Biznes

‘Të ndryshohet tatimi për paratë që do të deklarohen’. Çfarë sugjeruan bizneset që s’janë kundër Amnistisë

Nga Gazeta “SI” – Kryeministri Rama, tregoi gjatë tryezës për konsultimin e Amnistisë Fiskale se nga drafti është hequr mundësia e nxjerrjes së parave të sapodeklaruara, para përfundimit të afatit 5-vjeçar.

Sipas versionit të publikuar të projektligjit thuhet se subjekti deklarues nuk mund t’i dërgojë shumat e depozituara në një shtet tjetër, për 5 vite nga momenti i deklarimit, por nëse u duhet, atyre do t’ju mbahej si penalitet 30% e shumës së transferuar.

Por kryeministri Rama, tha se kjo mundësi është eliminuar, pas kërkesave, kritikave dhe shqyrtimeve të marra.

Ndër të tjera, kryetarët e dhomave të tregtive, shoqatave apo bizneseve, të pranishëm në takim dhanë sugjerimet e tyre për ndryshime në projektligj, por nuk u kundërshtua nga askush.

Ines Muçostepa, presidente e Bashkimit të Dhomave të Biznesit, tha se ata që bëjnë deklarimin vullnetar duhet të dinë se ku shkojnë paratë e tyre, në sektorët më në nevojë, p.sh, turizëm, bujqësi etj.

Ajo shtoi se një tjetër kundërshtim nga ana e bizneseve, është tatimi i vendosur për pasurinë që do të deklarohet. Sipas tyre, ai duhet jetë edhe më i lartë, krahasuar me atë që bizneset e ndershme paguajnë. 7% dhe 10% sipas periudhës së deklarimit. Pra 7% tatim, nëse deklarohen 4 muajt e parë dhe 10% për 4 muajt e dytë.

Sipas zëvendëskryeminstrit, Arben Ahmetaj, 7% është vendosur për të stimuluar sa më shumë subjekte që të deklarohen sa më shpejt sepse edhe shtetit i duhen paratë, njësoj.

Të njëjtin sugjerim dha edhe Xhevit Hysenaj, kreu i shoqatës EPCA për bimët medicinale, duke thënë se tatimi prej 7% nuk duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. Diferencimi dhe ndikimi është i madh për dikë që deklaron 100 mijë euro dhe për dikë që deklaron 2 mln euro.

Zenel Hoxha, kreu i Dhomës Britanike të Tregtisë, në Shqipëri, tha se e mbështet këtë projektligj dhe se është e nevojshme që vendi t’ia nisë nga zero në këtë aspekt. Ai sugjeroi për rregullim të konkurrencës së bizneseve dhe trajtimi nga institucionet shtetërore.

Luan Bregasi, kreu i shoqatës “BusinessAlbania” sugjeroi që qeveria të ofrojë një program orientues për bizneset dhe familjarët, lidhur me Amnistinë dhe implementimin e saj.

John Gibson, avokat dhe vëzhgues i ardhur nga Britania mbi Amnistinë Fiskale, tha se duhet të bëhet sukses me implementimin e kësaj çështjeje dhe duhet të theksohen penalitetet për këtë iniciativë. “Zbatimi i ligjit është më i vështirë se hartimi i tij. Është jetike, se ata që do ta shfrytëzojnë Amnistinë, të penalizohen rëndë”, -tha Gibson.

Kryeministri Rama, ritheksoi se qeveria nuk kërkon suport nga ndërkombëtarët, as nga Moneyval, por vetëm respekt.

“Ju nuk do të thoni kurrë bëjeni se është mirë. Mos guxoni të na thoni, ‘kjo nuk është e mirë’. Ju mirëpresim mendimin, monitorimin, por duhet të na respektoni. Kjo është shtëpia jonë. Ne do ta bëjmë”, -tha kreu i qeverisë.  


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë