Ngjarje

Të premten pritet moti i keq, ndalohet dalja në det e mjeteve lundruese në Vlorë e Sarandë

Mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit nuk do të lejohen të dalin në det të hapur nga pasditja e së premtes, pasi Kapitenerit e e Porteve Vlorë dhe Sarandë kanë vendosur kufizime për shkak të përkeqësimit të motit në det.

Sipas njoftimit të autoriteteve portuale, ndalimi do të jetë në fuqi nga ora 14:00 e datës 24 korrik deri në orën 06:00 të 25 korrikut dhe prek mjetet dhe skafet që operojnë jashtë gjirit të Vlorës, si edhe në zonat, Dhërmi-Himarë Borsh dhe Ksamil.

Parashikimet flasin për erë në drejtimin very-veriperëndim me forcë deri në 6-7 ballë, ose 15–25 metra në sekondë, ndërsa dallgët pritet të arrijnë lartësinë nga 1.5 deri në 3.5 metra.

Për mjetet e vogla që lundrojnë brenda gjirit të Vlorës nuk ka ndalim, por Kapiteneria u kërkon drejtuesve të tregojnë kujdes të shtuar për shkak të kushteve të vështira në det.

Njëkohësisht, subjekteve që ushtrojnë aktivitet detar u është kërkuar të marrin masat e nevojshme, të sigurojnë mjetet në port dhe të mbajnë në gatishmëri ekuipazhet.

Ndërkohë, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vijojnë lundrimin normalisht sipas itinerareve të planifikuara.

Sipas Kapitenerisë së Portit Vlorë, kushtet në det pritet të përmirësohen pas orës 06:00 të së shtunës, 25 korrik.

Parashikuesit europianë të motit kanë ngritur nivelin e rrezikut për Italinë juglindore, Detin Jon dhe zonat përreth, për shkak të mundësisë për breshër të madh deri shumë të madh, erëra shkatërruese, reshje intensive, si edhe tornado të izoluara, veçanërisht në zonat bregdetare.

Sipas parashikimit, gjatë mbrëmjes dhe natës pritet që një sistem i fuqishëm stuhish të zhvillohet mbi Italinë Qendrore dhe Adriatik, për t’u zhvendosur më pas drejt jugut. Ky sistem pritet të prekë rajonin e Pulias dhe më pas brigjet lindore të Detit Jon, duke përfshirë edhe brigjet jugperëndimore të Shqipërisë dhe perëndimin e Greqisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë