Treg

Të punosh pasi ke dalë në pension, mes dëshirës dhe hallit!

Sabina Veizaj - Artani nga Tirana më 20 qershor 2019 ka mbushur moshën 65 vjeç dhe 39 vite punë të siguruara në bazë të ligjit në fuqi. Por ai vazhdon të punojë ende në një kompani private.

Artani i është drejtuar një eksperti për t'i shtruar disa pyetje në lidhje me pensionimin e tij; “Kur dal në pension? A mund të vazhdoj të punoj edhe pas daljes në pension?”.
Sipas ekspertit, nga 36 vjet punë që i duheshin Artanit për pension të plotë, ai kishte 39 vjet punë. Dhe meqenëse Artani punon në një kompani private dhe ka një kontratë pune me kompaninë ku punon, mund të vazhdojë të punojë edhe mbi moshën e pensionit.

Nga data 20 qershor 2019, ditë në të cilën ai ka mbushur 65 vjeç, e në vazhdim, për çdo muaj që punon në kompaninë private, ai do të përfitojë 0,5% shtesë mbi pension.
Pasi të dalë në pension, ai do të përfitojë lejen e zakonshme dhe pastaj do të marrë pensionin dhe në qoftë se vazhdon të punojë në kompaninë private ku figuron aktualisht i punësuar, është i detyruar prapë të paguajë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Pra, Artani merr edhe pensionin edhe shtesat që i bëhen pensioneve me vendime qeverie, por do të marrë edhe pagën te kompania private, por do të paguajë kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore në mënyrë të detyrueshme sikur nuk ka dalë në pension.
Artani më tregoi se ka vendosur të vazhdojë të punojë duke paguar sigurimet sipas ligjit sikur nuk ka dalë në pension deri në momentin që nuk do të ketë më fuqi të punojë.
Ai më thotë se nuk e bën nga nevoja, pasi është në gjendje ekonomike të mirë, por nuk i rrihet pa punuar.

Por ky është një nga rastet sporadike të punëkërkuesëve në moshë pensionimi që punojnë për dëshirë e për tu zbavitur. Pjesa e tyre më e madhe, sipas agjencive të punësimit janë tejet nevojtarë.

Sipas agjencisë Puna.al, interesimi është shumë i madh nga personat që i përkasin grupmoshës 55 vjeç e sipër dhe për punë si sanitary, kamarierë.

“Personat e kësaj kategorie moshore janë të gatshëm të bëjnë çdo lloj pune sepse jane pa të ardhura. Roje, ndërtim, çfarë të jetë thonë.” –shprehet për gazetën “Si” një nga agjentet e punësimit të Puna.al Kërkoj punë duke shtuar se kërkesat janë nga të dyja gjinitë.
Agjentja më shpjegon se nga kërkesat që i drejtohen agjencisë duket që njerëzit janë në krizë për punë, duke nisur që nga të rinjtë deri tek personat e sëmurë me dializë.

“Por agjencitë kanë interes për mosha nën të 50 -tave dhe kanë kushte të rrepta, i duan të gjithë me eksperiencë. Askush nuk bën një vlerësim paraprak ose dhe tu japë mundësinë e adaptimit dhe trajnimit për punën që i pret .”- më shpjegon agjentja.

Kurse një prej agjenteve të Dua Punë thotë për gazetën “Si” se “personat që postojnë tek ne, janë nga të gjitha grupmoshat. Nuk kemi vënë re ndonjë trend në rritje të kërkesave të punësimit nga personat mbi 65 vjeç. Gjithashtu, kompanitë që postojnë në faqet tona në Facebook oferta punësimi, kërkojnë punëtorë të grupmoshave të ndryshme. Gjithsesi, numri i vizitorëve të faqeve tona mund të mos jetë mjaftueshëm i madh për të konfirmuar ose përgënjeshtruar statistikat e INSTAT.”

Ndërsa agjencia e punësimit Duapunë.com, me eksperiencë disa vjeçare në treg, e cila gjeneron statistika të brendshme për efekt studimi të akitivitetit të vet dhe jo vetëm, tregon për Gazetën “Si” se indeksi i kërkesave të punësimit ka njohur rritje të madhe që prej korrikut 2014.

Referuar kërkesave sipas grupmoshave, 35-44 vjeç përbëjnë 15,8 % të punëkërkuesve, 45-54 vjeç 27%, mosha mbi 55 vjeç përbën 1,5%.

Por sipas Institutit të Statistiakve pjesëmarrja e pensionistëve në tregun e punës është kthyer në fenomen vitet e fundit, për shkak të pensioneve tejet të ulta që nuk përballojnë dot kërkesat bazike të jetës, por gjithashtu ka ndikur në këtë fenomen edhe jetëgjatësia e shëndetshme.

Sipas INSTAT forca e punës (persona të punësuar ose në kërkim të një pune) arriti në 1,414,757 persona në fund të tremujorit të parë 2019 dhe 58 mijë e 302 prej tyre ishin mbi 64 vjeç. Nga këto 57,892 janë në punë dhe 410 janë në kërkim të punës.
Krahasimisht me vitin e kaluar, rreth 6000 mijë pensionistë u përfshinë në tregun e punës në tremujorin e parë.

Pjesëmarrja e pensionistëve në tregun e punës është dyfishuar nga viti 2015 ku 28,283 u përfshinë në forcën e punës.

Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, numri i pensionistëve arriti në 635,700 persona vitin e kaluar.

Në skemë janë shtuar 14 mijë e 500 pensionistë të rinj, duke bërë që numri i pensionistëve të zgjerohet me 2.3 për qind në raport me një vit më parë.

Në harkun kohor të gjashtë viteve, numri i pensionistëve u rrit me 14.36% ose 87,133 persona. Në vitin 2010, statistikat zyrtare të ISSH-së raportonin 543,053 pensionistë, ndërsa në fund të vitit 2018, u raportuan 635,700 të tillë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë