Arsim

Tarifat studentore, Senati i UT kundër kryeministrit

Senati Akademik i Universitetit të Tiranës ka dalë në mbështetje të protestës studentore që vijon prej 8 ditësh në rrugët e kryeqytetit dhe jo vetëm.
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Senati bën me dije se në mbledhjen e sotme u arrit unanimisht që të gjitha kërkesat e studentëve të plotësohen.
Po ashtu bie në sy edhe fakti se sipas Senatit, pika 4, tashmë e shfuqizuar nga Ministria e Arsimit, që lidhet me tarifat për provimet e mbartura, nuk është propozuar nga Universiteti, por nga Këshilli i Ministrave.
Më herët, kreu i qeverisë në një dalje në “Facebook”, u shpreh për këtë çështje se tarifat i kishte caktuar Rektorati.

-Universiteti i Tiranës nuk ka bërë asnjë kërkesë për vendosje tarifash për provime të mbartura (pika 4. e shfuqizuar e vendimit nr. 288 datë 21.05.2018, të Këshillit të Ministrave,
“Për miratimin e kufirit maksimal të tarifës vjetore të shkollimit për studentët që ndjekin studimet në institucionet publike të arsimit të lartë, në një program të ciklit të parë të studimeve, në një program të integruar të studimeve ose në një program të studimeve profesionale me kohë të plotë).

-Universiteti i Tiranës mbështet kërkesën e studentëve për përgjysmimin e tarifave të studimit dhe ngarkohet Bordi i Administrimit të bëjë përllogaritjen e efekteve financiare të UT-së.

-Në kuadër të arsimit cilësor, etikës në kërkim, transparencës dhe përfshirjes më të gjerë të studentëve, merr përsipër të përshpejtojë të gjitha mekanizmat përkatëse materiale dhe procedurale për realizimin e tyre brenda këtij viti akademik.

-Në aktet e brendshme të Universitetit do të parashikohen rregulla të qarta për rritjen e pjesëmarrjes së studentëve në veprimtaritë akademike dhe financiare.

-Universiteti i Tiranës merr përsipër ngritjen e një grupi të përbashkët pune pedagogë-studentë për shqyrtimin e të gjitha problematikave të ngritura si dhe të çështjeve të tjera që lidhen me përmirësimin e veprimtarisë së UT-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë