Para

Të ardhurat e buxhetit u rritën gjatë 7-mujorit, suficiti rritet me 200%. Përsëri as gjysma e shpenzimeve s’janë realizuar

Nga Gazeta ‘SI’ - Në periudhën janar-korrik 2023, në buxhetin e shtetit u mblodhën 372 mld lekë, duke tejkaluar planin e së njëjtës periudhë dhe duke u rritur me 14% nga një vit më parë.

Edhe shpenzimet janë rritur për të njëjtën periudhë, por jo sa për t’u rikthyer në deficit. Në 7 muaj, u kryen 326.5 mld lekë, pak më pak se plani dhe 5% më shumë se një vit më parë. Suficiti rezultoi 45 mld lekë, nga 1.4 që ishte parashikuar dhe 15 mld që ishte në 7 mujorin 2022. Sipas llogaritjeve të vetë ministrisë së Financave, rritja është pothuajse 200%.

LEXO EDHE:
- (Zhgj)ëndrra e suficitit buxhetor
- Suficiti i buxhetit, qeveria është në konflikt moral me qytetarët

Të ardhurat

Këtë 7-mujor të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat u rritën me 44 mld lekë. shifra më e madhe erdhi nga TVSH-ja e importit, 82.9 mld lekë, ndonëse me rënie nga një vit më parë, rreth 4%.

Tatimi mbi fitimin ka pasur rritjen më të lartë, me 35% në raport vjetor, përkthyer në 37 mld lekë. Edhe arkëtimet nga tatimi mbi të ardhurat ka rezultuar me rritje të fortë, pothuajse 30%, në vlerën e 33.1 mld lekëve.

Të ardhurat nga TVSH-ja raportohen 26.5 mld lekë, me rritje 22% nga një vit më parë.

Akciza ka futur në arkën e shtetit 32 mld lekë, me rritje vjetore pothuajse 10%. Taksat doganore kanë rezultuar në vlerën 5.1 mld lekë, me rritje 7.5%.

Të ardhurat nga taksat nacionale dhe renta minerare raportohen në rënie nga një vit më parë. taksat nacionale arkëtuan 20.8 mld lekë, 13.3% më pak ndërsa renta vetëm 1.8 mld lekë, 30% më pak.

Sigurimet shoqërore i shtuan arkës së shtetit 80 mld lekë, me rritje 17.2%. Rimbursimet u rritën me 16.2%, në 10.8 mld lekë.

Shpenzimet

Shpenzimet e përgjithshme publike, për shtatë muajt janar-korrik 2023, arritën në rreth 326.5 mld lekë, 91% e planit të periudhës dhe 5% më i lartë se vjet. Deri më tani, sipas planit vjetor, qeveria nuk ka realizuar as gjysmën e shpenzimeve të pritshme.

Pjesa më e madhe e kësaj shumë ka shkuar për shpenzime korrente, 290 mld lekë dhe një vlerë më modeste, 36.5 mld lekë për ato kapitale.

Praktika e qeverisë për të përqendruar investimet kapitale në tremujorin e fundit është kritikuar nga Banka e Shqipërisë dhe ekspertë të tjerë të fushës, që e quajnë të dëmshme. Gjithsesi, në tremujorin e fundit 2022, shpenzimet kapitale nuk patën rritje domethënëse dhe buxheti rezultoi përsëri me suficit të lartë


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë