Mode

Të veshurit më mirë në turneun e tenisit Wimbledon 2019

Sigurisht që qëllimi i turneut të Wimbledon është tenisi, por përsëri ai mbetet larg temës kryesore të diskutimit. Ndërsa atletët konkurrojnë për trofeun e kampionit, të ftuarit përpiqen të marrin titullin e të veshurit më mirë. Në të shkuarën, kjo do të thoshte ti përmbaheshe një kodi veshjeje ku burrat duhej të shfaqeshin me kostume ndërsa gratë me fustane serioze, por këtë vit një frymë e re të ftuarish po i kthen rregullat përmbys. Qoftë thyesja e rregullave mbretërore, Meghan Markle, e cila shkoi të shihte shoqen e saj Serena Williams të ndeshej kundër Kaja Juvan dhe mbante veshur një palë xhinse të ngushta dhe një xhaketë sportive me mëngë të gjata nga L’Agence, apo Sienna Miller e cila me kostumin nga Ralph Lauren tërhoqi të gjithë vëmendjen në ditën e 7-të të turneut dhe padyshim që përcillte një ndjesi rinie.

Ndërsa të ftuarit ndjenë se kishin më shumë fuqi të thyenin traditën, stili që ata kanë përdorur është bërë shumë interesant. Janelle Monae e filloi lëvizjen për ndryshim që ditën e parë ku u shfaq e veshur me një kostum dy pjesësh nga Thom Browne dhe një kapele postieri në ngjyrë të kuqe. Protagonistja e filmit ‘Luther’, Ruth Wilson kishte zgjedhur një fustan me vija nga Hellessey për ditën e tetë dhe kishte zgjedhur ta shoqëronte me një palë syze të kuqe.

Me një pallto Burberry dhe një fustan të hollë të mbushur me lule nga Chloe, Charli XCX pati një miksim printimesh, ndërsa Adwoa Aboah vendosi të shfaqej sa më thjeshtë me një pallto ngjyrë kremi dhe një bluze Nike.

Një vështrim mbi veshjet më të mira të turnet të cilat janë në fotot më poshtë, ilustron një energji të re stili dhe një drejtim të ri veshjesh të tenisit modern.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë