Ka ndodhur

Të shtëna me armë në Laç, qëllohet ndaj makinës së një punonjësi policie. Dyshohet se iu bë pritë

Gazeta Si - Një punonjës policie është sulmuar me armë mëngjesin e kësaj të hëne në Laç teksa ka qenë duke udhëtuar me automjet për të shkuar në punë.

Sipas policisë, kanë qenë dy persona të paidentifikuar që kanë qëlluar me armë zjarri drejt makinës së policit.

Efektivi i është kundërpërgjigjur gjithashtu me armë. Nga të shtënat mes palëve nuk ka persona të lënduar.

Sqarimi i i policisë:

"Rreth orës 21:00, të mbrëmjes së kaluar, punonjësi i Policisë, shtetasi Dhurim Mitku 23 vjeç, banues në Laç, me detyrë inspektor i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Lezhë, ka kallëzuar se sapo ka dalë nga banesa, për në punë, me automjet privat, ka parë në rrugë, në vendin e quajtur “Rruga e Sanxhakut”, 2 shtetas të armatosur, të cilët sipas dëshmisë së 23-vjeçarit, sapo e kanë parë atë, kanë qëlluar me armë zjarri, në ajër.

Në një situatë të tillë, punonjësi i Policisë është kundërpërgjigjur, duke qëlluar nga brenda automjetit të tij, me armën e shërbimit. Nga të shtënat nuk është dëmtuar asnjë shtetas.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, si dhe është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po punon intensivisht, në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për të fiksuar çdo provë qe do të çojë në sqarimin e rrethanave dhe të mekanizmit të ngjarjes, si dhe në zbardhjen e së vërtetës mbi këtë rast.

Aktualisht, nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se është dëmtuar automjeti i punonjësit të Policisë, nga qitjet me armë zjarri të kryera nga vetë punonjësi, nga brenda automjetit. Në vendngjarje nuk konstatohen gëzhoja, gjurmë apo prova të tjera materiale që mund t’iu përkasin shtetasve të kallëzuar nga punonjësi i Policisë. Me qëllim hetimin e plotë të rastit dhe sqarimin e rrethanave të tij, te grupi i posaçëm hetimor është përfshirë dhe struktura vendore e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore".

Pak ditë më parë në fshatin Prush të Tiranës, disa persona të armatosur tentuan të grabisnin një banesë, duke hasur në rezistencën e familjarëve.

Pasi ata njoftuan policinë, grabitësit u përballën me efektivët, ku njëri prej tyre pati edhe një përleshje fizike, por pa mundur t’i neutraizojë.

Gjatë largimit të tyre, të ndarë në dy grupe, grabitësit qëlluan me armë zjarri ndaj policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë