Gazeta Si – Novak Gjokoviç, numri 1 në botë, është eliminuar nga turneu Atp 1000 i Indian Uells. Lajmi ka bërë bujë, sepse ai që e ka eliminuar është numri 123 në botë, Luka Nardi.
Serbi humbi pas 3 setesh, 6-4, 3-6 dhe 6-3. Në 1/8-at ka kaluar tenisti italian, kurse Gjokoviç është detyruar t’i japë lamtumirën para kohe turneut kalifornian. Sapo përfundoi ndeshja, Nardi lëshoi raketën dhe vuri duart në kokë, as vetë nuk po e besonte atë që kishte bërë.
“Është një mrekulli, – ka thënë Nardi në një intervistë për ‘Tennis Channel’. – Jam 20 vjeç dhe po mund Novakun. Kjo është një çmenduri. Para kësaj mbrëmjeje askush nuk më njihte”.
Italiani do të ndeshet me amerikanin Tomi Pol në 1/8-at e finaleve. “Shpresoj që publiku ta ketë shijuar ndeshjen. Jam shumë i kënaqur me këtë rezultat”, – shtoi Nardi. Me mjaft sportivitet foli Gjokoviç: “Nardi hyri si ‘lucky loser’ në turne dhe nuk kishte asgjë për të humbur. Luajti shumë mirë dhe e meritoi fitoren. U surprizova më shumë nga niveli im, që ishte vërtet shumë i dobët”.
Nardi është lojtari me pozicionin më të dobët në renditje që eliminon Gjokoviçin në një turne të kësaj kategorie, apo në një Slam (rekordi i mëparshëm i takonte afrikano-jugorit Kevin Anderson, numrit 122). Italiani është edhe tenisti i 4-t me renditjen më të dobët që mund një numër 1 në fuqi në një master 1000.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.