Ngjarje

Sulmet kibernetike, kompanitë publike e private rrisin masat e sigurisë, nisin trajnimet e stafeve

Nga Gazeta 'Si'-Sulmet kibernetike që goditën sistemin tonë të të dhënave, kanë shtuar alarmin tek kompanitë publike e private të cilat kanë filluar menjëherë trajnimet e stafeve.

Burime për Gazetasi.al thanë se pre e sulmit kibernetik kanë rënë dhe disa kompani publike që zotërojnë të dhëna të rëndësishme për qytetarët, që kanë të bëjnë me shërbimet, por përforcimi i masave paraprake ka bërë që të mos ketë dëme nga ky sulm.

Për të rritur sigurinë kibernetike, nga ana e kompanive kanë nisur trajnimet e stafit për mënyrën se si duhet të jenë të përgatitur përballë sulmeve.

Kështu, punonjësve i është tërhequr vëmendja fillimisht që të fiken kompjuterat me përfundimin e orarit zyrtar.

Po ashtu, punonjësve u është kërkuar që të mos navigojnë në faqe të dyshimta, duke u hequr aksesin në internet, përveçse në zyra dhe drejtues të kompanive që kanë nevojë imediate për internetin.

Gjithashtu, punonjësve u është thënë se nuk duhet të klikojnë në linqe që mbërrijnë në emailet e punës apo private, pasi rrezikojnë të jenë viruse që mund të sjellin dëme në kompjuter, në sistemin e të dhënave personale etj.

Burimet i thanë Gazetasi.al se rreziku më i madh nga sulmet mbetet fundjava, ku nëse neglizhon masat e sigurisë, sistemi rrezikon të bjerë në kolaps.

Prej periudhës kur hakerat iranianë goditën sistemin e të dhënave, për punonjësit e IT në institucionet publike e private, nuk ka pushim.

Gjatë fundjavës, puna vijon njësoj duke mbikqyrur sistemin dhe duke mos neglizhuar asnjë masë sepse sulmet kibernetike janë prezente.

Si pasojë e këtyre sulmeve, kompanitë  kanë shtuar trajnimet me  punonjësit e  sektorit të IT me programues, informaticienë, që të njihen me programet, masat më bashkëkohore për të qenë koherent me situatën dhe për të rritur nivelin e sigurisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë