Gazeta Si- Një punonjës policie, Novrus Cenaliaj, 28 vjeç, i cili po shkonte për të marrë shërbimin, është vrarë me armë zjarri nga një person gjatë një konflikti të çastit në fshatin Baltëz të Fierit.
Cenaliaj, efektiv i forcës së posaçme “Shqiponja”, ishte duke shkuar për të marrë shërbimin kur u qëllua me armë zjarri.
Ai mbante në ato momente veshur uniformën e policisë. Autori i dyshuar i kësaj ngjarje është Azgan Mërnica, 23 vjeç, i cili është shpallur në kërkim.
Në një njoftim për mediat, policia thotë se kushdo që ka informacion, të telefonojë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin. Për çdo informacion të vlefshëm, Policia e Shtetit vë në dispozicion shpërblimin 30.000 euro.
Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Reparti Special “RENEA”, të cilat kanë rrethuar zonën dhe vijojnë punën për kapjen e autorit, tashmë të identifikuar.
Edhe pse policia thotë në njoftimin e saj praprak se bëhet fjalë për një konflikt çasti, burime thonë se viktima dhe autori janë nga Kukësi dhe ngjarja dyshohet se ka ndodhur për motive gjakmarrjeje.
Ekzekutimi i tij, besohet se është kryer për motive gjakmarrjeje, pasi disa vite më parë babai i tij, ka kryer një vrasje në zonën e Hasit.
Sipas asaj që mësohet, në vitin 1997, babai i efektivit raportohet se në kushtet e vetëmbrojtjes, ka vrarë në qendër të Hasit një person i konsideruar i rrezikshëm dhe problematik.
Megjithatë të gjitha këto janë të dhëna paraprake dhe do të jenë hetimet e policisë ato që do të hedhin dritë mbi këtë vrasje. Raportohet po ashtu se edhe babai i 28-vjeçarit është pjesë e forcave të policisë po në Fier.
Drejtori i Policisë së Fierit, Lorenc Panganika, mohon pistën e gjakmarrjes. “Siç jeni vënë në dijeni, rreth orës 13:20 policia ka marrë njoftimin për një ngjarje të rëndë. Fillimisht u raportua si plagosje me armë zjarri, pas verifikimit rezultoi se ka ndërruar jetë polici Novruz Cenalia 28 vjeç, i cili punonte në policinë e Fierit prej 4 vitesh dhe në forcat “Shqiponja” prej afro dy vitesh. Autori është Azgan Mërnica, banues në Sulaj. Jemi duke punuar intensivisht për të kapur autorin. I bëj thirrje familjarëve të autorit, të vetëdorëzohet”, – tha ai në një deklaratë për mediat.
Panganika mohoi pistën e hakmarrjes për vrasjen, duke thënë se aktualisht dyshohet për konflikt çasti.
“Pista kryesore është konflikt i çastit, nuk ka lidhje me këto që janë ngritur, për probleme hasmërie. Edhe makina e autorit është gjetur”, deklaroi ai.
“Fier/Informacion paraprak: Rreth orës 13:15, në fshatin Baltëz, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi A. M. ka vrarë me armë zjarri shtetasin N. C., punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e Policisë, pasi shkonte për të marrë shërbimin”, – thuhet në njoftimin e policisë.
Grupi hetimor dhe drejtues të Departamentit të Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.”, thuhet në njoftimin e Policisë së Fierit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.