Të dhënat personale, si emër, atësi, mbiemër, ditëlindje, adresë poste elektronike (e-mail), e deri tek numrat e telefonit të më shumë se gjysmë milioni shqiptarësh kanë përfunduar falas në tregun e zi të internetit.
Informacionet personale janë grumbulluar para më shumë se 2 vitesh, kur Facebook pranoi se kishte një problem me sigurinë, por ky rast tregon se sa shumë informacion grumbullon Facebook nga klientët e tij.
Në rastin e Shqipërisë, janë fiks 506 mijë e 602 përdorues të rrjetit social më të madh në botë, të dhënat e të cilëve janë grumbulluar nga hakerat dhe më pas kanë përfunduar në tregun e zi të internetit.
Një pjesë të mirë të tyre, sipas platformës “The Hacker News”, e njohur për këshillat dhe ekspertizën që jep në fushën e mbrojtjes kibernetike mund t’u jenë zbuluar edhe të dhëna të ndjeshme, siç është numri i telefonit.

Kjo platformë thotë se të dhënat e publikuara falas në internet janë një minierë ari për hakerat, madje disa prej tyre kanë hapur llogari fiktive në aplikacione të ndryshme komunikimesh (WhatsApp, Telegram dhe Viber) për të zbuluar numrat e telefonit të përdoruesve të Facebook që kanë rënë viktimë e kësaj thyerjeje sigurie.
Një numër i saktë se sa shtetasve shqiptarë u janë kompromentuar të dhënat sa i takon numrave të telefonit nuk mund të jepet, por nisur nga përllogaritja që ekspertët ndërkombëtarë të sigurisë kibernetike i bëjnë numrit total të viktimave, bëhet fjalë për një shifër që shkon mbi 250 mijë vetë.
Ekspertët kanë lidhur këtë shkelje sigurie të Facebook edhe me një sërë sulmesh kibernetike, apo mesazhesh të rreme të shpërndara përmes WhatsApp dhe aplikacioneve të tjera të komunikimit. Policia shqiptare paralajmëroi në tetor të vitit të kaluar qarkullon një mesazh mashtrues që përdoret si “karrem” nga hakerat për të përvetësuar në mënyrë të paligjshme të dhënat personale të viktimave, që më pas mund të çojë deri tek ndërhyrja në llogaritë bankare të tyre.
LEXO EDHE:
“Fituat 700 mijë USD”. Kujdes, mesazhi mashtrues që po qarkullon në WhatsApp edhe në Shqipëri
Gazeta “Si” mëson se dyshohet që numrat që kanë marrë këtë mesazh mashtrues janë përfituar nga rrjedhja e madhe e të dhënave që i ndodhi Facebook në vitin 2019. Facebook vetë nuk ka komentuar ende mbi këtë lajm, ndërkohë që mediat ndërkombëtare kanë ngritur edhe njëherë tjetër shqetësime në lidhje me privatësinë dhe sasinë e informacioneve personale që ky rrjet social grumbullon.
Në total në të gjithë botën janë kompromentuar llogaritë në Facebook të më shumë se 533 milionë përdoruesve. Pjesa më e madhe e tyre janë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rreth 50 mln, Britaninë e Madhe, Indi dhe më pas vende të Bashkimit Europian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




