Të dielën do të fillojë vaksinimi masiv për të gjithë të moshuarit mbi 70 vjeç.
I shoqëruar edhe nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, kryeministri Edi Rama tha nga Shijaku se të dielën fillon vaksinimi intensiv.
“Tani do fillojmë intensivisht dhe për prindërit edhe për vjehrrit dhe vjehrrat tuaja”, tha Kryeministri Edi Rama gjatë bashkëbisedimit me edukatoret e vaksinuara në Shijak.
Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 62,858 doza të vaksinës ndaj COVID19.
Këtë fundjavë, Kryeministri bashkë me ministrin e Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj dhe me kryebashkiakun e Shijakut Elton Arbana, u dorëzuan çelësat dy familjeve të fundit, përfituese të banesave të reja individuale.
“Janë 2 banesat e fundit që kanë mbaruar. Përpos këtyre 567 banesave, ne kemi dhe 252 familje që kanë tërhequr grantin për ta rindërtuar banesën tyre vetë. Të gjithë banesat individuale në Bashkinë e Shijakut kanë mbaruar. Paralelisht ka nisur puna për ndërtimin e 30 pallateve në qytetin e Shijakut, që po t’i shikojmë tani në këto momente janë në katin e dytë apo të tretë dhe puna vazhdon. Plot 1800 familje kanë tërhequr grantin DS1, DS2, DS3. I gjithë procesi i rindërtimit ka përfunduar në Bashkinë e Shijakut”, – u shpreh Arbana.
“Ta gëzoni”, – ishte urimi i Kryeministrit.
“Në Shijak nuk kemi më asnjë njësi individuale që është në pritje. Kjo reflektohet dhe në numrin e çadrave të ulura, nga 11 mijë, në nën 500 sot. Në janar të 2020-ës kishim 11 mijë, sot kemi nën 500 dhe pallatet po ecin shumë mirë edhe në Thumanë”, – u shpreh Ahmetaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




