Ngjarje

Sulmet e Hamasit, goditje me raketa pranë ambasadës shqiptare në Izrael

Përshkallëzimi i situatës me lëshimin e raketave dhe bombardimeve mes Gazës dhe Izraelit, nuk po njeh kufi. Kjo, për shkak se luftimet dhe përleshjet e armatosura nga të dyja palët po godasin edhe selitë e huaja diplomatike.

Ambasada shqiptare në Izrael, ka raportuar se ka pasur goditje raketash kundër disa godinave që ndodhen pranë zyrave të saj.

Ambasada thekson në një postim në rrjetet sociale, se janë të shqetësuar për sulmet pa kriter nga Hamasi në drejtim të Izraelit dhe se situata duhet të de-pershkallëzohet menjëherë.

Ambasadori shqiptar në Izrael, Bardhyl Canaj

Raketat kanë rënë edhe lagjen Ramat Gan, në periferi të Tel Avivit, ku ndodhet dhe selia e ambasadës shqiptare.

“Goditje raketash në Ramat Gan, pranë ambasadës shqiptare gjithashtu, midis breshërive të mëdha në Izraelin qendror. Shumë të shqetësuar nga sulmet pa kriter nga Hamasi në Izrael. Civilët nga të gjitha anët duhet të mbrohen dhe kjo situatë shpërthyese duhet të de-përshkallëzohet”, shkruan ambasada shqiptare në “Twitter” teksa shpërndan postimin e ambasadës austriake, e cila gjithashtu është rrezikuar nga bombardimet.

Lagja Ramat Gan. Në qendër, ndërtesa Laz-Rom ku ndodhet Ambasada e Shqipërisë në Izrael
Ndërtesa Laz-Rom ku ndodhet Ambasada e Shqipërisë në Izrael

“Sapo pati një goditje rakete në Ramat Gan afër ambasadës austriake. Për fat të mirë të gjithë jemi të sigurt. Kjo duhet të ndalet menjëherë!”, shkruan ambasadorja austriake në Izrael, Hannah Liko.

Mediat lokale në Izrael bëjnë të ditur se qendra e Tel Avivit është vënë në shënjestër të sulmeve të reja të raketave mesditën e sotme.

Ndërkohë dëshmitarët thonë se disa raketa janë arritur të asgjësohen nga sistemi i mbrojtjes i Izraelit. Hamasi thotë se raketat janë përgjigje e vrasjes së 10 palestinezëve në kampin refugjat në Gaza në 24 orët e fundit.

Që prej të hënës kur kanë nisur luftimet, deri tani nga të dyja palët, janë vrarë rreth 150 persona, ku një pjesë janë gra dhe fëmijë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë