Ashtu sikurse përshkruhet në romanin “Lufta e Botëve”, shkencëtarët tani tregojnë që njerëzit dhe gjitarët e tjerë duhet të luftojnë me mikrobet që vijnë nga planetët e tjerë.
Duke pasur parasysh kushtet e duhura dhe përzierjen e elementeve, është e imagjinueshme që mikroorganizmat siç janë bakteret dhe viruset mund të ekzistojnë përtej Tokës, ndërkohë që ka plane për të kërkuar shenja të tyre në Mars, Saturn dhe Jupiter. Format e jetës së huaj teorikisht mund të përbëheshin nga aminoacide të ndryshme për ata që na njohin në Tokë.
Aminoacidet janë komponimet themelore organike që formojnë bazën për tërë jetën siç e njohim ne dhe përbëhen nga azoti, karboni, hidrogjeni dhe oksigjeni. Shkencëtarët nga Universitetet e Aberdeen dhe Exeter testuan se si qelizat imune të gjitarëve iu përgjigjën peptideve që përmbajnë dy aminoacide që janë të rralla në Tokë, por që zakonisht gjenden në meteorite.
Aminoacidet “izovaline” dhe “acidi aminoobutirik” u prezantuan te minjtë, të cilët kanë sistem imunitar të ngjashëm me njerëzit. Ata zbuluan se sistemet imune të atyre minjve iu përgjigjën peptideve “të huaj” në një mënyrë që ishte “më pak efikase” sesa mikrobet nga ky planet.
Ekipi hulumtues ekzaminoi qelizat T të gjitarëve, të cilët normalisht punojnë për të vrarë trupa patogjenë dhe mund të rekrutojnë qeliza të tjera për të luftuar sëmundjet pushtuese. Por kur shkencëtarët prezantuan aminoacidet e gjetura në meteoritet, përgjigja e qelizës T ishte më pak efikase, me nivele aktivizimi 15 përqind dhe 61 përqind, krahasuar me 82 përqind dhe 91 përqind kur ekspozohej ndaj peptideve të bëra tërësisht nga aminoacide që janë të zakonshme në Tokë.
“Jeta në Tokë mbështetet në 22 aminoacide thelbësore. Hetimi ynë tregoi se këto ekzo-peptide ende ishin përpunuar dhe qelizat T akoma ishin aktivizuar, por këto përgjigje ishin më pak efikase sesa për peptidet “e zakonshëm” të Tokës. Prandaj, ne spekulojmë se kontakti me mikroorganizmat jashtëtokësorë mund të përbëjë një rrezik imunologjik për misionet hapësinore që synojnë të marrin organizmat nga eksoplanetet dhe Hëna,” tha autori kryesor Katja Schaefer, nga Universiteti i Exeter.
Hulumtimi do të publikohet në revistën “Mikroorganizmat”, me titullin, “Një përgjigje e dobësuar imunitare ndaj ekzo-peptideve sintetike parashikon një rrezik potencial të bio-sigurisë në marrjen e ekso-mikroorganizmave”.
Zbulimi i ujit të lëngshëm në disa vendndodhje në sistemin diellor ngre dyshime që jeta mikrobike të mund të kishte evoluar gjithashtu jashtë Tokës, e për këtë arsye mund të futet aksidentalisht në ekosistemin e Tokës.
Çështja e mikrobeve të huaja është një përparësi në rritje, pasi misionet në planetet e tjerë po bëhen më të zakonshëm. Emiratet e Bashkuara Arabe kohët e fundit filluan misionin e tyre të parë në Mars, duke dërguar Hope Probe nga Japonia për një udhëtim shtatëmujor.
Kina dërgoi gjithashtu roverin “Pyetjet në Parajsë” për një eksplorim 90-ditor të Planetit të Kuq.
Kohët e fundit NASA i dha Institutit “Seti” një kontratë për të siguruar që jeta e huaj nuk e ndot Tokën.
Kontrata mbulon misionin Mars 2020 dhe misionin Europa Clipper, i cili do të dërgojë sondat në një hënë të Jupiterit.
Studiuesit tani thonë se mund të ketë më shumë se 30 civilizime të huaja në Galaktikën tonë. Ky vlerësim vjen nga supozimi se jeta do të zhvillohej në planetë të tjerë si ajo në Tokë.
Burimi: The Independent. Përktheu: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.