Ngjarje

“Të keqen e përballojmë bashkë!” Kosova hap dyert dhe zemrën për Shqipërinë

"Të keqen e përballojmë bashkë!” Këto kanë qenë fjalët me të cilat shqiptarët pritën në shtëpinë e tyre dhe sheshet e qyteteve shqiptarët e Kosovës që i iknin luftës. Përveç rrobave në trup dhe shpresës në zëmër, atyre nuk i kishte mbetur më asgjë, por mikpritja dhe dashuria e shqiptareve e që u hapën dyert e shtëpisë do t’u jepte forcë për të ngritur kombin më të ri në Europë.

Fiks 20 vite më vonë, kujtimet e venitura të bashkimit mes shqiptarëve nga të dyja anët e kufirit u zgjuan kur dhjetëra qytetarë të Kosovës hapën dyert për të gjithë të prekurit nga tërmeti i së martës.

Në Prishtinë vendosen cadra për të prkeurit nga tërmeti

Fjalët “të keqen e përballojmë bashkë” u dëgjuan kësaj radhe nga ana tjetër e kufirit, ku shqiptarët e Kosovës dolën të prisnin vëllezërit nga Shqipëria. Deri më tani bëhet e ditur se 420 qytetarë të Shqipërisë janë strehuar në Kosovë. Vullnetarët thanë në një transmetim live se gati 100 shqiptarë  po udhëtojnë  po ashtu për në Kosovë me makina private, ku se po i presin zemrat e ngrohta të shqiptarëve të Kosovës.

Në Prizren, Pejë, Prishtinë dhe Gjakovë janë mbledhur ndihma humanitare të cilat u nisën që të martën drejt Shqipërisë. Kjo tragjedi ka bërë bashkë vullnetarë nga mbarë Kosova që janë nisur po ashtu drejt Tiranës, për t’u gjendur pranë të prekurve.

Përpara se kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj të shpallte ditë zie kombëtar në ndër të viktimave, forcat speciale të Kosovës u nisën që në muzg për t’u ardhur në ndihmë shqiptarëve nën rrënoja. Ata ishin të dytët që mbërritën pas forcave emergjente shqiptare dhe nuk janë larguar për asnjë moment nga ndërtesat e shembura në Thumanë dhe Durrës, duke u bërë shpatull për të lënduarit, banorët dhe autoritetet shqiptare.

https://www.facebook.com/Klinainfoo/videos/2538818189520565/

Madje një fotografi e polici kosovar duke i dhënë ujë një të moshuari në Durrës i cili është prekur nga tërmeti, ka pushtuar mediat në Prishtinë. Ai ishte një nga dhjetëra  oficerët e Forcave të Sigurisë së Kosovës që tashmë kanë mbërritur në Shqipëri në ndihmë të autoriteteve shqiptare.

Polici nga Kosobva kujdeset për të moshuarin nga Shqipëria

Që në orët e para të mëngjesit, kur pasojat e tërmetit 6.3 ballësh nuk ishin zbuluar ende nga drita e diellit, shumë shqiptarë të Kosovë nisën të shprehnin solidarizim, duke thënë se po hapnin dyert e shtëpisë , ashtu sic bënë shqiptarët gjatë kohës së luftës.

Blend Zymi, një qytetar nga Prishtina është shprehur i gatshëm për të strehuar 10 anëtarë nga Shqipëria që kanë mbetur në qiell të hapur. Mesazhi i tij është shpërndarë nga shumë shqiptarë të tjerë të cilët janë shprehur të gatshëm që të bëjnë të njëjtën gjë. Ata kanë lënë edhe numrat kontaktues për të gjithë personat që kanë nevojë për ndihmë.

Ndërkohë Burim Kabashi, një tjetër shqiptar nga Kosova ka kontaktuar po ashtu mediat duke bërë të ditur se mundësit e tij janë për të strehuar një familje deri në pesë anëtarë.

“ Për ata që janë të pastrehë në këtë kohë dimri, e sidomos  me fëmijë të vegjël deri në pesë persona, aq kam mundësi, t’i dërgoni në shtëpinë time, deri sa shteti shqiptar të bëj një zgjidhje”, ka përfunduar mesazhi i Kabashit.

“Miq të mi nga Shqipëria, shtëpia ime është e juaja, mos hezitoni”, shkruan Cuki Veseli,  një tjetër  shqiptar nga Kosova.

Të gatshme të strehojnë shqiptarët kanë qënë edhe biznese nga Kosova. Hoteli “ANA-BENZ” në mbështetje të të prekurve nga Shqipëria ka njoftuar se ofron strehim për 80 përsona me të gjitha shpenzimet e paguara nga ta.

Në Gjakovë të rinjtë mbledhin ndihma për Shqipërinë

Shumë prej shqiptarëve të Kosovës u mblodhën dje në qendrat e qyteteve për të dhuruar veshmbathje dhe ushqime. Dikush në Prizren madje e ka hequr edhe pallton që e kishte veshur për t’ia dhuruar dikujt që sonte ka më shumë nevojë për të. Ndërkohë zonja Gjyljeta nga Peja që sot ka harruar edhe sëmundjen e rëndë me të cilën po përballet. “Unë jam e sëmurë nga kanceri. Dëshiroj t’i dhuroj 50 euro”, ka thënë ajo mes lotëve në një emision në Klan Kosova në një linjë telefonike të drejtpërdrejte për donacione për ta ndihmuar Shqipërinë.

Zonja nga Peja ka prekur të gjithë të pranishmit në studion e NIN-it në Klan Kosova, përfshirë edhe moderatorin e këtij emisioni Alaudin Hamitin që po ashtu mes lotëve e ka përmbyllur emisionin.

Ky gjest i jashtëzakonshëm i bujarisë emocionoi fort dhe përloti edhe këngëtaren Loreta Kaçka, reperin Mozzik dhe aktorin Kushtrim Sheremeti të cilët ishin në studio dhe u bënë pjesë e iniciativës për të mbledhur para për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.

https://www.facebook.com/Klinainfoo/videos/3379059888833510/

Familjet e para nga Shqipëria të prekura nga tërmeti kanë arritur në Pejë, një qytezë malore që ruan fort jo vetëm dashurinë për Shqipërinë edhe traditat e vjetra të trevës së Dukagjinit për mikpritjen.

“Te keqen e përballojmë bashkë”, u thanë pejanët shqiptarëve që zbritën në qendër të qytetit, duke u hapur jo vetëm dyert e shtëpisë por edhe zemrën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë