Editorial

Tava e planit të rimëkëmbjes ekonomike ende në zjarr, por po kaloi koha do të digjet

Ministri i Shtetit Arben Ahmetaj që do të udhëhiqte rimëkëmbjen ekonomike edhe pse zhgjënjeu shumë familjet dhe biznese kur tha  se nuk do të ketë Paketë të Tretë me ndihmë finaciare, arriti të fitojë kohë kur premtoi në vend të saj një Paketë për Rimëkëmbjen Ekonomike.  

“Nuk ka paketë të tretë, ajo që bëmë ishte zgjerim i paktës së dytë, ku e çon numrin e përfituesve 179 mijë . Ka një numër 61 mijë familje që kanë përfituar nga dyfishimi i ndihmës ekonomike. Ne kemi shtyrë edhe pagesën e taksave, kemi falur tatimfitimin për biznesin e vogël, kemi falur kamatëvonesat për energjinë elektrike. Ka edhe garanci sovrane që janë vënë në shërbim të sipërmarrjes. Nuk ka paketë të tretë, do të ketë plan të rimëkëmbjes ekonomike, i cili është plan rimëkëmbjeje deri në 2025”, do të thoshte Ministri Ahmetaj.

Por kur do të bëhet publike paketa dhe ca më shumë kur do të fillojë të zbatohet që të jetë i prekshëm efekti i saj?

Premtimi i parë u bë në fillim të javës së dytë të qershorit, gjatë konferencës në ditën kur Shqipëria doli në tregjet ndërkombëtare me eurobondin e ri 650 mln euro.

Arben Ahmetaj Ministër i Rimëkëmbjes dhe Rindërtimit

Madje, u premtua që kjo paketë do të prezantohej në një “event të madh siç i ka hije, pas një jave”.

Java kaloi, qershori po del dhe ende nuk ka një plan të rimëkëmbjes ekonomike. Një pjesë e madhe e bizneseve teksa janë tharë nga likujditete po thahen dhe nga boja duke i shkruar sugjerime qeverisë, por pas asnjë përgjigje të paktën shpresëdhënëse në këmbim.

Deri tani bizneset nga ky plan për Rimëkëmbjen Ekonomike dinë vetëm titullin, asnjë detaj më shumë.

Të pyetur nga gazeta “Si” Nikolin Jaka nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Gjergj Buxhuku nga Konfindustria, Florja Zekja nga Pro Export, thanë se janë asfare në dijeni për Paketën e Rimëkëmbjes dhe nuk i ka thirrur kush në ndonjë takim konsultativ të mundshëm rreth kësaj pakete, duke marrë parasysh peshën e bizneseve në ekonominë e vendit.

Luan Bregasi i Birra Tirana thotë se “Situata e pandemisë ku është i detyrueshëm distancimi social, vënia e maskave dhe rrallimi i takimeve, ka sjellë një distancim mes bizneseve dhe institucioneve. Por në fakt kjo situatë është përdorur si justifikim se ka shumë mënyra komunikimi. Por kjo situatë ka nxjerrë edhe një herë në pah, mungesën e vullnetit të qeverisë për të bashkëpunuar. Ne shohim në medie hapje kantieresh, nisma, etj, por askush nuk na fton për diskutim. Nuk jemi në dijeni për Palnin e Rimëkëmbjes se çfarë ka, çfarë do të thotë. Nuk ka na thirru njeri”.

Ndoshta zoti Ametaj ka vendosur ta thurr planin për shpëtimin pa bizneset dhe për këtë mund ta gënjej mendja se paçka se ata nuk janë të ftuar në tryeza, se do të ketë një paketë. Por drafti  nëse ka një të tillë, jo vetëm që nuk është bërë publik, por as nuk është futur në kalendaret e komisioneve parlamentare, ndërkohë që koha fluturon dhe ekonomia, bizneset dhe familjet kanë nevojë emergjente. Ky sesion  parlamentar mbaron në korrik dhe nëse Plani i Rimëkëmbjes do të kalojë me nxitim, atëherë kjo prapë nuk është një gjë e mirë. Pa pyetur bizneset, me shanse për t’u formësuar në nxitim dhe me kohën që po kalon, ky Plan që në filllim nuk premton shumë. Ndoshta gabojmë dhe urojmë që të jetë kështu, por tani për tani derisa “tava” e Planit të Rimëkëmbjes 5 vjeçare të Shqipërisë të piqet, të gjithë do të përkundin në prehër propagandën.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë