Lojëra me Dore

Surprizë në Indian Uells, Novak Gjokoviç eliminohet nga numri 123 në botë

Gazeta Si – Novak Gjokoviç, numri 1 në botë, është eliminuar nga turneu Atp 1000 i Indian Uells. Lajmi ka bërë bujë, sepse ai që e ka eliminuar është numri 123 në botë, Luka Nardi.

Serbi humbi pas 3 setesh, 6-4, 3-6 dhe 6-3. Në 1/8-at ka kaluar tenisti italian, kurse Gjokoviç është detyruar t’i japë lamtumirën para kohe turneut kalifornian. Sapo përfundoi ndeshja, Nardi lëshoi raketën dhe vuri duart në kokë, as vetë nuk po e besonte atë që kishte bërë.

"Është një mrekulli, - ka thënë Nardi në një intervistë për ‘Tennis Channel’. – Jam 20 vjeç dhe po mund Novakun. Kjo është një çmenduri. Para kësaj mbrëmjeje askush nuk më njihte”.

Italiani do të ndeshet me amerikanin Tomi Pol në 1/8-at e finaleve. "Shpresoj që publiku ta ketë shijuar ndeshjen. Jam shumë i kënaqur me këtë rezultat”, - shtoi Nardi. Me mjaft sportivitet foli Gjokoviç: "Nardi hyri si 'lucky loser' në turne dhe nuk kishte asgjë për të humbur. Luajti shumë mirë dhe e meritoi fitoren. U surprizova më shumë nga niveli im, që ishte vërtet shumë i dobët".

Nardi është lojtari me pozicionin më të dobët në renditje që eliminon Gjokoviçin në një turne të kësaj kategorie, apo në një Slam (rekordi i mëparshëm i takonte afrikano-jugorit Kevin Anderson, numrit 122). Italiani është edhe tenisti i 4-t me renditjen më të dobët që mund një numër 1 në fuqi në një master 1000.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë