Bota

Sulmi ndaj Kongresit, Biden akuzon Trump: ‘Tentoi të përmbysë votën e lirë’. Replikon ish-presidenti

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka mbajtur një fjalim në Kongres një vit pas kryengritjes së 6 janarit 2021, e cila ndodhi në fund të një demonstrate në të cilën presidenti i atëhershëm Donald Trump i quajti zgjedhjet në të cilat ai kishte humbur, "një vjedhje".

Presidenti dhe zëvendësja e tij, Kamala Harris, kanë vënë në pikëpyetje drejtpërdrejt ish-presidentin Trump, duke i ngarkuar atij përgjegjësi politike për trazirat që shkaktuan 5 të vdekur.

Akuzat kundër ish-presidentit

“Sot, një vit më parë, demokracia u sulmua. Vullneti i popullit u sulmua. Dhe kushtetuta jonë u përball me kërcënimet më serioze”, shkroi presidenti në Twitter para se të mbërrinte në sallën që ishte skena e sulmit.

“Nëse mbyllni sytë dhe mendoni për ato momente, çfarë shihni? Një turmë njerëzish që shkaktuan shkatërrime, duke mbajtur flamurin e Konfederatës - atë të atyre që donin të shkatërronin Shtetet e Bashkuara - në këtë ndërtesë. Nuk kishte ndodhur kurrë: ndodhi një vit më parë, këtu. Çfarë nuk kemi parë? Nuk e pamë fjalimin e presidentit të atëhershëm, i cili nuk bëri asgjë për orë të tëra, ulur dhe duke parë televizor. Nuk ishte një grup turistësh: ishte një kryengritje e armatosur, e njerëzve që donin të përmbysnin rezultatin e zgjedhjeve. Kjo nuk po ringjall të kaluarën, por e pengon të përsëritet”.

Trump - sulmoi përsëri Biden - krijoi “një rrjet gënjeshtrash dhe i përhapi ato. Ai u përpoq të rishkruante historinë. Dhe duke qenë se nuk e pranoi kurrë se kishte humbur, ai vendosi interesin e tij personal përballë atij të kombit”.

“Dhe tani është koha për të vendosur se çfarë lloj kombi do të jemi. A do të jemi një komb që pranon dhunën politike? A do të jemi një komb që u lejon politikanëve të zgjedhur të përmbysin vullnetin e shprehur ligjërisht nga populli? A do të jemi një komb që jeton në dritën e së vërtetës apo nën hijen e gënjeshtrës? Rruga përpara është të njohësh të vërtetën dhe të jetosh sipas saj”, tha Biden.

Gënjeshtrat e Trump sipas Joe Bidenit

Presidenti amerikan theksoi se “gënjeshtra e madhe që përsërisin ish-presidenti dhe njerëzit e tij, është se mësymja nuk është bërë atë ditë, por ditën e zgjedhjeve. Atë ditë, gjesti më i lartë i demokracisë u bë nga miliona amerikanë. E vërteta është se zgjedhjet ishin demonstrimi më i madh i demokracisë që është parë ndonjëherë në këtë vend, sepse numri më i madh i amerikanëve vendosën të votojnë atë ditë, pavarësisht pandemisë. Tani për tani, në shumë shtete, ligjet po miratohen jo për të mbrojtur demokracinë, por për të penguar njerëzit të votojnë. Ish-presidenti dhe mbështetësit e tij e kanë kuptuar se e vetmja mënyrë që ata të fitojnë është të pengojnë njerëzit të votojnë: është sjellje jodemokratike dhe antiamerikane”.

“Gënjeshtra tjetër e madhe”, e thënë nga Trump është sipas Biden se “rezultati i zgjedhjeve nuk mund të konsiderohet i besueshëm. Është false: nuk ka pasur kurrë zgjedhje të tilla të kontrolluara, të gjitha paditë e bëra nga republikanët janë hedhur poshtë. Trump është një ish-president i mundur: i mundur me një diferencë prej miliona votash”.

“Gënjeshtra e tretë e Trump”, shtoi Biden, “është se protestuesit janë patriotët e vërtetë. A është kjo ajo çfarë mendoni ju, nëse shikoni atë shkatërrim, për ata njerëz që kryenin jashtëqitjet e tyre në korridoret e Kongresit? Ata nuk ishin në shërbim të Amerikës, ishin në shërbim të një personi”.

Sondazhet dhe e ardhmja e “The Donald”

Sipas sondazheve, 72% e amerikanëve besojnë se Trump nuk ka asnjë përgjegjësi për atë që ndodhi më 6 janar, 80% e quajnë "sulmin" një "protestë" dhe 75% thonë se në vend që të mësojnë nga ky përvjetor, ata thjesht duhet të kthejnë faqe. 58% gjithashtu besojnë se zgjedhja e Bidenit nuk ishte legjitime.

Jo vetëm kaq: sulmuesit - fillimisht të kriminalizuar edhe nga rrjete televizive si “Fox”, të cilët ishin përpjekur t'i përshkruanin ata si të infiltruar të së majtës Anti-fa - janë shndërruar në viktima të represionit gjyqësor të gjykatave të Bidenit (në realitet të përbërë nga gjyqtarë kryesisht të emëruar nga presidentët republikanë).

Aq sa, sipas një sondazhi të “Politico.com”, janë të paktën 57 protagonistë të asaj dite dramatike që kanë aplikuar tashmë në 2021 ose janë gati ta bëjnë këtë vit për poste politike duke përdorur marshimin në Kongres si trampolinë elektorale.

Mes tyre, shumë kandidatë për parlamentet e shteteve, por edhe 24 kandidatë për Kongresin e Uashingtonit dhe 5 guvernatorët aspirantë, nga Ryan Kelley në Miçigan, deri tek Doug Mastriano në Pensilvani.

Sot një konservator i modës së vjetër, si Karl Rove, kritikon gënjeshtrat e partisë së tij në gazetën "Wall Street Journal", por çdo rebelim dekurajohet nga fati i pak deputetëve republikanë që guxuan të sfidonin Trumpin: 10 që e vunë nën fajësim, nuk e aluan lehtë në vitin e fundit (dorëheqje, të paqartë, të sfiduar nga sfiduesit Trumpianë në shtetet e tyre).

Ndryshimi i strategjisë demokrate

Jo çuditërisht, ish-presidenti demokrat 97-vjeçar, Jimmy Carter, foli sot me një editorial emocional në gztën "New York Times", në të cilin ai vëren se vendi që dikur promovonte demokracinë në botë, tani "rrezikon një konflikt të vërtetë civil, duke humbur demokracinë tonë të çmuar”.

Në çdo rast, Shtëpia e Bardhë po përgatitet për një ndryshim strategjie. Rivali i Mar-a-Lagos, nuk do të injorohet më thjesht nga demokratët e mëdhenj, siç ka qenë deri tani. Në të njëjtën kohë, Biden dhe Harris do të fillojnë një fushatë në terren për të shtyrë Kongresin të miratojë projektligje që garantojnë të drejtën e votës, veçanërisht për pakicat.

Trump - i cili anuloi fjalimin e tij, të planifikuar fillimisht për sot - do të përgjigjet të shtunën, më 15 janar, me një miting në Florence, 105 kilometra në jug të Phoenix, Arizona.

Javën e ardhshme, pra, nis në fakt sfida e gjatë për zgjedhjet afatmesme të 1 nëntorit dhe në perspektivë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Replika e Donald Trump: Po maskon dështimin e tij

Pak minuta pas përfundimit të fjalimit, Donald Trump pretendoi se ai i Bidenit ishte një "teatër politik" për të "maskuar dështimet e tij".

Presidenti, "i cili po shkatërron kombin tonë me politika të çmendura të kufijve të hapur, zgjedhje të korruptuara, politika katastrofike energjetike, mandate antikushtetuese dhe mbyllje shkatërruese të shkollave, ka përdorur emrin tim sot në përpjekje për të ndarë më tej Amerikën." Në fakt, dhe jo çuditërisht, Biden akuzoi Trump - gjatë gjithë fjalimit të tij - pa thënë kurrë emrin e tij.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë