Njerez

Të ruajmë mendjen më shumë se sa të ruhemi nga Covid-19

Dy vetëvrasje të pacientëve me Covid-19 në një kohë të shkurtër në spitalin "Shefqet Ndroqi", tregojnë anën e rënduar psikologjike të personave që e kalojnë sëmundjen, të cilët pavarësisht trajtimit mjeksor kanë nevojë edhe për mbështetje psikologjike.  

Psikiatri Neli Demi i tha Gazetës "Si" se çdo njeri i përjeton sëmundjet në një mënyrë të caktuar, në bazë të burimeve psikologjike dhe emocionale që ka në dispozicion.
"Njerëzit që kanë një predispozitë të shtuar, që më përpara mund të kenë pasur probleme të ankthit, të depresionit, apo probleme të tjera psikologjike dhe psikiatrike, sigurisht që mund të përjetojnë një problem, përfshirë këtu edhe sëmundjet fizike, në një mënyrë intensive, aq më shumë kur bëhet fjalë për një sëmundje ngjitëse si Covid-19", shprehet psikiatri.

Psikiatri Neli Demi

Ndërsa Sociologu Gëzim Tushi i shikon këto dy vetëvrasje si një moment thelbësor për një vështrim të ri strategjik dhe taktik në trajtimin nga këto institucione që do të thotë se krahas ekipeve spitalore, si mjekëve, infermierëve dhe medikamenteve, do të duheshin edhe ekipe të tjera që kanë të bëjnë me mendjen dhe shpirtin, për ta përballuar këtë situatë.

"Natyrisht nuk është kollaj të jetosh me sëmundjen e rrezikshme, të jesh në një gjendje të izoluar dhe në vetmi apo me njerëz që herëpashere humbin jetën. Doemos që këto krijojnë një situatë ankthi dhe dëshpërimi, megjithatë është detyra e institucioneve spitalore që të kenë pranë tyre jo vetëm mjekë por edhe psikologët, psikologët klinikë të cilët duhet të ndihmojnë pacientin," shpjegon Tushi për Gazetën "Si".
Këto ngjarje pa dyshim kanë tronditur shoqërinë dhe kanë sjellë një stres të shtuar te individët.
Sipas Tushit, dy rastet duhet ta bëjnë shoqërinë të kuptojë që situata me virusin Covid-19 nuk është shaka, por është serioze me rreziqe ekzistenciale dhe kjo do të thotë që duhet të kemi shumë kujdes me institucionet spitalore, ku mesa duket nuk mjafton vetëm trajtimi medikamentoz dhe i ekspertëve të shëndetësisë, por duhet edhe trajtimi shpirtëror edhe mendor.

Sociologu Gëzim Tushi

Psikiatri Demi shton se sëmundje të tilla mund të rëndojnë gjendjen psikologjike edhe më shumë.
"Duke e pasur parasysh këtë gjë, sigurisht që të gjithë profesionistët që janë në fushën e mjekësisë dhe merren me trajtimin e personave të cilët janë të infektuar nga Covid-19, duhet të përdorin të gjithë njohuritë e tyre. Në këtë fazë duhet të punojnë specialistët e psikiatrisë apo psikologjisë për të parandaluar rëndimin e gjendjes psikologjike, sepse ky përkeqësim mund të sjellë pasoja të tilla tragjike siç ishte vetëvrasja e personit," thekson psikiatri.
Edhe eksperti i shëndetit publik në Londër Laidon Shapo, në një status në rrjetet sociale, thekson se është momenti kyç tani për të marrë masa që të ndalojë ky fenomen.

"Një masë mëse e nevojshme është që të gjithë të shtruarit të plotësojnë një formular ku të vlerësohet gjendja fizike dhe shëndeti mendor. Kjo, si shtesë e anamnezës dhe të dhënave të kartelës nga mjeku i familjes për çdo pacient", shkruan Shapo.
Mjeku që është në betejën me Covid-19 në Britani, thotë se në literaturë ka raste sporadike të shfaqjes së shenjave të haluçinacioneve si pasojë e Covid-19, por sipas tij kjo ndodh tek personat me probleme mendore paraprake. 
"Kujdes me lajmet dhe informacionin, paniku dhe fokusi në ngjarje të tilla vetëm rëndojnë psiqikën e popullatës në këtë 'betejë' të gjatë me këtë virus dhe format dhe pasojat e shumta që ai le pas...," thotë ai.

Sociologu Ergys Mërtiri


Ndërsa sociologu Ergys Mërtiri e shikon rastin e një dite më parë si një fenomen individual që ka të bëjë jo vetëm me presionin psikologjik që shkakton sëmundja, por edhe me kushtet në spitale.
"Është vështirë të gjykojmë sepse nuk kemi informacionin e nevojshëm dhe ky është problemi. Mungesa e transparencës lë për të dyshuar. Spitali është shndërruar në një burg i sigurisë së lartë ku as familjarët nuk kontaktojnë dot me pacientët, të cilëve nuk u lejohen dot as telefonat. Jo vetëm kaq, por në shumë raste janë vetë mjekët që u sugjerojnë pacientëve të mos shkojnë në spital, por të kurohen në shtëpi, sado që mund të jenë në gjendje të rëndë", thekson sociologu.
Tepër e shqetësuar për këtë dukuri është edhe Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë, e cila me anë të një statusi në Facebook, thotë se edhe vetë personeli shëndetësor është i rrezikuar nga ky fenomen. "Pas pacientëve me Covid-19 radha e vetëvrasjeve mund të jetë e vetë personelit shëndetësor për shkak të mbingarkesës që kanë në punë dhe shërbimit që bëjnë ndaj pacienteve", thotë shoqata.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë