Shendet

Takipirina dhe Depon 500 nuk gjenden në farmaci, po blihet me shumicë për t’u pasur “gjendje” në shtëpi

“Kam kërkuar Takipirinë dhe depon 500 në katër farmaci këtu në “Myslym Shyr” dhe deri tani nuk kam gjetur. Farmacistët më thonë se mungojnë prej disa ditësh sepse njerëzit i kërkojnë shumë”, tregon 50 –vjeçari F.T i cili ishte zgjuar me temperaturë dhe mjeku i ka rekomanduar të marri një nga këto dy medikamente për t’u qetësuar.
Duke u nisur nga ky shqetësim i qytetarit, Gazetasi.al foli me disa farmaci në Tiranë, ku i treguan po të njëjtën gjë. Ato thonë se këto medikamente janë në mungesë prej 6 ditësh nëpër depo farmaceutike.

Një pako nga të dyja medikamentet kushton 400 lekë(Takipirina) dhe 500 lekë(Depon 500) po njerëzit nuk kanë hezituar të marrin me sasi, pavarësisht çmimit.
“Mua më duhet Takipirina se e përdor si qetësues, kur kam dhimbje koke, por tre farmaciste të cilave ua kam kërkuar, këtu në zonën e “Yzberishtit” më kanë thënë se medikamentet janë në mungesë se njerëzit po i marrin me sasi që t’i kenë. Më thanë se ka marrë edhe 5 pako një person. Më shumë këta që kanë të njohur të sëmurë me Covid-19,” tregon A. O, një i ri 25-vjeçar.

Mungesa e këtyre medikamenteve, kryesisht e Takipirinës konfirmohet edhe nga kompania farmaceutike “Pharma One”, e cila shpjegon për Gazetasi.al se Takipirina gjithnjë bëhet shpejt mungesë për shkak sepse blihet shumë.
Është e ditur tashmë, që Takipirina dhe Depon 500 si një medikament alternativ i saj janë tepër të rëndësishëm për trajtimin e covid-19. Për shkak të kohës dhe vështirësisë nga virusi tashmë njerëzit po marrin shumë, për të qenë të sigurt që do të kenë sasi dhe raftet e farmacive zbrazen shumë shpejt.

E përcaktuar dhe në protokollin për trajtimin në shtëpi si një medikament tepër i rëndësishëm Takipirina këshillohet nga mjekët, ndërkaq ata nuk e dinë që ky medikament është në mungesë.
Në protokoll përcaktohet qartë se Takipirina duhet të jepet rreth 1 gramë dy herë në ditë, duke e tretur në një gotë me ujë dhe përdorimi i saj do të lehtësojë gjendjen e mialgjisë (dhimbjet e muskujve, të cilat mund të përfshijnë ligamente, indet e buta që lidhin muskujt, kockat dhe organet). Kjo është hera e disatë që këto medikamente të rëndësishme stërmundojnë qytetarët e Tiranës. Edhe më herët Gazetasi.al ka konstatuar mungesën e këtyre medikamenteve, të cilat në mënyrë të përsëritur nuk gjenden.

Më herët Gazetasi.al ka folur gjithashtu edhe me Agjencinë e Barnave, ku u shpjegua se Takipirina është një medikament OTC që mund të merret pa rekomandimin e mjekut. Duke u bazuar mbi ligjin, agjencia është shprehur se Neni 32 pika 1 “Barnat e autorizuara në Republikën e Shqipërisë importohen nga importuesit e autorizuar nga kompanitë mbajtëse të autorizimit të tregtimit, pas pajisjes me autorizim importi të lëshuar nga Agjencia, në bazë të regjistrit të botuar të barnave” çka do të thotë se çdo subjekt farmaceutik që ushtron veprimtarinë e tij në Republikën e Shqipërisë, mund të importojë barna nga kompanitë mbajtëse të autorizimit për tregtim (në botë) kjo falë marrëveshjeve/kontratave që realizojnë mes tyre".
Ndërkaq edhe farmacistët me të cilët Gazetasi.al ka folur thonë se duke qenë që barnat janë OTC, pra pa rekomandimin e mjekut, janë më lehtë për t’u marrë edhe me sasi të mëdha.
Ky problem është zgjidhur nga farmacistët duke i sugjeruar klientëve të tyre të marrin paracetamol të thjeshtë dhe duke pirë vazhdimisht, çdo dy orë në mënyrë që të ketë efekt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë