Irena Beqiraj

Të tillë i duam politikanët!


E keni vënë re që shpesh nëpër bisedat tona për politikanët një pyetje është gjithmonë prezente: Po si ka mundësi që janë në këtë derexhe? Në kërkim të një përgjigjeje, ndërmora një kërkim të vogël dhe po ndaj me ju çfarë mësova.
Arsyeja 1: Publiku pëlqen njerëzit e sigurt në vete!
Efekti “Dunning-Kruger”, tregon se njerëzit jointeligjentë janë jashtëzakonisht të sigurt në vete. Njerëzit inteligjentë nuk tregojnë kurrë siguri. Vetëvlerësimi është një aftësi e dobishme meta-konjuktive, edhe si e tillë kërkon inteligjencë. Pa inteligjencë është teknikisht e pamundur për të bërë një vlerësim real të aftësive të tua.
Prandaj nëse kërkon dikë të përfaqësojë partinë, kurrë nuk mund të zgjidhet një inteligjent, pasi inteligjenti është i bekuar nga dyshimi dhe si i tillë është plot pasiguri. Pasiguria nuk i pëlqen publikut.
Arsyeja 2: Publiku pëlqen gjërat e thjeshta.
Për njeriun ndjenja e pjesëmarrjes në mënyrë aktive, qoftë edhe në të kuptuarin e një çështjeje të caktuar, është një motivues i fuqishëm. Nëse një njeri i ditur ia nis me fjalë të mëdha teknike rreth normave të interesit ose menaxhimit të deficitit buxhetor, kjo do “t’i largojë” gjithë njerëzit që nuk arrijnë të ndjekin ose që nuk kuptojnë gjëra të tilla. Ndërsa, nëse një individ edhe pse profan, por i sigurt, artikulon zgjidhjet e thjeshta edhe pse nuk e kupton se çfarë artikulon, ai duket shumë tërheqës.
“Ligji i Parkinsonit” e shpjegon këtë. Njerëzit shpenzojnë më shumë kohë dhe përpjekje për gjëra të parëndësishme, por që i kuptojnë. Përgjithësisht, njerëzit nuk duan të përballen me çështje që nuk i kuptojnë. Vetëm një njeri jointeligjent nuk ka limite, edhe si i tillë është i pajisur me guximin që të shpjegojë e ndajë çështje komplekse në histori të shkurta dhe të pavërteta, duke u bërë kështu një rekordmen votash.
Arsyeja 3: Publikut i pëlqen ngjashmëria.
Mark Granovetter, tek shpjegon “Modelin e Pragut të Sjelljes Kolektive” tregon se shumica e njerëzve janë të prirë drejt paragjykimeve, stereotipizimeve dhe preferojnë “të ngjashmit” e tyre. Asnjë nga ndjesitë e mësipërme nuk është logjike dhe pa ndryshim nuk mbështetet nga provat apo realiteti. Askujt nuk i pëlqen të ndihet inferior ndaj askujt. Si rezultat, nëse një individ më inteligjent “sesa pragu” është duke thënë gjëra të komplikuara që përmbajnë fakte të pakëndshme apo në kundërshtim me paragjykimet e zakonshme të publikut edhe pse të sakta apo të drejta, krijon një ndjenjë inferioriteti dhe kjo e bezdis publikun. Një politikan nuk mund të jetë kurrë sfidues i njohurive, apo mënyrës kolektive të menduarit. Nëse thoni gjëra të thjeshta, veprimet dhe fjalët tuaja mbështesin pa ekuivok paragjykimet edhe ndjesitë e publikut, jeni duke respektuar pragun e sjelljes kolektive dhe përfundimisht jeni një politikan “par excellence”.
Thënë të gjitha këto, politika nuk është më çështje e “gjetjes së zgjidhjeve më inteligjente” sikurse të gjithë supozojmë, por është thjeshtësisht “çështje e marrëdhënieve me publikun ose populiste”.
A është kjo një situatë fatkeqe? Aspak! “Gjendja” e politikanëve është vetëm produkt i mbështetur në mënyrën sesi mendjet e njerëzve punojnë.
Natyrisht që ka shumë më tepër se këto që përmenda këtu, por meqë dua të lexohem më duhet ta “THJESHTOJ”.


Copyright © Gazeta “Si”