Ka ndodhur

Sulmi ndaj komisariatit dhe përplasja me policinë, 1 në pranga e 4 në kërkim

Gazeta Si – Një person u arrestua dhe 4 janë shpallur në kërkim për sulmin ndaj Komisariatit numër 3 në Tiranë para pak ditësh.

Policia njofton po ashtu se shtatë të tjerë janë vendosur nën hetim në gjendje të lirë.

Veprat për të cilat akuzohen personat e arrestuar apo proceduar penalisht janë “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, “Shkatërrimi i pronës”, “Goditja për shkak të detyrës”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë”, “Mosbindja ndaj urdhrit të ligjshëm të policisë”, “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”, “Organizimi e pjesëmarrja në grumbullimin e manifestime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Sulmi i së shtunës ndodhi pas rreth dy orësh protestë para kryeministrisë, ata iu drejtuan komisariatit në rrugën “Mine Peza”, ku mbaheshin 21 protestuesit e arrestuar. Disa prej tyre ishin me maska, ashtu siç u shfaqën edhe gjatë protestës.

Më pas, me gurë e shkopinj thyen xhamat e komisariatit dhe shqyen derën duke hyrë deri në dhomën e pritjes.

Policia krijoi menjëherë një kordon sigurie në përgjigje të aktit të dhunshëm dhe përdori ujë për t’i shpërndarë. Megjithatë, ata u ulën përpara kordonit duke vijuar me thirrjet për lirimin e 21 protestuesve.

Për këta të fundit, të dielën gjykata vendosi që 12 prej tyre të liheshin me detyrim paraqitjeje, 2 në arrest shtëpie dhe 5 pa masë sigurie.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë