Mjedis

Të hash insekte për të mbrojtur mjedisin

Shumë prej nesh nuk e durojnë dot idenë e të ngrënit një peshk të pagatuar mirë, apo jo? Gjithashtu, nëse do të dëgjonim se shumë njerëz në mbarë botën po preferojnë të konsumojnë sa më shumë insekte, edhe kjo do të na dukej e tmerrshme. Por, është e vërtetë, pak nga pak konsumimi i insekteve po bëhet tepër i preferuar për njerëzit.
Këtë javë "Abokado", një restorant i specializuar për sushi në Londër, u ka ofruar klientëve të tij kotoleta insektesh, të cilat mendohet të jenë shumë të shëndetshme. “Në vitet e ardhshme insektet do të jenë ushqimi kryesor në dietën tonë të përditshme,” tha menaxheri i "Abokados", Kara Alderin.

Vitin e kaluar "Sainsbury", një linjë supermarketesh në Mbretërinë e Bashkuar, filloi shitjen e insekteve në 250 dyqanet e saj. Pakot me insekte të ngrira kanë një çmim prej 1.50 paund. Ato nuk tregtohen vetëm si një alternativë e shëndetshme dhe me proteina, por edhe si një zgjidhje për të shpëtuar mjedisin nga gazet e ndryshme.
Që insektet mund të përdoren si ushqim, kjo nuk është diçka e re, pasi prej shumë kohësh rreth dy miliardë njerëz në botë i përdorin, madje i cilësojnë si ushqimin e tyre të preferuar. Por konsumi i tyre ka edhe përfitime të mëdha mjedisore. Një raport i OKB në vitin 2013 tregoi se insektet që janë të ngrënshme, mund të ndihmojnë në uljen e nivelit të ndotjes së mjedisit.
“Unë shpresoj se konsumimi i insekteve të bëhet diçka normale në të ardhmen, pasi ka përfitime të mëdha mjedisore. Vendet që i konsumojë insektet kanë shumë përfitime mjedisore dhe kjo mënyrë e të ushqyerit, duhet të shpërndahet edhe në vende të tjera të botës,” thotë Tilly Collins, pedagog i gjeologjisë nga Kolegji Imperial në Londër.

Sipas ekspertëve, insektet përdorin një pjesë shumë të vogël të ushqimeve që duhet të sigurojmë për bagëtitë e mëdha. Gjithashtu, ato janë vlerësuar se lëshojnë 80 për qind më pak metan se lopët në ajër.
“Ne mund të rrisim insektet me mbeturinat e ushqimeve të tjera, kështu që do të konvertojmë një produkt të mbeturinave në një proteinë,” tha Collins.
Sipas tij, krimbat prodhojnë një për qind më pak të gazeve serë për kilogram, krahasuar me 10 për qind që prodhojnë derrat. Por duhet të kemi kujdes, pasi jo të gjitha insektet mund të jenë më të qëndrueshme se llojet e tjera të mishit që jemi mësuar të konsumojmë.
“Certifikimi mund të jetë një mënyrë vërtet e mirë, për të siguruar që konsumimi i insekteve të mos i nënshtrohet kërcënimeve për qëndrueshmërinë mjedisore që kanë ndodhur me lloje të tjera të bujqësisë komerciale në dekadat e fundit,” thotë Charlotte Payne, një gjeologe në Universitetin e Kembrixhit.
Joshua Evans, pjesë e ekspertëve që studiuan këtë fenomen, argumenton të njëjtën gjë. Sipas tij, konsumi i insekteve është më me vlerë për mjedisin sesa ai i kafshëve të ndryshme.

Ndërsa, sipas organizatës jofitimprurëse “Vegan”, nëse vërtet do të duam të shpëtojmë planetin përmes zakoneve tona ushqimore, një dietë me bazë bimore është e vetmja përgjigje për të ndihmuar në reduktimin e emetimeve.
“Është e njohur gjerësisht se ngrënia e produkteve shtazore ka një ndikim të madh mjedisor, por kjo nuk është e përfshirë aspak në aspektin politik. Është shumë e qartë se në këtë gjendje nuk do ta përmbushim asnjëherë Marrëveshjen e Parisit, kështu që duhet të bëjmë më shumë për të ndryshuar dietën që njerëzit konsumojnë,” shtoi shefi ekzekutiv i organizatës George Gill.
Sipas studimit të Kolegjit Imperial, fëmijët janë më shumë entuziastë për të provuar insektet e ngrënshme në krahasim me prindërit e tyre.

“Përgjithësisht fëmijët janë më të gatshëm për të ndryshuar dietën e tyre. Por për fat të mirë tani ka edhe më shumë njerëz që diskutojnë për konsumimin e insekteve. Në tetë vitet e fundit, që kam nisur hulumtimin në këtë fushë, kam vënë re një ndryshim në qëndrimet e publikut të Mbretërisë së Bashkuar,” shprehet Collins.
Gjatë muajit janar në Radio 1, Adele Robert me profesion DJ, konsumoi insekte për një javë si pjesë e një dokumentari të titulluar, “Grub’s Up: Ushqehuni me insekte për një javë”.
“Që prej asaj kohe është ndryshuar pikëpamja ime për konsumimin e insekteve. Nuk e kisha menduar kurrë se do të kisha në menynë e një restoranti insekte të ndryshme, e aq më pak se do t’i kisha ato në pjatën time. Insektet janë vërtet të shijshme, nëse përgatiten siç duhet,” u shpreh Adele.

https://www.instagram.com/p/BtQtcO0hs9K/?utm_source=ig_web_copy_link

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë