Lojëra me Dore

Surpriza Shvartzman, Rafael Nadal përshëndet Romën pas dy setesh

Mbreti i tokës së kuqe ka marrë një leksion të një tenisi të madh nga një “chico” nga Argjentina, që ka shkëlqyer në Romë. Rafael Nadal është eliminuar në çerekfinale të turneut të Romës (i ka ndodhur edhe 3 vjet më parë, kur u mund nga Thiem), duke i lënë vendin Diego Sebastian Shvartzman nga Buenos Airesi, numri 15 në botë.

Argjentinasi kishte vuajtur për të kaluar turin ndaj një kundërshtari modest si Hurcakz, por mbrëmë ka bërë surprizën, duke mundur me dy sete numrin 2 në botë, 6-2 dhe 7-5. Nadal, i cili mungonte prej 6 muajsh, ka gabuar më shumë se zakonisht, duke qenë më pak efikas në shërbime, por diferencën e bëri argjentinasi 1 metër e 70 centimetra i gjatë, që kishte shkuar në gjysmëfinale në Romë edhe vitin e kaluar, kur u ndal nga Gjokoviç. Këtë herë ai nuk gaboi asgjë: reflekse, precizion, kurajë, strategji dhe fuqi. Shvartzman vuri gjithçka në fushë ndaj një Nadali jo në 100% të formës së tij, siç e ka pranuar edhe vetë.

Nadal dhe Shvartzman pas ndeshjes. Gazeta Si, 20 shtator 2020

Spanjolli nuk e nisi keq, por në momentin e 2-2-shit në setin e parë u gjend në disavantazh 0-40 dhe Diego Shvartzman shfrytëzoi shansin, duke nisur pikërisht këtu “fluturimin”. Më pas ai bëri gjithçka mirë, në çdo element, duke e mbajtur Nadalin në fundin e fushës. Nadal nuk fitoi asnjë gejm tjetër dhe seti i parë u mbyll 6-2.

Në setin e dytë pritej që argjentinasi të ulte pak ritmin, por ndodhi e kundërta. Ai luajti si “i tërbuar”. Në gejmin e 5-të, Rafa Nadal humbi shërbimin, por bëri menjëherë “controbreak”, ndoshta duke dashur ta destabilizojë kundërshtarin. Por as që bëhet fjalë, pasi në gejmin tjetër ai e lë Nadalin me 0. Diçka e papranueshme për një tenist të nivelit të Nadalit, i cili ka nevojë të luajë sa më shumë para se të shkojë në Paris.

Seti shkon në barazim 5-5 dhe ka një luftë të fortë, pasi njëri nuk do të dorëzohet, por Nadal gabon më shumë, humb sërish shërbimin dhe argjentinasi ka shansin e artë ta mbyllë ndeshjen. Nuk dështon dhe ulërima e tij e fitores kumbon në “Foro Italico”. "Qetësi, durim, punë dhe argëtim për të vazhduar kërkimin për ato ndjenja të bukura në fushë”, - shkruante në profilin e tij në Instagram 28-vjeçari argjentinas ditën e mbërritjes në Romë.

Dhe receta e tij ka funksionuar. Në gjysmëfinale ai do të ndeshet me Shapovalov. Zhgënjimi është i madh për Rafael Nadal, kjo është një humbje që peshon shumë, por ai nuk justifikohet. “Nuk ishte mbrëmja ime. Ai bëri një ndeshje të madhe, unë jo. Dhe kur ndodh kështu, humb. Kam kohë pa luajtur, kam bërë vetëm dy ndeshje, por nuk dua alibi, duhet vetëm ta përgëzoj Diegon. Ishte thejsht më i zoti, unë nuk luajta mirë. Planete mia? Së pari duhet të zgjidh problemet që lindën këtu”, - u shpreh Nadal pas ndeshjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë