Më të mirat 2022

Taksa e hirrës së qumështit dhe ‘shëllira’ e Ministrisë së Financave që dëmtoi të gjithë

Nga Megi Iskurti - Qeveria “bëri prapakthehu” nga taksa për hirrën dhe kremin e qumështit e cila kishte hyrë në fuqi që nga një janari i këtij viti, dhe propozoi heqjen e saj në paketën e re fiskale të 2023-shit.

Aplikimi i kësaj takse, në vlerën 150 lekë/litër u prit që në fillim me shqetësim nga bizneset.

Me arsyetimin se do të ndikonte ndjeshëm në rritjen e kostove të produkteve për kompanitë eksportuese të cilat përdornin si lëndë të parë hirrën e qumështit, ata shprehën kundërshti edhe për faktin se do ishin jokonkurruese në tregjet e tjera.

Dhe në fakt, sipas tyre, ashtu ndodhi.

Nga Shoqata e “Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë”, thonë për Gazetasi.al se aplikimi i saj përgjatë këtij viti, rriti me 5% kostot për prodhuesit e çokollatës, kruasantëve dhe biskotave.

“Aplikimi i kësaj takse ndikoi ndjeshëm tek konkurrueshmëria dhe shtoi barrën e prodhuesve vendas. Taksa që prodhuesit shqiptarë paguanin për hirrën, ishte më e lartë se çmimi i shitjes së produktit.

Gjithashtu edhe impakti që kjo taksë kishte në të ardhurat e shtetit ishte gati i papërfillshëm pasi sasia vjetore e importuar në rang vendi për hirrën e qumështit është deri në 600 ton”, tha Hilda Baraj, kryetarja e bordit të kësaj shoqate.

Ideatorët e taksës së hirrës në Ministrinë e Financave thanë atëbotë se kjo taksë “kishte në fokus sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit”(relacioni shpjegues i ligjit, nëntor 2021).

Të njëjtët ideatorë sot në relacionin që shoqëron projektligjin e depozituar në Kuvend thonë se kjo politikë e ndjekur këtë vit ka dëmtuar prodhuesit vendas.  

Në relacion theksohet se gjatë 2022-shit, në të cilin janë aplikuar këto taksa, ka pasur shumë kërkesa për rishikimin e tyre nga subjektet eksportuese, të cilat përdorin si lëndë të parë hirrën e qumështit për prodhimin e produkteve të tilla si, kruasantët, biskotat dhe produkte të tjera të kësaj natyre.

Edhe të ardhurat qeveritare në buxhet nga kjo taksë gjithashtu kanë qenë gati të papërfillshme, me rreth 13.6 milionë lekë për periudhën janar-shtator 2022 dhe parashikohet të arrijnë në total 18 milionë lekë gjatë vitit 2022, sa 0.0009% e PBB-së së pritshme.

Ilir Pilku, ekspert i sigurisë ushqimore thotë për Gazetasi.al se nga pikëpamja e konsumatorit, heqja dorë nga ky ligj ishte gjëja më e mirë që qeveria mund të bënte.

Ilir Pilku citon se ishte e udhës që qeveria të hiqte dorë nga kjo taksë

“Që në fillim isha kundër një ligji të tillë. Qeveria ka bërë atë që duhet sepse hirra kalonte në procese teknologjike të përpunimit dhe kjo ulte sigurinë ushqimore.

Nëse futet në një proces teknologjik duke i shtuar vaj palme, ajo mund të dali me nënprodukte kosi deri te djathi. Dhe ky procesim teknologjik ndikonte drejtëpërdrejtë konsumatorët në uljen e vlerave ushqimore”, thotë ai për Gazetasi.al.

Pilku shton se hirra kishte për qëllim të kalonte në disa procese teknologjike me qëllim që të kalonte si lëndë e parë.

“Nuk është se do vinte një hirrë e paketuar, që do shitej si e tillë, por ajo ka pasur qëllim që të kalonte në procese teknologjike si lëndë e parë për të prodhuar kos dhe djath. E keqja ishte se vetë hirra është një nënprodukt i qumështit që shfaq problematika nëse nuk kalon disa procese ruajtje në temperatura të caktuara kur bëhet fjalë për transportin e saj.

Kthehet në një nënprodukt të dëmshëm dhe kush do e siguronte këtë lloj transporti me kondicione frigoriferike të larta?”, përfundon ai mandej duke thënë se ishte e udhës që qeveria të hiqte dorë nga kjo taksë.

Si rezultat, brenda një viti kemi një taksë e cila reduktoi buxhetin e familjeve, përkeqësoi bilancet e bizneseve por edhe uli sigurinë e shëndetit të konsumatorëve.

Por sigurisht, sikur të mos ketë ndodhur asgjë, askush nuk mbajti përgjegjësinë, të paktën atë morale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë