familjarët ende nuk kanë marrë drejtësi.

I vrarë ne bulevardin e këtij qyteti, teksa po shkonte në punë, ngjarja e nëntë shtatorit 2011 nuk ka ende autorë, ndonëse pistat janë të shumta. 10 vjet më vonë , gjatë të cilave nuk kanë munguar shpërthimet, të vrarët e të gjymtuarit, Indrit Sadedini u mbulua me një batanije, teksa lëngonte pas shpërthimit që i preku të dyja këmbët.

Policia jepte e merrte në skenën e krimit, e dorëzuar përpara ngjarjeve të tilla që shkaktojnë frikë sa kohë nuk ka të arrestuar. Ekzekutimi i telekomanduar përmes lëndës C4 apo tritol, numëron deri më tani në qytetin e Vlorës 15 ngjarje të ngjashme të kryera në këtë qytet, midis të cilave, shumica u lexuan si paralajmërime dhe kërcënime, ndërsa në të tjerat, si më e fundit, kanë qenë atentate të mirëfillta të organizuara nga autorë që përherë largohen, duke e lënë policinë me gisht në gojë.

Ndonëse zyrtarisht policia nuk e pranon dështimin disa vjeçar, faktet janë kokëforta. Në çdo shpërthim të telekomanduar, qoftë ai me përmbajtje C4 apo tritoli, autoritetet shfaqen të papërgatitura dhe me mungesë informacioni.

“Po të ndjekësh planin e masave, është për t’u habitur se si policia fokusohet tek elementë të detajuar, duke nisur nga kontrollet për fishekzjarrë dhe lëndë piroteknike gjatë atmosferës së festive. Ajo deklaron se ka nën kontrollon dhe monitorim elementët problematikë dhe një ngjarje si kjo, në lagjen 10 korriku, ku autorët e kishin lënë eksplozivin në rrugë në pritje të objektivit, është mjaft shqetësuese dhe kërkon reagim të fortë”, – deklaron për Gazetasi.al, një nga kriminalistët më të mirë në vend.

Shpërthimi i fundit

Sipas zyrtarit, ndryshe nga rastet e mëparshme në këtë vendngjarje, autorët e kishin fshehur tritolin që e telekomanduan sërish përmes një telefonate, në një kuti kartoni dhe e kishin vendosur në ambient të hapur.

As në automjet dhe as në afërsi të vendeve që frekuenton viktima. Ndonëse 33-vjeçari Indrit Sadedini ka një ‘CV’ të njohur nga droga në fushën e përplasjeve, argumenti i policisë se ai kishte precedent, nuk e justifikon dështimin për të mbuluar territorin.

Një nga ekspertët e vendngjarjes që gjurmoi çdo të dhënë në lagjen ku jetonte, i riu shpjegoi për Gazetasi.al, se autorët e kanë pritur, derisa Sadedini ka dalë në trotuar.

“E kishin mbuluar lëndën plasëse me kartonë dhe ata thjesht kanë pritur. Nuk mund të aludohet asesi, se personi që ka shtypur butonin, gjendej aty pranë dhe për rrjedhim është ekspozuar ndaj kamerave. Si përherë, autorët janë të kujdesshëm dhe në këtë rast ndodhi si në krimet e mëparshme”.

I riu për të cilin ka dyshime se mund të jetë përfshirë në prishje të pazareve të drogës, ndërsa jo pak herë është pyetur në komisariatin e Vlorës për disa ngjarje, sipas prokurorisë ka të dhëna se ruhej dhe ishte mjaft i kujdesshëm. Por policia këmbëngul jo zyrtarisht, se nuk kishte të dhëna as në rrugë operative dhe as nga burime të hapura për një konflikt të mundshëm.

Identifikohet makina, por targat janë të vjedhura

Burimet e Gazetasi.al, tregojnë se në shpërthimin e fundit ka dyshime që një person, pasi ka parkuar makinën, shfaqet duke lënë diçka në afërsi të vendit ku ndodhi ngjarja.

“Makina është identifikuar, por targat janë të vjedhura në qytetin e Lushnjës dhe mjeti gjithashtu”, – tha eksperti kriminalist për Gazetasi.al.

Veprimet hetimore janë bazuar tek një kamera sigurie që tregon këtë skenë, ndërkohë që makina më vonë është gjendur e djegur.

“Jemi të bindur se një tjetër ka pritur shënjestrën, sepse shpërthimi ka ndodhur, pasi është gjetur makina e djegur”, – thotë policia për Gazetasi.al, duke premtuar se është në rrugë të mbarë dhe drejt zbardhjes së krimit.

Ndërkohë, i riu shumë pranë shtëpisë së tij, drejtohet për nga garazhi, kur pranë tij, një re tymi tregon se sapo ka ndodhur një atentat.

Vlora, asnjë ngjarje e zbardhur

Padyshim që sa herë përmendet eksplozivi, si ngjarja më e rëndë përmendet ajo që i mori jetën një gjyqtari, një dosje kjo që aktualisht i është kthyer për veprime policisë lokale të këtij qyteti dhe që nuk ka asnjë veprim që do të çonte tek autorët.

Por të tjera ngjarje me eksploziv janë në sirtarë dhe të pazbardhura në këtë qytet. Kur Renato Abazi u hodh në erë duke gjetur vdekjen e menjëhershme në lagjen “Pavarësia”, nga efekti i shpërthimi tre të tjerë mbetën të plagosur.

Duke u bazuar tek skeda e viktimës, policia premtoi se do ta zbardhte shumë shpejt këtë krim dhe se kishte gjurmë në vendngjarje të tilla si kamerat, që shpesh kthehen në një justifikim, por ky krim i rëndë vijon të mbetet pa autor edhe pse u konsiderua i përmasave të një akti terrorist.

Edhe pse në prag të zgjedhjeve të vitit 2013 shpërthimi me tritol u konsiderua si kërcënim ndaj zyrtarit lokal të PD, Ardian Kollozi, kjo ngjarje u zbardh vetëm nga dëshshmitari i drejtësisë, Julian Sinanaj, i cili rrëfeu se ishte paguar 7.500 euro për të krijuar panik në qytetin e Vlorës.

Ashtu siç Gazetasi.al, ka sjellë për publikun në rastin e Julian Sinanajt, ai tregoi shumë ngjarje me lëndë plasëse, por shumica u arkivuan si të pabazuara.

Lëndës plasëse në këtë qytet nuk i kanë shpëtuar edhe njerëz të drejtësisë, si prokurori Dorian Tafili, i cili deklaroi pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, se “lënda plasëse që shpërtheu, i ishte vendosur për shkak të detyrës dhe nga njerëz që kishin mbështetje politike”, por edhe kjo ngjarje mbeti pa autor dhe vijon e tillë.

Me lëndë plasëse tritoli, u ekzekutua në rrugën “Transballkanike” edhe Isuf Brahimaj, i cili u hodh në erë teksa po udhëtonte me makinën e tij gjatë vitit 2014, kurse pasagjerja që gjendej në mjet u dëmtua rëndë.

Ngjarja pa autor dhe pa asnjë pistë të provuar, edhe pse viktima njihej si biznesmen dhe me të kaluar të diskutueshme në krim, vijon të jetë e tillë, ashtu si edhe ajo ndaj të vëllait disa vjet më vonë, të cilit iu vendos tritol në makinë, por që nuk shpërtheu.

E zgjuar nga shpërthime tritoli dhe C4, herë pas here si në rastin e biznesmenit A.Alushaj, që humbi gjymtyrët, apo pa asnjë frikë nga autoritetet si në hedhjen në erë të 25-vjeçarit Ines Hajrulla, që sërish humbi gjymtyrët, këto dosje vijojnë të jenë një sfidë për policinë e po ashtu një test që asnjë nga zyrtarët në këto dhjetë vite nuk e kaloi.

“Policia e këtij qyteti, vijon të trukojë me histori të papërfillshme, si vjedhja e energjisë, lojërat e fatit, gjobat për tejkalim shpejtësie apo ndërtimet e paligjshme. Nuk është marrë asnjëherë seriozisht me krimin e organizuar”, – thotë një avokat, i cili trajton një nga dosjet më të forta të pronave të Karaburunit dhe që sipas tij, krimi në këtë qytet gjendet midis drogës dhe mafies së tokave.

Por

Por nuk bëhet fjalë vetëm për njerëz të krimit që kapërcyen në biznes. As për njerëz të drejtësisë. Mesazhet me tritol në këtë qytet, ndonjëherë janë edhe për nëpunës të thjeshtë apo qytetarë të tjerë. Në vitin 2018, një zyrtar policie kujtoi shpërthimin me tritol pranë një parukerie në këtë qytet.

“Ishte një ngjarje e ndodhur në rrugën “Isa Boletini” dhe ka ndodhur diçka në vitin 2018, për të cilën nuk u gjetën autorët, teksa qytetarja me profesion estetiste, nënvizoi se nuk kishte asnjë problem apo konflikt”.

Në këtë çështje, edhe pse policia e prokuroria u fokusua në jetën personale të së resë, nuk zbuloi asnjë autor, ndaj autoriteteve u mbeti në fuqi dyshimi se në këtë rast, tritoli ishte mesazh për ndonjë nga të afërmit e vajzës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë