Ekonomi

“Të gjithë fajin e ka (jo)transparenca”

Sabina Veizaj - “Qeveria mori masat që mund të merrte, por ploblemi është se në një vend ku përdorimi i institucioneve shtetërore për interesa të politikës, jo popullit që ajo përfaqëson, ka qenë bashkëudhëtar i qeverisjes dhe ku konfliktualiteti politik ka krijuar plagë të thella, të cilat bëjnë të vështirë qeverisjen edhe në kohë normale, gjithçka shikohet me një hije dyshimi". Kështu shprehet në një bisedë me Gazetën “Si” për aktualitetin ekonomik dhe financiar të vendit, Ilir Hysa, drejtor i asociuar në "Moody's Corporation". Ai thotë se "për këtë arsye, masat e ashpra, ndonëse të domosdoshme, janë perceptuar më shumë si diktat sesa si nevojë për mbijetesë për një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve shqiptarë. Dhe për hir të së vërtetës, duhet thënë se drejtuesit e ekzekutivit nuk kanë mbështetje absolute mbarëpopullore në asnjë vend demokratik”

Ai parashikon një të ardhme gri për ekonominë shqiptare duke u nisur nga kriza globale e shkaktuar nga Covid-19.

Në lidhje me Amnistinë fiskale, z. Hysa e konsideron këtë nismë të qeverisë të rrezikshme.

“Gjithsesi, legalizimi i parave të pista mund të bëhej vetëm kur qytetarët të shihnin listën e gjatë të peshqve të mëdhenj të SPAK-ut dhe ata në listë pas hekurave. Në fund të fundit, gjëra të tilla përcaktojnë konturet dhe vlerat e një shoqërie. A merremi të gjithë me drogë që t’a ringjallim Shqipërinë? Përgjigjja përcakton kush jemi ne si popull.”- thotë eksperti Hysa.

Si i vlerësoni masat e qeverisë shqiptare për të parandaluar përhapjen e covid-19 në këndvështrimin ekonomik (izolimin dhe paketat mbështetëse)?

Ilir Hysa, Drejtor i Asociuar, Senior Economist pranë Moody's Corporation

Së pari, mund të flas si ekonomist dhe jo si epidemiolog. Së dyti, kur flitet për një temë kaq delikate, është mirë të ndahen faktet nga opinionet. Edhe unë jam munduar të bëj pikërisht këtë përgjatë këtyre javëve rraskapitëse për mbarë njerëzimin, përfshirë edhe shqiptarët. Qeveria shqiptare ndërhyri relativisht shpejt, edhe pse tani, pasi kemi informacion që nuk e kishim ditët e para të marsit, do të ishte e lehtë të ankoheshim se mund të ishte vepruar më shpejt me mbylljen. Dhe realisht ashtu është, qeveria mund t’i kishte ndaluar më shpejt hyrjet nga Italia. Por gjithçka është relative dhe duhet thënë se Shqipëria nxori mësime nga neglizhenca dhe dështimi i Italisë fqinje.

Çfarë ka vijuar është ende më komplekse për t’u kuptuar. Kjo sepse në vlerësimin e vendimeve të marra nevojitet syri i mprehtë i ekspertit të shëndetit publik por mund të them diçka rreth masave fiskale.  Një muaj me parë pata thënë se asnjë paketë fiskale, përfshirë atë të publikuar në 19 mars, nuk do t’i zgjidhte të gjitha problemet e Shqipërisë hallemadhe në këto kohë të vështira, dhe se atë që nuk do t’a bënte dot me buxhetin e saj, qeveria duhej t’a bënte me transparencë dhe krijimin e klimës së solidaridetit, si ai i krijuari pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Në 19 mars, kryeministri Rama i quajti masat në betejën me koronavirusin “[n]jë armë që ka vetëm një fishek: Unitetin popullor!”

Qeveria mori masat që mund të merrte, por ploblemi është se në një vend ku përdorimi i institucioneve shtetërore për interesa të politikës, jo popullit që ajo përfaqëson, ka qenë bashkëudhëtar i qeverisjes dhe ku konfliktualiteti politik ka krijuar plagë të thella, të cilat bëjnë të vështirë qeverisjen edhe në kohë normale, gjithçka shikohet me një hije dyshimi. Për këtë arsye, masat e ashpra, ndonëse të domosdoshme, janë perceptuar më shumë si diktat sesa si nevojë për mbijetesë për një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve shqiptarë, dhe për hir të së vërtetës duhet thënë se drejtuesit e ekzekutivit nuk kanë mbështetje absolute mbarëpopullore në asnjë vend demokratik. Gjithësesi, për t’a konkretizuar këtë konstatim, duket se sipërmarrësit e bizneseve dhe shoqëria civile më gjerë, kanë shprehur pakënaqësi edhe me mënyrën se si vendime të rëndësishme që prekin jetën e tyre janë marrë bazuar, përfshirë këtu paketën e parë fiskale, pa u konsultuar me to. Por për t’u kthyer tek nevoja e bashkëpunimit, qeveria ka bashkëpunuar pak me institucionet e tjera dhe kjo ka kontribuar në perceptimin se kriza po menaxhohet me diktat. Ka patur edhe raste kur bankat nuk lëvronin dot kreditë sepse nuk kishin marrë udhëzimet nga qeveria dhe kjo ka ulur efektivitetin e mbështetjes së bisnesit të vogël.

 A do të kishte kushtuar më pak (në terma ekonomikë) testimi në masë krahasimisht me izolimin?

Kjo është një temë komplekse dhe kafshatë e madhe për një ekonomist, madje edhe për epidemiologët që po mësojnë çdo ditë, dhe unë nuk jam i tillë, por ka nje përafrim logjik edhe për ne që nuk jemi ekspertë të shëndetit publik. Testimi në masë do të ishte gjëja e duhur, nëse do të ishte i mundur, por le të mos i hyjmë në hak një qeverie të një vendi të vogël si Shqipëria, dhe të kërkojmë përmbushjen e punëve të vështira, në mos të pamundura, edhe pse qeveria e sotme është një faktor agravues në ngërçin institucional të viteve me radhë në Shqipëri. Do të ishte utopi të kërkohej testim i plotë në Shqipëri, ndërkohë që vendet të tjera më të zhvilluara nuk e kanë bërë dot një gjë të tillë. Për shembull, autoritetet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës—superfuqia e botës—kanë arritur të testojnë vetëm rreth 1% të popullatës së tyre. Me fjalë të tjera, le të lihen për një ditë tjetër kritikat ndaj mazhorancës qeverisëse në lidhje me gjymtimin e procesit elektoral dhe shitblerjen e votës, korrupsionin e PPP-të, krimin dhe drogën, dhe së pari të tejkalohet kjo krizë e shëndetit publik.

Kur u pyeta në muajin mars, ditën kur qeveria publikoi paketën e parë fiskale, nëse kisha ndonjë këshillë për Kryeministrin Rama, thashë se ai duhej të ruante tonin e qetë që shfaqi në fjalimin e mbajtur pas mbledhjes së qeverisë, në mënyrë që mund të materializonte bashkëpunim të frytshëm me të gjitha palët në Shqipëri. Mjerisht, kjo nuk ndodhi. Për një vend me politikë konfliktuale si Shqipëria, do të ishte shumë të kërkohej paqe në kohë si këto që po jetojmë, dhe konflikti ka dalë në pah jo aq shumë nga ato që janë thënë e bërë por nga ato që mbeten pa u thënë, më kyçi mes tyre mungesa e bashkëpunimit institucional. Ende nuk është kuptuar se Shqipëria nuk ka burime të mjaftueshme për shumë fronte betejash, gjë që kërkon lënien mënjanë të politikës për momentin.

Nisur nga aktualiteti, a do të dalim shpejt nga ku jemi?

Kjo do të varet nga vendimet e qeverisë, niveli i bashkëpunimit të qytetarëve në ditët që vijnë dhe faktorë të tjerë përtej Shqipërisë. Qeveria ka dërguar mesazhe jo të qarta ditët e fundit: nga njëra anë, flitet dhe bëhen hapa drejt hapjes së ekonomisë në vend, nga ana tjetër, qeveria shtyn periudhën e emergjencës se fatkeqësisë natyrore edhe për dy muaj të tjerë.

Kuptohet që çfarë do të ndodhë globalisht do të jetë një tjetër faktor i rëndësishëm. Një valë e dytë e virusit shihet tani si e mundshme nga Qendrat Për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Centers for Disease Control and Prevention) në Sh.B.A., dhe ky është lajm i keq për të gjithë, edhe për Shqipërinë. Përtej aspektit epidemiologjik, duhet patur parasysh se dalja do të përcaktohet edhe nga faktorët ekonomikë në Shqipëri dhe globalisht. Rimëkëmbja nga një vit tjetër i mbrampshtë ku rënia ekonomike shkon deri në 5%, sipas FMN-së, do të jetë sfidë e madhe për Shqipërinë. Kjo shifër është e krahasueshme me atë që pritet për tkurrjen e PBB-së globale në vitin 2020. Ndërkohë, Banka Botërore vlerëson se 40 deri 60 milionë banorë të globit do t’i shtohen numrit të madh të të varfërve si pasojë e COVID-19.

Për t’iu kthyer Shqipërisë, fokusi duhet të jetë i dyfishtë: 1. mirëpërdorimi i çdo leku, gjë për të cilën qeveria ka shumë për të bërë (kujtoni faturën e kripur të 2 km rrugë në unazën e Tiranës); 2. testimet për të kuptuar vulnerabilitetin e popullatës. Mbetet për t’u parë se si do të shkojë ky proces, por shenjat janë për një proces testimi të pamjaftueshëm. Edhe dëgjesa me Komitetin Teknik te Ekspertëve anti-COVID-19 nxori në pah pamundësinë e vënies në jetë të testimeve të nevojitura para hapjes eventuale të ekonomisë. U fol në teori por, gjurmët e virusit mbeten mister sepse testet mbeten me pikatore. Ironia është se Albana Fico, drejtore e Institutit të Shëndetit Publik, mësohet të ketë thënë se “i kemi të gjitha kapacitetet për të testuar çdokënd që ka nevojë” dhe kjo nxjerr në pah të konceptuarit e gabuar të qasjes së autoriteteve shqiptare. Nuk duhen testuar vetëm ata që kanë nevojë, por edhe ata që nuk kanë nevojë, për të kuptuar gjeografinë e problemit.

Qeveria ka deklaruar se nuk tërhiqet nga Amnistia Fiskale. Si e vlerësoni ju një nismë të tillë?

Për dikë që nuk e njeh realitetin shqiptar, nisma e qeverisë do të konsiderohej një reformë e radhës, ndonëse unë shoh një problem të madh vetëm me fasadën, me hendekun që ekziston midis etiketës dhe mallit, pra midis emrit dhe përmbajtjes së Amnistisë Fiskale. Por për njohësit e Shqipërisë, kjo është një nismë në vazhdën e filozofisë “qëllimi justifikon mjetin” dhe kohë si këto që jetojmë e mundësojnë një lëvizje të tillë, sepse në aparencë ngjall shpresën se do të ndihmojë në rritjen e kapitalit dhe në gjallërimin e pjesës legjitime të ekonomisë shqiptare. Dhe mund të ketë edhe përfitime margjinale, por është e pasinqertë të përzihen në të njejtën frymë emigrantët, bizneset dhe trafikantët. Qeveria ka thënë se do të ketë njësi inteligjence për të kontrolluar paratë por, sikurse për shumë çështje të tjera, qytetarëve iu mungon transparenca e institucioneve dhe janë skeptikë. Dhe ata kanë të drejtë, nuk ka dyshim se aministia legjitimon pjesën më të errët të shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare. Individët që ushqejnë familjen me një rrogë modeste apo me një biznes të vogël nuk kanë nevojë për amnisti. Ata kanë nevojë për institucione funksionale.

 A do t'i shërbejë kjo situatës në të cilën jemi?

Sikurse e thashë më lart, kjo mund të legjitimojë fonde të fituara në mënyrë të paligjshme dhe i takon shoqërisë shqiptare ta pranojë apo ta refuzojë një veprim të tillë. Gjithësesi, legalizimi i parave të pista mund të bëhej vetëm kur qytetarët të shihnin listën e gjatë të peshqve të mëdhenj të SPAK-ut dhe ata në listë pas hekurave. Në fund të fundit, gjëra të tilla përcaktojnë konturet dhe vlerat e një shoqërie. A merremi të gjithë me drogë që t’a ringjallim Shqipërinë? Përgjigjja përcakton kush jemi ne si popull. Vini re, këtu po e lë mënjanë kapelen e ekonomistit apo analistit dhe po fus edhe veten nga kjo anë e Atlantikut, por si bir i atij vendi mendërisht atje me hallet e problemet që përjetojnë familjet shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë