Nga Gazeta ‘SI’ - Gjatë tremujorit të dytë 2023, Banka e Shqipërisë rriti me 10 mld lekë sasinë e parave të injektuara në treg, 45.4 mld, krahasuar me tremujorin e parë.
Nevoja për të hedhur më shumë para në qarkullim, ka ardhur si pasojë i akumulimit të parave në llogarinë e qeverisë, rreth 33 mld lekë BSH thekson se paratë e administruara nga qeveri janë rritur më shpejt se vlerësimet e Bankës.
Deri në fund të tremujorit të dytë, BSH tregon se ka tërhequr rreth 80 mln euro valutë nga tregu, plani është të blejë edhe 150 mln euro deri në fund të vitit, në 6 ankande.
Në fillim të muajit qershor, duke vënë re shpejtësinë e rritur të kursit të këmbimit deri në 4-6% kundrejt 2 dhe 3 javëve më parë si dhe mungesën e kërkesave të valutës edhe pas ankandit të Bankës së Shqipërisë së datës 7 qershor, BSH-ja ka vendosur të ndërhyjë në tregun valutor me objektiv shmangien e çrregullimeve, duke blerë 5 mln euro nga bankat e nivelit të dytë.
Gjatë 3-mujorit dytë të vitit 2023, Banka e Shqipërisë ka vijuar të tentojë rritjen e portofolit nëpërmjet ankandeve të blerjes së letrave me vlerë, por pjesëmarrja e bankave ka qenë mjaft e ulët. Vlera e portofolit të bonove të thesarit të Bankës së Shqipërisë është në nivelin më të lartë prej vitit 2009, por në terma relativë kundrejt borxhit publik të emetuar në monedhën kombëtare, madhësia e portofolit është rreth 9.3%, kundrejt rreth 25% në fillim të viteve 2000.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.