Futboll

Talentet shqiptarë “pushtojnë” Anglinë. 'The Sun' i dedikon një shkrim Armando Brojas

Të shumtë janë talentet shqiptarë që po shkëlqejnë nëpër skuadrat e ndryshme të Anglisë, por dy lojtarët e momentit janë Armando Broja dhe Armando Dobra. Të dy futbollistët kuqezi kanë gjetur rrjetën për skuadrat e tyre.

Armando Broja

Në ndeshjen e fundit, përballë rivalëve të Tottenham U-23, e mbyllur në shifrat 0-1, sulmuesi i Shpresave kuqezi ishte autori i golit të vetëm në këtë sfidë, duke i dhënë fitoren kryeqytetasve në minutën e 82-të. Kjo fitore, e ngjiti Chelsean në krye të tabelës. Forma e treguar nga Broja, ka tërhequr vëmendjen e prestigjiozes britanike “The Sun”. Në një artikull rreth futbollistëve të rinj me të ardhme premtuese, që janë pjesë e moshave te Chelsea, përfshihet edhe shqiptari Broja. Ndër të tjera, britanikja shkruan se këta të rinj meritojnë një shans nga trajneri Frenk Lampard dhe duhet rritur vëmendja karshi tyre.

“Broja ndoshta nuk do të jetë në skuadër në ndeshjen e FA Cup, por ai e ka të ardhmen të sigurt. Lojtari i Shqipërisë U-19 ka shënuar 9 gola në 9 ndeshje për këtë sezon dhe po tregon të gjitha shenjat që do të jetë një talent në të ardhmen. Ai absolutisht e meriton një ftesë”,

Ndërkohë, Armando Dobra shënoi që në ndeshjen e tij të parë të vitit me fanellën e Ipsuiç U-23. Skuadra e shqiptarit fitoi me rezultatin 1-3 përballë Charlton U-23. Dobra shënoi golin e dytë për skuadrën e tij, në minutën e 83-të. Ky është goli i dytë në po aq ndeshje të luajtura me ekipin e U-23, duke shfaqur hapur talentin e tij.

Armando Dobra

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë