Ngjarje

Të bllokuarit në Kapshticë do të lejohen. Diaspora do paguajë hotelin e karantinës

Kryeministri Edi Rama deklaroi ditën e hënë se shqiptarët e bllokuar në tokën neutrale në doganën e Kapshticës janë që të gjithë persona rezidentë në Greqi, që nuk kanë arsye të forta për t’u rikthyer në atdhe. Ai përjashtoi mundësinë që ata të lejohen që të hyjnë në Shqipëri.

Por, për rast përjashtimor krejt të kundër me deklaratën e Kryeministrit foli pak orë më vonë edhe ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko.

“Më vjen shumë keq për ata persona. Shteti shqiptar sot është në karantinë. Për ato persona që janë atje do të ketë një përjashtim të fundit. Këshilli i Kordinimit i Diasporës ka ofruar që të paguajë hotelin për karantinimin e tyre. Ky është grupi i fundit. Kjo do të thotë që nuk do të ketë të tjerë. Jemi një shtet në karantinë”, tha Majko në një intervistë për Top Channel.

Ministri i Shtetit për Diasporën thotë se vendimi për mbylljen totale të kufijve nuk është vendim politik, por vendim i specialistëve, mjekëve dhe ekspertëve. “Prandaj, për ata 30 persona të mbetur në Kapshticë do të ketë një përjashtim, që është përjashtimi i fundit”, u shpreh ai.

Majko sqaroi se pas këtij rasti, të gjithë shtetasit shqiptarë që duan të rikthehen në atdhe nuk mund të bëjnë këtë pa marrë më parë një autorizim nga konsullatat shqiptare.

Kryeministri Edi Rama deklaroi ditën e hënë se kufiri do të hapet vetëm për ata persona që do të kenë arsye të forta për t’u rikthyer në atdhe, por edhe për këtë kategori me kushte të forta, duke filluar që me vetëkarantinimin 14-ditor në hotele me shpenzimet e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë