Keshilla

Të moshuarit, si t’i mbroni nga temperaturat e larta

Temperaturat e larta ndikojnë më së shumti tek të moshuarit të cilët janë më të ndjeshmit ndaj ditëve të nxehta dhe vapës, së bashku me fëmijët. Ky ndryshim drastik i klimës i bën njerëzit e një moshe të caktuar që të vuajnë një situatë të pakëndshme, veçanërisht në ata që kanë vështirësi në lëvizje, vuajnë nga sëmundje kardiovaskulare, diabeti, insuficienca renale ose Parkinson.

Kushdo që kujdeset për një të moshuar, qoftë pjesëtar i familjes apo jo, është e rëndësishme që të jetë në gjendje të njohë simptomat dhe problemet që lidhen me temperaturat e larta. Organi i parë që vuan në këto situata është truri. Kur temperatura rritet, personat shfaqin konfuzion mendor dhe acarim. Për më tepër, të moshuarit shfaqin përgjumje, pagjumësi dhe një ndjenjë lodhjeje më të madhe se zakonisht.

Në raste të rënda, megjithatë, mund të ndodhë goditje e nxehtësisë. Kjo situatë mund të çojë në tejkalimin e temperaturës së trupit mbi 40°C e shoqëruar me një ndjenjë lodhje të përgjithshme, dhimbje koke, të vjella dhe marramendje.

Parandalimi është më i mirë se kurimi

Fatkeqësisht, në një ditë me nxehtësi ekstreme mund të ndodhë që i moshuari të preket nga goditjet e nxehtësisë. Në këtë rast këshillohet të lini personin të pushojë në një vend të freskët, ti ulni temperaturën e trupit duke përdorur lecka të lagura në ujë të freskët dhe ti jepni shumë lëngje. Nëse situata përkeqësohet, këshillohet që urgjentisht të kërkoni një mendim nga mjeku, veçanërisht nëse temperatura nuk ulet dhe të vjellat nuk ndalen.

Por ditët e nxehta mund të luftohen me një sërë rregullash apo masash që duhen zbatuar për të mbrojtur të moshuarit nga vapa:

-Veshjet: gjatë verës është mirë të përdorni pëlhura të lehta, si lino ose pambuk dhe rroba të lirshme dhe të gjera.

-Mjedisi: dritaret duhet të hapen vetëm herët në mëngjes ose në mbrëmje për të ajrosur dhomat, në orët më të nxehta këshillohet t'i mbani të mbyllura dhe të mbroni mjedisin nga rrezet e diellit me perde ose grila. Në këtë periudhë kohore, kondicioneri duhet të qëndrojë dy gradë më i ulët se temperatura e jashtme dhe kjo është mënyra më e mirë për të përballuar nxehtësinë. Në përgjithësi temperatura nuk duhet të jetë kurrë nën 24 gradë.

-Shëtitjet: dalja në orët më të nxehta të ditës nuk rekomandohet. Është më mirë të përfitoni nga orët e para të mëngjesit dhe në mbrëmje. Gjatë shëtitjeve këshillohet të mbroheni me kapele dhe syze dielli, gjithashtu mos harroni të mbani gjithmonë një shishe me ujë.

-Ushqimi: Ushqimet e lehta janë më të mirat për të mposhtur vapën. Është më mirë të hani më shumë ‘snack’ gjatë ditës, sesa të hani vetëm në drekë dhe darkë. Frutat dhe perimet nuk duhet të mungojnë kurrë në tryezë.

-Hidratimi: të pish shumë ujë është zgjidhja për të përballuar vapën. Përveç ujit, për personat jo diabetikë rekomandohen lëngje frutash, lëngje të freskëta të shtrydhura, çaj të ftohtë dhe smoothie. Alkooli duhet të shmanget rreptësisht.

Aktivitete për të bërë në shtëpi gjatë orëve më të nxehta

Në orët më të nxehta të ditës, rreth orës 11 deri në 18, është mirë të organizoni një program aktivitetesh në shtëpi, në mënyrë që të mos mërziteni dhe të kaloni gjithë kohën duke parë televizor. Mund të luani letra, të kënaqeni me hobet tuaja të zakonshme, por edhe të organizoni pasdite “lojërash” duke bërë pjesë edhe të moshuarit. Në këtë mënyrë ju jeni në kontakt me më shumë njerëz dhe nuk e lejoni të moshuarin të izolohet. Në fakt, ka shumë të moshuar, të cilët duke qenë vetëm në shtëpi gjatë verës, rrezikojnë të mos ndihen mirë dhe të mos mund të thërrasin për ndihmë. Pasditeve, ushqimet mund të bazohen në akullore ose sallata me fruta të freskëta.

Të moshuarit jo të aftë për veten, si duhet të sillen?

Për të moshuarit që nuk janë të aftë të kujdesen për veten, situata është ndryshe. Meqenëse shpesh nuk janë të vetëdijshëm, ata kanë nevojë për një trajtim tjetër për të përballuar nxehtësinë. Para së gjithash, është e rëndësishme të monitorohen shpesh gjatë ditës, në mënyrë që të shmanget një rritje e papritur e temperaturës dhe reagimet pasuese. Nëse nuk ka mundësi për t'u ndjekur nga një pjesëtar i familjes, këshillohet të referoni miqtë, fqinjët ose personelin e përshtatshëm që dinë të sillen në rast të goditjes nga nxehtësia.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë