Nga Gazeta ‘Si’- Filipinet po kërkojnë marrëveshje të veçanta pune me Maltën dhe Shqipërinë për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve filipinas.
Ambasadori i Filipineve në Itali Neal Imperial, tha se pakti i propozuar jo vetëm që do të mbrojë punëtorët filipinas kundër shfrytëzimit dhe abuzimit, por parandalon rekrutimin e paligjshëm.
“Konsiderata kryesore ka qenë gjithmonë mbrojtja e të drejtave dhe promovimi i mirëqenies së punëtorëve tanë filipinas jashtë shtetit. Prandaj, çdo marrëveshje dypalëshe e nënshkruar me një vend tjetër duhet të ketë dispozita që sigurojnë në mënyrë adekuate mirëqenien dhe i mbrojnë ata nga abuzimet e mundshme”, tha Imperial.
Rreth 10.000 kontabilistë, inxhinierë, menaxherë, kuzhinierë, staf hoteli, shofer autobusi, infermiere dhe kujdestarë filipinas janë të punësuar në Maltë, ndërsa 400 janë në Shqipëri, tha ai.
Filipinet janë një nga eksportuesit më të mëdhenj të punës në botë me rreth 10 milionë punëtorë të punësuar kryesisht në sektorët e prodhimit, ndërtimit, detarisë, IT, mjekësisë dhe shërbimeve.
Ata shpesh quhen "heronjtë e ditëve moderne" për të ardhurat shpesh të pakta që dërgojnë në shtëpi, të cilat, së bashku, mbajnë në këmbë ekonominë Filipine dhe lulëzojnë bizneset lokale.
Shqipëria, nga ana tjetër, shprehu interes për nënshkrimin e një marrëveshje pune me Filipinet për shkak të mungesës së fuqisë punëtore të shkaktuar nga një rritje e madhe në sektorin e saj të turizmit.
Me Shqipërinë, ai tha se ambasada pret të marrë një draft të propozuar në ditët në vijim, ndërsa bisedimet me Maltën janë ende në fazat fillestare.
“Ideja e Shqipërisë është që qeveria të ndërmjetësojë mes bizneseve/punëdhënësve dhe punëtorëve migrantë potencialë për të siguruar që të drejtat e të dyja palëve mbrohen”, tha Imperial. “Në takimet e nivelit të lartë të ambasadës me zyrtarë të qeverisë së Maltës, këta të fundit u shprehën të hapur ndaj idesë për të negociuar një marrëveshje dypalëshe të punës”.
Imperial tha se ambasada do t'i rekomandojë Departamentit të Punëve të Jashtme dhe Departamentit të Punëtorëve Emigrantë të mbështesin idenë e nënshkrimit të marrëveshjes, veçanërisht tani që Malta dhe Shqipëria po bëhen destinacione të preferuara për shumë filipinas.
Burimi: GMA/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.