Media Galeri

Tajlanda rihap gjirin Maya për njerëzit pas tre vitesh mbyllje

Gjiri tajlandez që u bë i famshëm në filmin The Beach me Leonardo DiCaprio është rihapur pas më shumë se tre vitesh.

Maya Bay, në ishullin Phi Phi Leh, u mbyll në vitin 2018 pasi zyrtarët thanë se një rritje e vizitorëve kishte dëmtuar rëndë mjedisin.

Por tani turistët po lejohen të kthehen për shkak të rimëkëmbjes së ekosistemit.

“Një maksimum prej 375 vizitorësh do të mund të vizitojnë Maya Bay në të njëjtën kohë ndërsa noti do të ndalohet për momentin”, thonë zyrtarët.

“Peshkaqenët janë kthyer, shkëmbinjtë koralorë po rriten sërish dhe uji është përsëri i pastër”, tha Yuthasak Supasorn, guvernatori i Autoritetit të Turizmit të Tajlandës, për Reuters.

“Këto gjëra tregojnë se natyra do të shërohet nëse i japim kohë dhe ne duhet të punojmë për t’u kujdesur për të”, tha Supasorn.

Varkat do të lejohen të ankorohen vetëm në një vendndodhje specifike për të shmangur dëmtimin e shkëmbinjve koralorë, kanë thënë zyrtarët.

Në vitin 2008, kishte rreth 170 njerëz që e vizitonin në ditë. Por deri në vitin 2018 numri ishte rritur në rreth 5000 në ditë dhe shumica e koraleve të saj u dëmtuan si rezultat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë