Mbi gjysma e të rinjve shqiptarë zgjedhin të jenë të punësuar në një kompani të madhe ndërkombëtare. Sipas raportit të “Deloitte”, “Hapat e Parë në Tregun e Punës 2020”, këto rezultate lidhen shumë me kulturën organizative të kompanive të huaja, të cilat kanë në fokusin e tyre zhvillimin dhe mbajtjen e kapitalit njerëzor dhe trajtimin e punonjësve si talente dhe asetin më të çmuar për ta.
Preferenca e dytë më e zgjedhur është biznesi personal, me 15.4%. Në kompanitë kombëtare do të punonin vetëm 9.6% dhe 3.2% nëpër start-up-e.
Nga i gjithë numri i të pyeturëve 83.6% janë të gatshëm të zhvendosen jashtë vendit për punë, ku vihet re një ulje e trendit sipas tyre, nga pandemia.
Edhe në nivel rajonal, të rinjtë do të ishin të gatshëm të zhvendoseshin jashtë vendit për shkak të punës.
E lidhur kjo edhe me dëshirën e tyre për t’u zhvilluar profesionalisht, për të përfituar përvoja të larmishme pune dhe jetësore, ky aspekt mund të konsiderohet si një karakteristikë e brezit Millennials, thuhet në raport.
Mundësia për t’u rritur në karrierë, si zgjedhja e parë
Kur zgjedhin një punëdhënës, faktori më i rëndësishëm për ta është mundësia për t’u rritur profesionalisht dhe në karrierë dhe kjo është zgjedhja e parë për 57% të pjesëmarrësve në vrojtim. Nuk është e re se faktori pagë vazhdon të jetë një faktor i rëndësishëm në këtë drejtim. Paga është më e rëndësishëm për grupmoshën 25-30 vjeç dhe për grupin e spektatorëve.
Ndërkohë për faktorët e tjerë, nuk ka dallime të qarta mes grupmoshave.
Niveli i preferuar i pagës
43.7 % janë shprehur se do të donin të fitonin 251 deri në 500 euro ne muaj. Në këtë kategori përfshihen pjesa më e madhe e pjesëmarrësve në vrojtim të grupmoshave 18-22 vjeç dhe 21-24 vjeç, të cilët janë në fillimet e karrierës së tyre profesionale.
Të punuarit në formë hibride, preferohet online
Me ardhjen e Covid-19 dhe masave që u morën nga qeveria për mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve, shumë kompani ashtu si dhe universitete u detyruan të përqafonin të punuarit/mësuarit në distancë. Kjo mënyrë e re pune solli edhe diskutimin më të madh që po haset lidhur me të ardhmen e punës. Pjesa më e madhe e jona përpara pandemisë njihte një mënyrë pune, atë nga zyra; gjatë pandemisë mësuam sesi të punonim nga shtëpia dhe sot, kur kemi pasur mundësi të jetojmë të dy mënyrat, diskutojmë sesi do të donim të ishte e ardhmja e punës: plotësisht në zyrë – formë hibride – apo plotësisht në shtëpi.
51.8% e të anketuarve u përgjigjën një ose dy herë në javë do të preferonin të punonin në distancë. Gjithashtu një numër i konsiderueshëm janë përgjigjur se preferojnë të punojnë më shumë se një javë në muaj në distancë (17.3 %).
Vlerësimi i pamjaftueshëm i nxit punonjësit të ikin nga puna
Elementi i fundit i cili plotëson profilin e të rinjve lidhur me punën janë edhe arsyet kryesore për të ndryshuar punëdhënës.
Të dhënat tregojnë se paga e ulët, nuk është vlerësuar si aspekti parësor nga pjesëmarrësit në vrojtim për ndryshimin e punëdhënësit. 47.4 % e tyre janë përgjigjur se mos-vlerësimi i punës së tyre është komponenti kryesor i cili do ti orientonte ata drejt marrjes së një vendimi për të ndryshuar punëdhënës;
17.6 % e tyre shprehen se pamjaftueshmëria e mundësive për zhvillim dhe rritje profesionale do i orientonte ata drejt kërkimit të varianteve të tjera dhe 11.9 % e konsiderojnë atmosferën e keqe dhe marrëdhëniet jo të mira në punë si shkaktarët kryesorë që çon në prishjen e marrëdhënies së punës.
Të gjithë këto elementë thërrasin për rëndësinë që duhet t’i kushtojnë bizneset në vend sistemit të vlerësimit të performancës së punonjësve dhe lidhjen e saj me skemat e shpërblimit dhe shtegun në karrierë, rekomandon raporti.
Vrojtimi me temë “Hapat e Parë në Tregun e Punës” është realizuar në muajt tetor-nëntor 2020, gjatë një periudhe pesë javore. Numri i studentëve dhe i të diplomuarve të cilët plotësuan vrojtimin arrin 1081, numër i cili shënon një rritje krahasuar me edicionet e kaluara (965 në vitin 2017, 259 në vitin 2015 dhe 79 në edicionin e vitit 2013).
Të rinjtë në Shqipëri janë grupmosha me norma të larta të pasivitetit ekonomik për shkak të dekurajimit, qëllimit për t’u larguar nga vendi apo arsye të tjera si shkollimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.