Ngjarje

Të mërkurën Kurban Bajrami / Spahiu uron besimtarët myslimanë: Festë që përjetohet në çdo zemër e në çdo vatër

Nga Gazeta Si- Nesër myslimanët në  Shqipëri dhe në mbarë botën kremtojnë festën e Kurban Bajramit.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu ka uruar besimtarët në emër të tij dhe në emër të komunitetit.

“Kurban Bajrami është një festë që materializon bindjen e lartë, dorëzimin, durimin dhe sakrificën e njeriut ndaj Zotit të gjithësisë.

Kurban Bajrami është festë që përjetohet në çdo zemër e në çdo vatër. Është pjesë e gjithë shoqërisë.

Ata që kanë mundësi të presin kurban dhe shpërndajnë për çdo njeri e familje në nevojë, e kjo e bën këtë festë që të futet në çdo shtëpi”, ka thënë Spahiu në urimin e tij duke shtuar se të gjithë duhet të ndiejnë atmosferën dhe solidaritetin e kësaj feste.

“Kjo festë, që u bë simbol i sakrificës dhe durimit, është sakrifica që bëri profeti Ibrahim (a.s.) dhe durimi që tregoi profeti Ismail (a.s.), të dyja në emër të dashurisë për Zotin dhe bindjes ndaj madhështisë së Tij. Motra dhe vëllezër, i lutem Zotit të na mundësojë ta kalojmë sa më mirë këtë festë. I lutem Zotit që t’u pranojë haxhin mbi 800 haxhinjve shqiptar të cilët sot ndodhen në haxh, e pikërisht në Malin Arafat, vendin e shenjtë për myslimanët. I lutem Zotit të mëshirojë të gjithë të dashurit tanë që nuk jetojnë më! T’u japë shërim dhe t’u lehtësojë dhimbjen çdo të sëmuri! I lutemi Zotit për kombin tonë, për rininë, për mësuesit, mjekët, policët, ushtarakët dhe gjithësecilin që punon për sigurinë, mirëqenien dhe prosperitetin e vendit tonë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë