Shendet

Sytë nga Covid, por sëmundjet e tjera po marrin jetë në heshtje

Diabeti, sëmundjet e zemrës, tumori dhe të tjera sëmundje ngjan se po shkaktojnë më tepër vdekje gjatë kësaj periudhe pandemie në krahasim me vite të tjera. Madje, numri i vdekjeve të shkaktuara nga këto sëmundje nganjëherë është tepër i lartë krahasuar edhe me ato të shkaktuara nga COVID-19.

Sipas një sondazhi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shërbimet e parandalimit dhe trajtimit të sëmundjeve jo infektive thuajse janë ndërprerë që kur filloi pandemia e COVID-19.

Sondazhi i zhvilluar disa muaj më parë në 155 vende gjatë një periudhe 3-javore konfirmoi se ndikimi është global, por se vendet me të ardhura të ulëta janë më të prekurat.

 “Rezultatet e këtij sondazhi konfirmojnë atë që kemi dëgjuar”,- u shpreh Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Shumë njerëz që kanë nevojë për trajtim për sëmundje, si: kanceri, sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti nuk kanë marrë shërbimet shëndetësore dhe ilaçet që u duhen që nga fillimi i pandemisë COVID-19. Është jetike që vendet të gjejnë mënyra inovative për të siguruar që shërbimet thelbësore për sëmundje të tjera të vazhdojnë, edhe pse lufta për COVID-19”, – vijon ai.

Një studim i kohëve të fundit që ka marrë në shqyrtim vëren se shërbimet shëndetësore janë ndërprerë pjesërisht ose plotësisht në shumë vende. Më shumë se gjysma (53%) e vendeve të anketuara kanë ndërprerë pjesërisht ose plotësisht shërbimet për trajtimin e hipertensionit; 49% për trajtimin e diabetit dhe ndërlikimeve të lidhura me diabetin; 42% për trajtimin e kancerit dhe 31% për urgjencat kardiovaskulare.

Çdo gjë që konsiderohej jo urgjente u vonua ose u ndërpre: që nga operacione të caktuara në shërbime të shëndetit seksual, programe ndalimi të pirjes së duhanit, mbështetje të shëndetit mendor, stomatologji, vaksinime, shqyrtime të kancerit dhe kontrolle rutinë.

Në të gjithë globin, pacientët kanë raportuar se u është mohuar kujdesi për kancerin, dializa e veshkave dhe operacionet urgjente të transplantit, me rezultate ndonjëherë fatale.

Në Ballkan, gratë janë detyruar madje të provojnë vetë aborte të rrezikshme, eksperimentale, ndërsa ekspertët në Mbretërinë e Bashkuar kanë raportuar një rritje të improvizimeve të shërbimeve stomatologjike nga vetë njerëzit.

Ndërsa ndërprerja e shërbimeve shëndetësore lidhet edhe me atë se njerëzit janë të trembur. Janë të shumtë ata që nuk shkojnë të bëjnë kontrolle shëndetësore nga frika e infektimit. Këtu ndikon edhe moskryerja e kontrolleve shëndetësore rutinë, kontrolle që do të sillnin identifikim të hershëm të sëmundjeve të ndryshme dhe trajtim shumë më të lehtë të tyre, pa çuar në fatalitet.

Spital, urgjenca, foto ilustruese. Gazeta “Si”

Situata ngjan se po përjetohet edhe në Shqipëri

“Ditët e fundit situata është shumë e rënduar. Është vështirë pjesa e kryerjes së ekzaminimeve në ambiente të Poliklinikës Qendrore, pasi mendojnë që risku është shumë i madh atje dhe në spital.”- shprehet për gazetën “Si”, Ermelina Brami, mjeke familjeje.

 “Problem janë moshat e treta, që kanë shumë probleme kronike dhe mbase ju duket që mund t’i kemi lënë pas dore. Është situatë shumë e vështirë për të gjithë. Mundohemi t’u shërbejmë dhe qëndrojmë pranë të gjithëve që kanë nevojë për ndihmën tonë. Celularët tanë nuk pushojnë deri në orët e vona të darkës. Mundohemi të bëjmë më të mirën tonë për t’i qëndruar pranë gjithkujt. Dihet që ka mungesë mjekësh. I shërbejmë një numri dyfish të pacientëve”, vijon ajo.

Ambulanca Qëndrore

Ngarkesa lidhet sigurisht me trajtimin e pacientëve COVID, të cilët trajtohen sipas një protokolli të caktuar nga mjekët e familjes.

“Kemi një protokoll trajtimi të pacientëve Covid: rastet kur i trajtojmë ne dhe kur i referojmë. Por duke parë numrin e lartë të pacientëve kjo situatë ndryshon. Aktualisht po mbajmë në trajtim dhe pacientë me saturime pak më të ulëta se më parë, për shkak dhe të gjendjes së krijuar në spital. Mundohemi të mos mbingarkojmë spitalin, duke i trajtuar sipas protokolleve tona në konsultë me infeksionistin ose pneumologun.”

Në fakt, nuk janë të pakta rastet kur qytetarët ankohen se presin me ditë të tëra për të marrë shërbim dhe në disa raste u është rrezikuar edhe jeta, ndërsa ka dhe nga ata që nuk kanë arritur të mbijetojnë.

“Është e tmerrshme. Po kalojmë kohë të vështira. Korona nuk është aq e rrezikshme sa janë sëmundjet e tjera, që po bëjnë kërdinë”,– shprehet një qytetare.

Ndërsa një tjetër qytetare pohon se ka shtyrë kontrollin mjekësor për ekzaminim të një tumori.

“Mendoj se nuk është periudha e duhur për të shkuar në klinika apo spital. Për më tepër nuk kam besim te mjekët këtu”, -pohon gruaja rreth të 40-ave.

Një studim në Revistën e Shoqatës Mjekësore Amerikane- “JAMA” zbulon rritje të madhe të numrit të vdekjeve nga nga sëmundje, si: diabeti, sëmundjet e zemrës dhe sëmundja Alzheimer në Massachusetts, Michigan, Neë Jersey, New York dhe Pennsylvania – pesë shtetet me më shumë vdekje nga COVID-19 në mars dhe prill në SHBA.

Qyteti i Nju Jorkut përjetoi kërcimet më të mëdha, duke përfshirë një rritje prej 398% të vdekjeve nga sëmundjet e zemrës dhe një rritje 356% të vdekjeve nga diabeti.

Shtyrja e programeve të depistimit publik (për shembull për kancerin e gjirit dhe qafës së mitrës) ishte gjithashtu e përhapur, e raportuar nga më shumë se 50% e vendeve.

Kjo ishte në përputhje me rekomandimet fillestare të OBSH-së, për të minimizuar kujdesin jo urgjent të bazuar në struktura ndërsa luftohej pandemia.

Por arsyet më të zakonshme për ndërprerjen ose zvogëlimin e shërbimeve ishin anulimet e trajtimeve të planifikuara, një rënie në transportin publik në dispozicion dhe mungesa e stafit, sepse punonjësit shëndetësorë ishin riemëruar për të mbështetur shërbimet COVID19. Në një në pesë vende (20%) që raportuan ndërprerje, një nga arsyet kryesore për ndërprerjen e shërbimeve ishte mungesa e ilaçeve, diagnostikimit dhe teknologjive të tjera.

Siç mund të pritet ekziston një korrelacion midis niveleve të ndërprerjes së shërbimeve për trajtimin e sëmundjeve jo-infektive dhe evolucionit të shpërthimit të COVID-19 në një vend. Shërbimet ndërpriten gjithnjë e më shumë ndërsa një vend kalon nga rastet sporadike në transmetimin e koronavirusit në komunitet.

Strategjitë alternative  

Gjetjet inkurajuese të sondazhit ishin se strategjitë alternative janë vendosur në shumicën e vendeve për të mbështetur njerëzit në rrezik më të lartë për të vazhduar marrjen e trajtimit për sëmundje të tjera jo infektive.

Midis vendeve që raportojnë ndërprerje të shërbimeve, 58% e tyre tani po përdorin telemjekësinë (këshilla përmes telefonit ose mjeteve online), për të zëvendësuar konsultat personale. Në vendet me të ardhura të ulëta kjo shifër është 42%.

E njëjta formë shërbimi po ndiqet edhe në vendin tonë, ku shumë pacientë qëndrojnë në lidhje të vazhdueshme me mjekun përmes komunikimit në telefon apo me metoda të tjera alternative.

“Në qendra shëndetësore ka shtim të fluksit të pacientëve, që kërkojnë ndihmë për Covid. Rastet që ne monitorojmë janë të rritura ndjeshëm këtë javë. Kemi gjetur zgjidhje me pacientë kronikë me patologji të tjera, që janë të stabilizuar në parametrat e tyre. Ju shërbejmë duke ia dërguar kodet për të marrë mjekimin mujor. Është e vërtetë që ka frikë nga pacientët për probleme të tjera që paraqiten në klinikë, por gjithsesi kontaktojnë dhe me telefon me ne.” shprehet mjekia Ermelina Brami.

Fatmirësisht ngjan se së fundi njerëzit po i drejtohen sërish mjekëve dhe po fillojnë kontrollet mjekësore për sëmundje të tjera, duke lënë disi mënjanë frikën nga COVID apo duke mësuar të bashkëjetojnë me të.

 “Ne kemi shtim të numrit të vizitave në total, të atyre që paraqiten, pa llogaritur ata që komunikojmë në celular me ne. Ose që vjen ndonjë i afërm.”

Edhe për mjeken Klaudia Karaj frika nga pandemia është e dukshme dhe uli së tepërmi kontrollet për sëmundje të tjera, por situata ka filluar të ndryshojë.

“Si fillim, vëmendja e përqendruar ndaj Covid 19 uli numrin e pacientëve, që paraqiteshin në spital për ankesa apo simptoma të lidhura me sëmundje të tjera.  Ky numër i pacientëve që vinin për kontroll ishte i ulët edhe për shkak të frikës.

Por gjatë muajve të fundit situata ka ndryshuar. Pasi pandemia po zgjat, njerëzit e kanë kuptuar që jo çdo simptomë lidhet me COVID dhe po i tregojnë vëmendje sëmundjeve të tjera, duke kërkuar ndihmën e specialistëve”, shprehet Karaj për gazetën “Si”.

Sipas saj, “Pandemia në hark kohor afatgjatë po bën që njerëzit të tregojnë më shumë kujdes për shëndetin e tyre, të ndërgjegjësohen e të kërkojnë ndihmë nga personeli mjekësor dhe mjekët, që në fillim të shfaqjes së simptomave, ose dhe thjesht për ekzaminime kontrolli rutinë.”

Një fenomen i tillë ngjan se po ndodh në përgjithësi në të gjithë botën, ku sipas një sondazhi, ku u përfshinë mbi 150 vende, më shumë se 70% e vendeve raportuan se mbledhin të dhëna për numrin e pacientëve me COVID-19, të cilët gjithashtu kanë një sëmundje tjetër.

“Do të kalojë ca kohë para se të dimë shkallën e plotë të ndikimit të ndërprerjeve në kujdesin shëndetësor gjatë COVID-19 tek njerëzit me sëmundje jo-infektive”, shprehet Dr. Bente Mikkelsen, Drejtori i Departamentit të Sëmundjeve Jo-infektive në OBSH.

“Ajo që dimë tani, megjithatë, është se jo vetëm që njerëzit me sëmundje të tjera janë më të prekshëm ndaj sëmundjes serioze me virusin, por shumë prej tyre nuk janë në gjendje të marrin trajtimin e duhur për të menaxhuar sëmundjet e tyre. Është shumë e rëndësishme, jo vetëm që kujdesi për njerëzit që jetojnë me sëmundje të tjera të përfshihet në planet kombëtare të reagimit dhe gatishmërisë për COVID-19, por që të gjenden mënyra inovative për të zbatuar ato plane.

Ne duhet të jemi të gatshëm të “ndërtojmë më mirë” ̶ forcimin e shërbimeve shëndetësore, në mënyrë që të jenë më të pajisura për të parandaluar, diagnostikuar dhe ofruar kujdes për sëmundjet e tjera jo infektive në të ardhmen, në çdo rrethanë” – vijon Mikkelsen.

Sëmundjet jo infektive shkaktojnë humbjen e 41milion njerëzve çdo vit, një shifër kjo e barabarët me 71 përqind të të gjithë vdekjeve të shkaktuara në të gjithë botën.

Çdo vit, 15 milion njerëz që humbin jetën nga këto sëmundje i përkasin grupmoshës 30 deri në 69 vjeç. Më shumë se 85% e këtyre vdekjeve të parakohshme ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Shpërthimi i kolerës dhe poliomelitit?

Siç ndodh me të gjitha krizat, pandemia aktuale duket se do të godasë më fort vendet më të varfëra. Shkencëtarët kanë paralajmëruar që, në disa vende, mungesa në kontrollin e sëmundjeve të tilla, si: HIV, tuberkulozi dhe malaria mund të çojë në humbje jete në të njëjtën shkallë me ato të shkaktuara direkt nga virusi.

Në mënyrë të ngjashme, ekspertët kanë frikë se vdekjet nga sëmundje të tilla si kolera mund të tejkalojnë ato nga vetë Covid-19.

Kolera, foto ilustruese

Vaksinimet janë një shqetësim i veçantë. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka llogaritur që të paktën 80 milion fëmijë nën moshën një vjeç tani janë në rrezik nga difteria, poliomeliti dhe fruthi, pas ndërprerjes së programeve të ndërhyrjes pandemike në të paktën 68 vende. Poliomieliti pritet të rikthehet megjithë një përpjekje prej shumë miliarda dollarësh që shtrihej në dekada.

Ndërkohë, David Beasley, drejtori ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara paralajmëroi muajin e kaluar se bota po shkonte buzë urisë me përmasa “biblike” – me 130 milion njerëz në rrezik urie.

Për epidemiologun Timothy Roberton, së bashku me kolegët nga Universiteti Johns Hopkins, Maryland, efektet anësore të pandemisë u bënë shqetësuese shumë shpejt pasi filloi pandemia.

“Në veçanti ndikimi është më i madh te gratë dhe te fëmijët te vendet me të ardhura të ulëta. Nga ana tjetër, punonjësisht shëndetësorë po sëmuren vetë ndërsa rrezik më vete është edhe pakësimi i ilaçeve.

Veç të tjerash, shumë familje nuk kanë mundësi për ushqim të mjaftueshëm, gjë që mund të rrisë ndjeshmërinë e tyre ndaj sëmundjeve infektive”.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë është vlerësuar se të paktën 80 milion fëmijë nën moshën 1 vjeçare janë në rrezik nga difteria, poliomeliti dhe fruthi.

Shumica e rasteve të humbjeve të jetës së fëmijëve, sipas Roberton ka mundësi të ndodhin nga pneumonia ose dehidrimi për shkak të diarresë, ndërsa për gratë, ndoshta për shkak të komplikimeve nga shtatzënia ose hemorragjia pas lindjes së fëmijëve, eklampsia (gjendje e shkaktuar nga tensioni i lartë i gjakut e që mund të çojë në konvulsione e deri në koma) dhe sepsis (një problem shëndetësor serioze i shkaktuar nga prania e mikroorganizmave të dëmshëm në gjak ose në inde dhe organe ndaj të cilave trupi përgjigjet, duke çuar në keqfunksionim të organeve të ndryshme, në gjendje shoku dhe vdekje).

Problem edhe qytetet e mëdha

Por një problem i madh nuk janë vetëm vendet e varfëra në botë, por edhe qytetet e mëdha, ku pandemia po godet më rëndë.

Disa ekspertë mendojnë se 60 000 paicentë që vuajnë nga kanceri mund të vdesin vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, si rezultat i diagnostikimit të vonuar dhe trajtimit jo në kohë.

Ata ritheksojnë se më shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara po vdesin gjatë pandemisë COVID-19, por jo vetëm për shkak të koronavirusit.

Një arsye, sipas ekspertëve, është se njerëzit me sëmundje të tjera mund të mos kërkojnë ndihmë. Ky përfundim po del nga hulumtimi i ri që tregon se vdekjet po rriten nga shkaqe të tilla, si: sëmundjet e zemrës, goditja në tru dhe diabeti.

“Një faktor që mund të kontribuojë është se njerëzit kanë frikë të vijnë për kontroll mjekësor”, thotë Dr. Steven Woolf, profesor i mjekësisë familjare dhe shëndetit të popullsisë në Universitetin e Commonwealth Virginia në Richmond.

“Ne duhet t’i sigurojmë ata se rreziku i mos marrjes së kujdesit është më i madh se rreziku i ekspozimit ndaj virusit”- vijon ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë