Ngjarje

Të ngjashëm fizikisht, policia në hall, nuk zbulon dot cili prej tyre është i kërkuari

Dy vëllezër identikë me njëri-tjetrin, njëri prej të cilëve në kërkim dhe tjetri i rregullt me ligjin e kanë ngatërruar aq keq policinë dhe një seri sektorësh të zbulimit, sa një sërë aksionesh për kapjen e problematikut janë mbyllur përherë me ndalimin e “të rregulltit”. Sipas një burimi të gazetës Si operacioni më i fundit me agjentë të infiltruar dhe agjentë vëzhgimi u krye gjatë pandemisë. Në një plan të detajuar policia shpërndau shërbimet e civilëve pohon një burim zyrtar i gazetës Si, me bindjen se i kërkuari E. S, 29 vjeç banonte në kryeqytet dhe madje ai qarkullonte lirshëm me një mjet luksoz tip Range Rover, në ngjyrë të zezë. Burimet shtojnë se informatorët treguan se i kërkuari për çështjen të trafikut të 1 toni hashash po jetonte në të njëjtën lagje ku banon edhe familja e tij. Me këtë rast  agjentët e infiltruar civile dhe të vëzhgimit raportojnë pas vendosjes së shërbimeve “një person me të zeza, me karakteristika si shtetasi E.S. doli në orën 17.40. Duke qenë civil u njoftua një patrullë policie për të ndaluar mjetin”.

Por siç bëhet me dije nga burimet e gazetës Si në postblloqet në dukje rutinore, policët kanë ngritur tabelën “NDALO”, ndërsa mjeti civil i një agjenti bënte me shenjë kërkesën për të mos u larguar.

Në radio më pas, sipas burimeve të gazetës Si raportohet mbi reagimin e personit për të cilin dyshohej se ishte i kërkuari. “Në momentin që ky person  vëren makinat e shumta dhe shenjat policore ai kryen manovrat e rrezikshme, duke rrezikuar jetën e efektivëve në rrugët e lagjes. Shërbimet iu vënë në ndjekje mjetit, i cili u gjet i braktisur, ndërsa drejtuesi ishte larguar në rrugica. Mjeti u dërgua nga oficerët në polici dhe gjatë kontrolleve nuk u gjet asgjë e jashtëligjshme”.

Burimet zyrtare të gazetës Si zbulojnë moment pas momenti surprizën me të cilën u ndeshën oficerët që vijuan me veprime të tjera. Por që nuk ishte aspak çfarë ata prisnin, pra nuk ishte i kërkuari, por një individ tjetër, shumë i ngjashëm me të dhe me të cilin ata ishin ndeshur dhe herë tjetër. “Personi që nuk iu bind policisë nuk ishte i kërkuari E.S. por vëllai i tij S.S. që ka të njëjtat karakteristika, të njëjtin stil dhe të njëjtën ecje si i vëllai”, shkruajnë oficerët të zhgënjyer dhe duarbosh. Ndërkohë dëshmitarët okularë, një sërë kamerash sigurie që tregojnë itinerarin e qytetarit që ju arratis policisë vërtetojnë se bëhej fjalë për vëllain tjetër, atë të mirin.

Provat si u zbulua sozia

Një zyrtar i gazetës Si tregoi në anonimitet se si hap të parë, u administruan të dhënat nga e gjoba dhe dokumentacioni për mjetin Range Rover. “Kjo makinë rezulton në pronësi të shtetasit G. N, i cili pasi ka firmosur kontratën e blerjes nga M.S dhe pasi nuk kishte shumën e duhur për ta paguar, ai u bë vetëm pronar me letra pasi në përdorim vazhdonte të ishte nga ish pronari”, thotë njëri nga burimet e gazetës Si.

“Nuk e njoh se kush është E. S dhe as që e di se ku ndodhet pronari i vërtetë i automjetit, im atë më këshilloi të paraqitesha në polici e ta sqaroja problemin, por kisha punë, - deklaroi në polici i riu të cilit iu kërkua llogari për automjetin që i lodhi agjentët për disa minuta në ndjekje nëpër rrugët e kryeqytetit.

Por ndërkohë një qytetar tjetër që kishte të drejtën me akt noterial për ta përdorur mjetin paraqitet në polici sipas urdhrit të agjentëve. “Shoku im quhet A. K dhe ma kërkoi mjetin për të shkuar me pushime në Dhërmi dhe do kthehej të dielën. Më telefonoi dhe më tha hajde merre makinën tek lagjja”.  

Shumë të tjerë janë pyetur dhe aty rezulton se si A. K mori me pushime edhe shokun e tij S.K, që është vëllai pa probleme dhe që për fatin e tij  ngjan jashtë mase vëllait të kërkuar dhe që kur ishin kthyer në Tiranë ja kishte lënë mjetin sa për një xhiro dhe se i kishte shkruar në një moment “hajde më sill çelësat”.

Dëshmitarë të shumtë në lagje u pyetën nga policia më pas dhe madje edhe vëllai i rregullt. S. K që do të hetohet për kundërshtim të tabelave të policisë.

Një fqinj tregon se kur doli mjeti range rover dy persona e urdhëruan “mos lëviz .. a ke lidhje me fuoristradën”. Dëshmitari kujton se mohoi njohjen dhe se u kishte bërë me shenjë oficerëve nuk e di kë kërkoni ju”.

Vëllai i rregullt u paraqit nga polici dhe tregoi se si u largua nga frika dhe nga çoroditja dhe nga lodhja e keqkuptimeve me policinë.

“Një makinë benz u afrua në krah dhe bëri me shenjë të ndaloja, uli shpejtësinë dhe në atë moment u afrua edhe një person tjetër. U tensionova dhe i dhashë gaz makinës”, dëshmon vëllai i rregullt.

Policia i radhit këto fakte dhe dëshmi duke u bazuar tek kamerat e sigurisë dhe përshkrimet, por edhe tek një mesazh që pas braktisjes së makinës vëllai i të kërkuarit i dërgon shokut që zotëronte range rover. “Unë e çova mesazhin tek shoku pasi u kujtova që në makinë kisha harruar çelësat e shtëpisë”, rrëfehet vëllai i të kërkuarit.

Ai shkruan në WhatsApp gjatë këqyrjeve të telefonit të tij dhe menjëherë pasi ishte larguar.

-O bobe shiko, thuj R mos i vete njeri tek shtëpia. Se më erdhën këta për tmë arrestuar, lashë makinën dhe ika me vrap.

Agjentët e pyesin vëllain e rregullt në procesverbalin që gazeta Si disponon.

Agjenti: a mund tna thoni se kujt ja keni dërguar këtë mesazh dhe kush  është R?

S. K - Ja dërgova shokut, që të njoftonte për makinën e braktisur. Mbaj mend që në kroskot pashë letrat që i përkisnin G.N dhe di që babai i tij quhet R, – mbyll deklaratën i riu që siç kuptohet nuk është hera e parë që për shkak të ngjashmërisë me të vëllain, i kanë ardhur në majë të hundës postblloqet dhe ndjekjet policore dhe ndaj e ka provuar edhe njëherë të ngjajë si vëllai i kërkuar, të bëhet disi problematik si ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë