Rekomandimet e reja nga ekspertët e shëndetit në SHBA se qytetarët e vaksinuar duhet të mbajnë maska ishte një lajm befasues. Ata thanë gjithashtu se kishin konstatuar se njerëzit që kishin bërë vaksinat mund të mbanin të njëjtën sasi virale në trup nëse infektoheshin sa ata që ishin të pa vaksinuar.
Në logjikën epidemiologjike kjo do të thotë se ata mund jenë përhapës të sëmundjes dhe të detyrohen të mbajnë maska në ambiente të mbyllura.
Por Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve nuk e publikuan studimin e ri nga ku dilnin këto sugjerime. E si pasojë disa shkencëtarë kanë kërkuar që të tregojnë të dhënat.
“Ata po pretendojnë se njerëzit të vaksinuar dhe të pavaksinuar kanë nivele të ngjashme të ngarkesës virale nëse preken nga Delta, por askush nuk e di se çfarë do të thotë kjo. Nuk ka kuptim nëse nuk shohim të dhënat,” tha Gregg Gonsalves, një profesor në Shkollën e Shëndetit Publik Yale.
Kur drejtoresha e CDC Rochelle Walensky u foli gazetarëve të martën, ajo citoi “të dhënat e reja shkencore” por dha detaje të kufizuara rreth mënyrës se si u bë kërkimi. Ajo tha se të dhënat vijnë nga hetimet e shpërthimit, në të cilat studiuesit krahasuan infektimet nga varianti Delta midis njerëzve të vaksinuar dhe të pavaksinuar. Për shkak se testet treguan nivele të ngjashme të virusit tek personat e vaksinuar dhe të pa vaksinuar, CDC arriti në përfundimin se varianti Delta mund të transmetohet nga njerëz me ngarkesë të lartë virale.
“Unë mendoj se implikimet e të dhënave janë se njerëzit që janë të vaksinuar, edhe kur janë asimptomatikë, mund të transmetojnë virusin, i cili është themeli shkencor pse po bëhet ky rekomandim,” Anthony S. Fauci, këshilltari kryesor mjekësor i administratës Biden në një revistë për gazetën “The Washington Post”.

Por Fauci vuri në dukje se ende nuk ka të dhëna klinike se çfarë nënkuptojnë ngarkesat e larta virale për sa i përket transmetimit të sëmundjes. Tre zyrtarë të lartë të administratës që folën në kushte anonimiteti për mediat duke përshkruar diskutimet e brendshme thanë se kërkimi i ri i bindi zyrtarët shëndetësorë se ishte koha për të përditësuar udhëzimet e CDC. Kur shkencëtarët krahasuan ngarkesat virale në individët e vaksinuar dhe të pa vaksinuar të infektuar me një variant të mëparshëm të virusit (ALFA), i cili ishte dominues në pranverë, kishte dallime të konsiderueshme në sasinë e virusit tek çdo individ.
CDC nuk iu përgjigj pyetjeve të Mërkurën nëse mbështetej në burime të jashtme të të dhënave. Komuniteti mjekësor dhe shkencor në përgjithësi ka miratuar ndryshimin në udhëzimin e CDC për mbajtjen e maskës. Disa organizata dhe ekspertë të shëndetit publik janë shprehur se CDC duhet të kishte monitoruar më mirë situatën duke përcaktuar se cilat komunitete kishin transmetim të lartë të virusit dhe të merrej masa vetëm për ato komunitete.

Pyetja në lidhje me ngarkesat virale është ndër shumë të panjohurat që ka ky virus, duke përfshirë edhe faktin nëse luan rol në rritjen e shpejtë të rasteve.
“Nëse shohim se masat janë përsëri të nevojshme, atëherë kuptojmë se efikasiteti i vaksinave po ulet dhe variantet e virusit po bëhen më dominuese. Kjo gjë nuk duhet të anashkalohet,” ka thënë Robert Wachter, kryetar i Departamentit të Mjekësisë në Universitetin e Kalifornisë në San Francisko.
Në varësi të situatës ekspertët janë të shqetësuar për faktin se varianti i radhës nga covid-19 mund të shmangë edhe vaksinat.
Ministria e Shëndetësisë në Singapor kohët e fundit zbuloi se tre të katërtat e rasteve të koronavirusit në katër javët e fundit ishin tek njerëzit që ishin vaksinuar plotësisht ose pjesërisht, shumica pa simptoma ose të lehta. Dhe në Indi, punonjësit e kujdesit shëndetësor të vaksinuar ishin mbartës të një ngarkese të lartë virale kur infektoheshin me variantin Delta sipas një studimi nga Universiteti i Kembrixhit.
Hulumtimi i shkencëtarëve kinezë i postuar në internet tregon se ngarkesa virale nga Delta është 1.000 herë më e madhe se ajo e zbuluar në variantet më të hershme të virusit. Zëdhënësi i CDC Kristen Nordlund tha të mërkurën se agjencia kryen studime gjatë gjithë kohës për të marrë vlerësime të efikasitetit të vaksinave që shpesh përfshijnë dhjetëra mijëra njerëz. /The Washington Post/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje