Shendet

Të hënën nis testimi ndryshe për grupet e rrezikuara

Duke filluar nga java tjëtër, mjekët dhe grupet e tjera të rrezikuara do t’i nënshtrohen testeve të antitrupave, të njohura si testet serologjike. Kjo metodë testimi do të nisë të kryhet nga java tjetër në laboratorin e dytë që do të jetë gati edhe për testimet për COVID19, laboratori i Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza”.

Lajmi u bë i ditur nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu gjatë inspektimit të laboratorit mikrobiologjik të QSUT-së, i cili do të kryejë testin e ri për konfirmimin e diagnozës dhe vlerësimin e imunizimit, duke filluar nga grupet e rrezikut.  

“Komiteti Teknik i Ekspertëve i ngritur në Ministrinë e Shëndetësisë për epideminë e koronavirusit, ka vendosur që të përfshijë një testim të ri, që është testimi serologjik, i cili do të nisë pikërisht nga grupet e rrezikuara, siç janë mjekët, por edhe strukturat e policisë. Janë përcaktuar protokollet dhe nga dita e hënë do të nisë testimi i ri”, tha Manastirliu.

Në laboratorin e mikrobiologjisë në QSUT mësohet se janë siguruar aktualisht 6 mijë teste.

“Dua të them që mbetet prioritet për ne mbështetja dhe mbrojtja e stafit tonë të shëndetësisë. Prandaj dhe ky testim serologjik për të vlerësuar krijimin e antitrupave do të fillojë në grupet më të riskuara që janë personeli mjekësor dhe gjithashtu grupet që janë në shërbime siç janë policia e shteti e të tjerë”, tha ministrja. “Laboratori i QSUT, në një fazë të dytë, do të shërbejë edhe për testimin e kampioneve të dyshuara për COVID19, me metodën e biologjisë molekular të Real-Time PCR”, theksoi ajo.

Autoritet shëndetësore dhe kërkimore në Europë dhe SHBA besojnë se zhvillimi i një testi të suksesshëm serologjik, analiza e gjakut për antikorpet e koronavirusit, mund të jetë një hap përpara në luftën kundër pandemisë të shkaktuar nga SARS-CoV-2.

Kryerja e testimeve masive është theksuar në shumë shtete, si një masë parandaluese për përhapjen e COVID-19. Në disa shtete si Korea e Jugur apo Singapori, testimi masiv ka dhënë frytet e veta, duke frenuar përhapjen e infeksionit.

Shpresat janë se një test i tillë do të mund të ndihmojë në luftën e vështirë kundër pandemisë, duke ofruar mundësinë për të vlerësuar se sa është përqindja e personave të infektuar me koronavirusin e ri që nuk zhvillojnë sëmundjen COVID-19, ose shfaqin vetëm shenja të lehta, pra mbartësit e shëndoshë, të cilët pa e ditur infektojnë të tjerët; si dhe sa është zhvilluar në popullsi epidemia në një vend të caktuar, duke testuar një kampion të gjerë të popullsisë së përzgjedhur nga autoritetet e shëndetit publik.

Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve theksoi në një deklaratë me 1 prill se testi me antikorpe ka vlerë të kufizuar për diagnozë të COVID-19, sepse mund të duhen edhe 10 ditë pasi je sëmurur që të bëhesh pozitiv për antikorpe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë