Pusho shqip është kryefjala e ftesës gjatë kësaj pandemie. Por një nga dashamirësit e natyrës është shqetësuar me shpërdorimin që i është bërë një pasurie që për kryeqytetasit është një destinacion. Ndaj sipas burimeve policore të Gazetës Si ai ka kërkuar ndërhyrjen e policisë. Policë të shumtë janë parë në syrin e Ciklopit, një nga mrekullitë dhe destinacionet që shoqërohet me bukuri natyrore, por edhe legjenda. Por ata nuk shkuan si turistë apo shijues të Syrit të Ciklopit që ndryshe etiketohet edhe si gjurma e Ciklopit.
Burimet bëjne me dije për gazetën Si se alarmi për ndotjen e syrit të Ciklopit u dorëzua nga Xhevahir Filja në pozicionin e administratorit të komanduar të njësisë administrative Krrabë. “Mora dijeni se atraksioni turistik Syri i Ciklopit ishte ndotur me një shtesë balte dhe ky dëm kishte ardhur si pasojë e hapjes së digës që gjendet rreth një kilometër më sipër” kallzon administratori. Më tej banori ka qenë i drejtpërdrejtë dhe akuzon firmën që ka ndërtuar dhe menaxhon, nën dyshimet se sipas tij ka ndotur pikën turistike.
Policia sqaron jo zyrtarisht për gazetën Si se ka thirrur si person që ka dijeni shtetasin S. S, që është punonjës i firmës dhe ai tha se ishin detyruar që të linin një sasi uji. “Për shkak të thatësirës së madhe uji ka qenë pothuajse zero”, justifikohet punonjësi dhe për të lejuar prurjen ekologjike hapëm shkarkuesin fundor me qëllim që uji të kalonte sipas detyrimeve. Mirëpo sipas S.S, sasia e ujit kishte qenë aq e vogël sa kishte marrë me vete baltën dhe llumin.
Policia këmbëngul për gazetën Si se ka kryer një sërë veprimesh të tjera të domosdoshme. “Nga ana jonë u kqyr vendngjarja pohon një burim zyrtar, dhe u vu re se në shtratin e lumit ku gjendet syri i Ciklopit gjendej një shtresë e trashë balte që kishte mbuluar pothuajse të gjithë shkëmbinjtë. Ndërsa Syri i ciklopit ka marrë ngjyrë kafe si ajo e baltës dhe uji i pakët që rrjedh ka ngjyrë balte”. Policia bën me dije se ndërkaq i kërkoi përgjigjje edhe Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, të cilët u urdhëruan të kryejnë inspektim urgjent.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.